Periudhën njëvjeçare të thirrjes ndërkombëtare të projektit ideor dhe të hollësishëm për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit, Ministria e Kulturës e ka përmbledhur me dy fjali, që përfundojnë me atë se procedura “është në fazën e vlerësimit të projekteve”. Por situata është ndryshe. KOHA nëpërmjet tri burimeve të lidhura direkt me këtë proces ka marrë vesh se juria ka vlerësuar tri projekte, janë dhënë pikët, kanë pasur dy ankesa dhe MKRS-ja e ka kthyer në rivlerësim procesin
Kanë mbetur edhe pak ditë që të bëhet një vit prejse Ministria e Kulturës ka nisur procesin për ta konkretizuar projektin për ndërtesën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Por ende nuk është finalizuar kjo nismë dhe nuk ka një afat se kur do të zgjidhet projekti ideor. Krejt çfarë dihet zyrtarisht është se kishin kualifikuar tri kompani ose konzerciume. Juria kishte bërë vlerësimin. Por sipas MKRS-së projektet ende janë në vlerësim.
Periudhën njëvjeçare të kësaj thirrjeje ndërkombëtare, Ministria e Kulturës e ka përmbledhur me dy fjali.
“Procedura e prokurimit për Teatrin e Operës dhe Baletit është në fazën e vlerësimit të projekteve. Në përputhje me afatet ligjore, MKRS do të njoftojë për rezultatet e vlerësimit”, shkruhet në përgjigjet e MKRS-së.
Por situata është ndryshe. KOHA nëpërmjet tri burimeve të lidhura direkt me këtë proces ka marrë vesh se pas vlerësimit të bërë publik më 11 gusht, Ministria e Kulturës ka pranuar dy ankesa. Që të dyja kanë për bazë një detaj. Meqenëse projektet e tri kompanive – dy vendore në bashkëpunim me ndërkombëtarë, dhe një veç ndërkombëtare – është dashur të dorëzohen me kode. Para komisionit vlerësues – që po ashtu proceduralisht nuk bëhet publik – do të duhej të hapeshin zarfet pa u ditur emrat e kompanive, por vetëm nëpërmjet kodeve. Kështu edhe ka ndodhur. Komisioni në përbërje të anëtarëve vendorë dhe një ndërkombëtar kishte bërë vlerësimin e vet. Me 71 pikë kishin vlerësuar kompaninë ndërkombëtare, kurse me 54.2 dhe 51.4 pikë dy kompanitë vendore, që janë në bashkëpunim me dy të tjera të huaja.
Por dy kompanitë vendore, pasi kanë kërkuar qasje në dokumentacion, kanë gjetur një vjegëz ligjore për të bërë ankesa. Në versionin online të kompanisë, projekti i së cilës është vlerësuar si më i miri, qëndronte edhe logoja e kompanisë.
Pas kësaj, MKRS-ja e ka kthyer në rivlerësim procesin duke ndërruar përbërjen e komisionit vlerësues. Por gjasat janë reale që pos Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, pas vlerësimit të dytë, krejt procesi të shkojë edhe në Gjykatë Komerciale. Të paktën njëra kompani vendore është duke u bërë gati për këtë hap.
Tentativa për të pasur një projekt për këtë ndërtesë është e katërta me radhë pas luftës. Ky tentim vjen pas konkursit të afro 16 vjetëve më parë, gurit themeltar të vitit 2009 dhe dy konkurseve të vitit 2019.
Konkursi “Zhvillimi i dokumentacionit teknik - projektit ideor dhe të hollësishëm të arkitekturës dhe të inxhinierisë për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës në Prishtinë, në Republikën e Kosovës” është realizuar vjet në tetor pas ndërrimit të lokacionit. Njëkohësisht me këtë edhe është mbyllur historia e shpenzimit të më shumë se një milion eurove.
Ministria e Kulturës ka planifikuar që ky konkurs të rrumbullakohet me kosto prej 2.5 milionë eurosh. Kaq janë paraparë në Ligjin e buxhetit të vitit 2023.
Vendi i parë do të shpërblehet me kontratë, kurse i dyti me 30 mijë euro, ndërsa i treti me 20 mijë euro. Sipas konkursit, vendi i parë do të marrë edhe shërbimet për fazën e mëtutjeshme “të projektimit, përkatësisht të zhvillimit të projektit të hollësishëm të arkitekturës dhe të inxhinierisë për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës”.
