Botë

Talebanët ndalojnë librat e shkruar nga gratë në universitetet afgane

Talebanët ndalojnë librat e shkruar nga gratë në universitetet afgane

Qeveria e talebanëve ka ndaluar librat e shkruar nga gratë në sistemin universitar në Afganistan. Ky ndalim është pjesë e një vendimi të ri, që gjithashtu ndalon ligjëratat për të drejtat e njeriut dhe për parandalimin e ngacmimit seksual.

Rreth 140 libra të shkruar nga gra, përfshirë edhe tituj si “Siguria në Laboratorin Kimik”, janë përfshirë në një listë prej 680 librash të cilësuar si “të dyshimtë”, sepse sipas autoriteteve talebane, shkelin rregullat e Sheriatit dhe të politikës së tyre.

Gjithashtu, universiteteve iu është ndaluar të japin 18 lëndë mësimore, pasi sipas një zyrtari të talebanëve, këto lëndë janë në kundërshtim me parimet e Sheriatit dhe politikat e sistemit, raporton BBC.

Ky vendim është një nga shumë kufizime që talebanët kanë vendosur që nga kthimi në pushtet katër vjet më parë. Vetëm këtë javë, interneti me fibër optike është ndaluar në të paktën 10 provinca, për të parandaluar atë që e quajnë “pamoralitet”.

Gratë dhe vajzat janë ato që po preken më shumë nga këto rregulla: atyre u ndalohet shkollimi pas klasës së gjashtë. Në fund të vitit 2024, u mbyll edhe kursi i mamive, i cili ishte një nga të vetmet mundësi për trajnime të mëtejshme për vajzat.

Tani, edhe lëndët që flasin për gratë janë goditur: 6 nga 18 lëndët e ndaluara kanë lidhje direkt me gratë, si “Gjinia dhe Zhvillimi”, “Roli i Grave në Komunikim” dhe “Sociologjia e Gruas”.

Qeveria talebane ka thënë se respekton të drejtat e grave sipas interpretimit të tyre të kulturës afgane dhe ligjit islamik.

“Boshllëk në arsim”

Një anëtar i komisionit që rishikon librat konfirmoi për BBC-në se të gjithë librat e shkruar nga gratë janë ndaluar për mësim.

Zakia Adeli, ish-zëvendësministre e drejtësisë para kthimit të talebanëve dhe njëra nga autoret e librave të ndaluar, tha se nuk është e habitur nga ky vendim.

“Duke parë çfarë kanë bërë talebanët gjatë katër vjetëve të fundit, nuk ishte e vështirë të imagjinoje se ata do të ndryshonin edhe programin shkollor”, tha ajo.

“Sipas tyre, kur grave nuk u lejohet të shkollohen, atëherë as mendimet dhe shkrimet e tyre nuk mund të pranohen”.

Udhëzimet e reja, të cilat i ka parë BBC Afghan, janë dërguar në fund të muajit gusht.

Ziaur Rahman Aryubi, zëvendësdrejtor akademik në Ministrinë e Arsimit të Lartë të talebanëve, shkroi në letrën drejtuar universiteteve se vendimet janë marrë nga një panel “dijetarësh fetarë dhe ekspertësh”.

Përveç librave të grave, janë ndaluar edhe shumë libra të autorëve iranianë ose të botuar në Iran. Një anëtar i komisionit tha për BBC-në se kjo bëhet për të “parandaluar ndikimin e përmbajtjes iraniane” në programin shkollor afgan.

Në një listë me 50 faqe, që u është dërguar të gjitha universiteteve, përfshihen 679 tituj, prej të cilëve 310 janë të autorëve iranianë ose të botuar në Iran.

Marrëdhëniet mes Afganistanit dhe Iranit nuk janë aq të mira -  kanë pasur mosmarrëveshje për çështje si ujërat ndarëse, dhe së fundmi, Irani ka dëbuar mbi 1.5 milionë afganë që jetonin atje që nga janari.