Kulturë

Suksesi i dyfishtë në Stamboll konfirmon nivelin e filmit “Shpia e Agës”

Prishtinë, 30 tetor – Suksesi i dyfishtë i filmit “Shpia e Agës” në “Bosphorus International Film Festival” në Stamboll të Turqisë është konfirmimi i radhës për nivelin e këtij produksioni kosovar. Filmi, nën regji të Lendita Zeqirajt, ka marrë Çmimin për aktoren më të mirë dhe Çmimin special të jurisë. Por i pari është specifik dhe i është ndarë katërshes së aktoreve: Adriana Matoshi, Rozafa Çelaj, Shengyl Ismaili dhe Melihate Qena. Të veçantë e konsideron edhe regjisorja Zeqiraj.

“Ky vlerësim i cili iu dha ansamblit të aktoreve të mia të preferuara, them të preferuara, sepse ato i luajnë disa personazhe kyç të storieve të mia filmike vite me radhë, të cilat pothuaj në çdo projekt filmik që kam bërë, e kanë gjetur nga një rol të rëndësishëm në filmat e mi. Ato herë janë Arta, herë Lumja e herë Lirija, herë Kumrija e Zejnepi, Gjyshja e Gjyla, Rozi e Emira”, ka numëruar Zeqiraj teksa ka folur për suksesin në edicionin e shtatë të festivalit i cili u mbajt prej 18 deri më 25 tetor. Mediat ndërkombëtare kanë raportuar për fituesit të hënën mbrëma. Zeqiraj ka thënë se është ndier shumëfish e lumtur, e nderuar dhe krenare me çmimin “që iu dha të gjithave së bashku nga pamundësia që ta dallojnë më të mirën nga ansambli i interpretimit kaq të bukur koral”.

Ka qenë juria e kryesuar nga skenaristi e regjisori filipinas Brillante Mendoza – në përbërje të regjisorit palestinez Bassam Jarbawi, drejtorit të festivalit “Durban Film Festival”, Chipo Zhou, aktores turke Melisa Sözen dhe regjisorit nga bullgaria Milko Lazarov – që Zeqirajt ia ndau edhe Çmimin special.

“Çmimi i jurisë ishte një befasi shumë e madhe dhe shumë e bukur, e cila më nderoi pa masë duke më bërë të kujtoj premierën e filmit në Karlovi Vari vetëm para tre muajsh dhe duke me sjellë ndërmend që tashmë bëhej çmimi i 7-të që ‘Shpia e Agës’ po i sjell Kosovës nga festivale të ndryshme në botë”, ka thënë ajo.

Mbi 80 filma nga 25 vende të ndryshme ka sjellë sivjet “Bosphorus International Film Festival

“Shpia e Agës” ka për producent Bujar Kabashin. Rolet i luajnë: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno e të tjerë.