Të hënën, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, nisi dita e parë e Kuvendit të Studimeve Arbëreshe me temë: “Gjendja aktuale e studimeve mbi arbëreshët”. Kjo ngjarje e organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në kuadër të njohjes dhe analizimit të rezultateve kërkimore-shkencore të deritanishme mbi arbëreshët, bëri bashkë emrat më autoritarë të studimeve mbi këtë lëmi nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Italia.
Po ashtu, merrnin pjesë edhe përfaqësues zyrtarë të institucioneve të ndryshme shkencore, arsimore, kulturore, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Fjalën e hapjes e mbajti drejtoresha ekzekutive e QSPA-së, Diana Kastrati, e cila pasi falënderoi të pranishmit, theksoi se kjo qendër erdhi si një erë e freskët në mjedisin akademik, duke sjellë mendësi të reja, duke shprishur disa komoditete të stanjizuara, por gjithmonë duke i qëndruar me objektivitet interpretues së kaluarës, sepse pa rrënjë ne nuk jemi të lirë.
“Kjo përbën edhe thelbin e ndryshimit të institucionit tonë me ato simotra studimore në Shqipëri. Po shpjegohem më qartë: rrugëtimi kronologjik i studimeve mbi arbëreshët në Shqipëri në bashkëpunim me arbëreshët e Italisë në veçanti, si çdo fenomen tjetër që varet nga faktorë politikë më së pari, por edhe strategjikë kulturorë, ka njohur periudha lulëzimi, nëse mund të shprehemi kështu, po aq sa edhe një kurbë në zbritje”, ka thënë ajo.
Më tej punimet e këtij kuvendi i përshëndeti zëvendësministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Olti Rrumbullaku, si dhe drejtoresha e Politikave të Diasporës pranë Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Mira Hoxha, të cilët vlerësuan punën e zhvilluar deri më tani nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).
Ndërsa, zëvendësambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Pietrangelo, bëri një ekspoze të bazës ligjore të shtetit italian në lidhje me ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhëve minoritare, mes të cilave arbërishtja zë një vend qendror.
Por, nga ana tjetër, ai nënvizoi që jo vetëm shteti italian, por edhe shteti shqiptar duhet t’i ndihmojë arbëreshët që t’i ruajnë gjuhën dhe traditat e veta. Sipas tij, Ambasada e Italisë do të jetë një mbështetje e vazhdueshme për ta çuar përpara misionin e QSPA-së dhe rezultatet e këtij kuvendi do të referohen edhe në Romë, përderisa marrin pjesë me mendimet e tyre ekspertë e studiues me përvojë shumëvjeçare.
Në përmbyllje të fjalëve përshëndetëse, ka treguar përvojën e vet me diasporën historike në Rusi edhe albanologu i shquar, Aleksandër Novik. Ai ka vlerësuar botimet dhe punën e deritanishme të QSPA-së dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunime ndërinstitucionale edhe me katedrën e Shën Petërburgut, të cilën e drejton prej vitesh. Pas përshëndetjeve, ka nisur prezantimi i referateve dhe kumtesave nga studiuesit e pranishëm, ku mes kryesorëve ishin: Italo Sarro, Ymer Çiraku, Agostino Giordano, Evada Paci, Emin Kabashi, Dhori Qiriazi, Zeqirja Neziri, Klara Kodra, Agim Vinca, Isak Shema, Vehbi Bexheti, Kristaq Jorgo e të tjerë.