Tenori i ri nga Kosova, Granit Musliu, i cili ka gati katër muaj që ndjek studimet në Universitetin Shtetëror të Muzikës në Hamburg, mund të krenohet me faktin se është në mesin e studentëve më të mirë. Kështu po del të jetë pas garës së këndimit “Mozart Preis”, që u mbajt të shtunën. Musliu nga 15 studentë sa ishin në garë, zuri vendin e dytë. U prezantua me tri arie të njohura të kompozitorit austriak, Wolfgang Amadeus Mozart, “Cosi Fan Tutte”, “Die Zauberflöte”, “Don Giovanni” e me këngën gjermane “An Chloe”, po ashtu, nga Mozarti. Në këtë garë u vlerësuan nga profesorët e Universitetit, përfaqësues nga Shtëpia Shtetërore e Operës së Hamburgut, por edhe profesionistë të tjerë të kësaj fushe, të cilët ishin ftuar nga Universiteti për të bërë vlerësimet.
Ka vite që Universiteti Shtetëror i Muzikës në Hamburg organizon garën e këndimit “Mozart Preis”. E hapur për të gjithë studentët, pa dallim nivelet akademike, në fokus ka njohjen e talenteve të rinj me repertorin e Mozartit. Rekomandimet e profesorëve për t’u bërë pjesë e garës janë shtytja kryesore. Pëlqimin e ligjëruesit të tij, e kishte marrë edhe 22-vjeçari nga Kosova.
Granit Musliu, i cili po ndjek studimet në degën e këndimit, ka thënë se me pëlqimin dhe rekomandimin e profesorit të tij Geert Smits, kishte vendosur që të bëhej pjesë e garës, ani pse student i ri.
“Ky çmim është special për mua, për shkakun se nuk kam shumë kohë që kam ardhur në këtë vend dhe me gëzoi fakti që u vlerësova për prezantimin tim me veprat e Mozartit, i cili është një kompozitor me kërkesa të mëdha, në stil, këndim dhe interpretim. Po ashtu, gëzohem shumë për kritikat pozitive të cilat i konsideroj shumë të veçanta”, ka thënë Musliu për gazetën.
Në muajin dhjetor të vitit të kaluar tenori Musliu ishte solist në “Meshën në C mol” të kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart në koncertin që u mbajt në kishën “St. Philippus Kirchengemeinde” në Hannover të Gjermanisë. Pjesëmarrja në këtë koncert kishte ardhur si rezultat i rekomandimeve që kishin bërë profesorët. Aftësitë e tij në këndim patën shtyrë profesorët që ta vënë Musliun në kontakt me dirigjentin Jan Behnken, i cili e pati ftuar që të këndojë si solist në koncertin e 8 dhjetorit. Në koncertin e titulluar “Musik die gut tut”, Musliu këndoi përkrah dy sopranove gjermane, Cornelia Samuelis dhe Mine Yücel, si dhe Mathis Koch (bas).
Granit Musliu u lind në Mitrovicë në vitin 1998. Shkollën fillore dhe të mesmen i ka përfunduar në vendlindje dhe pastaj ka studiuar solo-këndim në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Musliu, po ashtu, është anëtar i rregullt i Filarmonisë së Kosovës që nga viti 2016.
Më gjerësisht në edicionin e sotëm të gazetës “Koha Ditore”