Kulturë

Teatrit i rikthehen ujërat e zeza në pritje të rinovimit

Një erë e rëndë myku e lagështie ndihet pa hyrë në bodrumin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Jo rrallëherë ndodh që ujërat e zeza të kanalizimit të shpërthejnë e të arrijnë deri në nivelin e shkallëve.

Dy ditë punë i janë dashur ekipit të zjarrfikësve që përmes pajisjeve të tyre të shkarkojnë nivelin e ujit të mbledhur në pjesën përdhese të ndërtesës së Teatrit, shkruan sot Koha Ditore. Me reshjet e fillimjavës, TKK-së i është rikthyer problem i kamotshëm.

Jo vetëm banjat aty afër, por era e padurueshme e ujërave të zeza tashmë ka pushtuar edhe sallën kryesore ku bëjnë provat aktorët.

Vitin e kaluar, disa herë objekti i TKK-së ishte vërshuar.

Madje në prill të 2018-s, qenë anuluar edhe provat e shfaqjes. Vetë ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, e kishte parë nga afër gjendjen përderisa kishte premtuar se do të bëjnë zgjidhje ani pse për këtë çështje përgjegjëse janë edhe institucionet e Komunës së Prishtinës.

Beqir Beqiri, organizator në TKK, të mërkurën ka qenë goxha pesimist se do të bëhet ndonjë zgjidhje e shpejtë. Kjo pasi, sipas tij, ky problem vjen nga fakti që krejt infrastruktura e ndërtesës është buzë të shkatërrimit si pasojë e vjetërsisë së saj.

Drejtori i TKK-së, Agim Sopi, ka bërë të ditur se ekipet e zjarrfikësve e kanë nxjerrë ujin që kishte vërshuar bodrumin gjatë këtyre ditëve. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)