Më 2019, Ministria e Kulturës kishte zhvilluar një proces të ngjashëm, po me konkurs ndërkombëtar. Në qershorin e atij viti do ta hapte konkursin, i cili ishte anuluar më 8 korrik me arsyetimin se konkurruesit kishin probleme në dërgimin e dokumentacionit në formë elektronike. Prej 11 deri më 27 korrik të po atij viti qe hapur konkursi i radhës, në të cilin ofertat e tyre i paraqitën katër kompani të huaja, tri prej të cilave u morën në shqyrtim. Komisioni nisi punën, por procesi nuk pati epilog.
Paraprakisht më 2 dhjetor të 2009-s qe vënë guri themeltar për këtë ndërtesë afër Fakulteti Teknik. Asokohe planifikohej që ndërtesa të mbante edhe emër, teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.
Kuvendi i Kosovës në gushtin e vjetshëm themeloi institucionin e Operës, i cili ende mbetet në konsolidim, përderisa një objekt për të është ende larg.
Kurse në prill të vitit 2022 shumica e këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Prishtinës kanë votuar pro ndarjes së një pjese të hapësirës prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve si lokacion për Teatrin e Operës dhe të Baletit. Në lokacionin paraprak – te Fakulteti Teknik në “Kodrën e Diellit – është afër konkretizimit ndërtimi i vrazhdë i një kampusi të ri universitar për Universitetin e Prishtinës.
“Teatri i Operës dhe Baletit e ka pozicionimin e vet. Është hapësirë e madhe 2.2 hektarë dhe pjesa tjetër është multifunksionale. Ne kemi biseduar për bashkinvestim me MKRS-në për ta çuar projektin përpara”, kishte thënë në prillin e vjetëm kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Në Komisionin e parë vlerësues për konkursin e ri, MKRS-ja nuk kishte emëruar asnjë përfaqësues të Komunës së Prishtinës. Dhe kryetari Rama publikisht ishte shprehur i çuditur për këtë fakt.
Historia e Teatrit të Operës dhe Baletit është një seri e vjetër dështimesh.
Ministria e Kulturës me shkresat e qershorit të vitit 2018 dhe të tetorit të vitit 2019 kishte njoftuar Komunën për procedurat që po zhvillonte për një projekt të ri për lokacionin e vjetër afër Fakultetit Teknik. Ky institucion bazohej në vendimin e vitit 2004, kur Komuna e Prishtinës kishte përcaktuar se parcela në lagjen “Kodra e Diellit” do të jetë vendi i Teatrit të Operës dhe Baletit. Prej atëherë Qeveria kishte shpenzuar goxha për të çuar përpara kërkesën e kamotshme të artistëve.
I pari projekt i hartuar afro 16 vjet më parë ishte nënshkruar nga arkitekti gjerman, Kai Auffermann. Në dhjetor të vitit 2009 aty do të mblidhej krejt paria e shtetit. Mes të tjerash, edhe me një program artistik ishte vënë guri themeltar i teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Pas krejt punimeve, puna ishte ndërprerë për të mos filluar kurrë më.
Projekti ishte shpallur i pavlefshëm në korrik të vitit 2012, kur Ministria e Kulturës udhëhiqej nga Memli Krasniqi.
Prej asaj kohe deri më sot nuk është bërë kurrfarë shpjegimi se si kanë shkuar 1 milion e 12 mijë euro, kosto që përfshinte hartimin e projektit dhe nisjen e fazës së parë të punimeve. Me arsyetimin se paraqiste rrezik për qytetarët, në vjeshtën e vitit 2018 autoritetet komunale e mbyllën gropën e themeleve.
Në vjeshtën e vitit 2018 do të dilte në pah synimi për plane komunale sa i përket asaj hapësire. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Komuna e Prishtinës kishin nxjerrë në publik projektin e hollësishëm për atë zonë. Pas diskutimeve publike projekti ishte reviduar.
Në janar të vitit 2021, Komuna e Prishtinës ishte zmbrapsur të paktën për një kohë të shkurtër nga lënia pa lokacion e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Këtë e kishte bërë Kuvendi Komunal duke shtyrë propozimin e ekzekutivit që do t’i hapte rrugë ndërtimit të një kampusi të ri universitar në hapësirën afër Fakultetit Teknik. Ministria e Kulturës ishte në procesin e rivlerësimit të projekteve për Teatër të Operës dhe Baletit pas konkursit të hapur më 2019. Por gjërat do të ndërronin në shtator të vitit 2021, kur Kuvendi Komunal ua dha dritën jeshile planeve të reja.
Me krejt ishte pajtuar edhe menaxhmenti i MKRS-së. Madje ende pa gjetur një tjetër lokacion për Teatrin e Operës dhe Baletit, të cilit tash së paku në propozime nuk i figuron emri “Dr. Ibrahim Rugova”.