Një studim i ri ka zbuluar se shumica dërrmuese e njerëzve nuk janë më në gjendje të dallojnë muzikën e krijuar nga inteligjenca artificiale prej asaj të kompozuar nga artistë të vërtetë.
Sipas një sondazhi të realizuar nga Ipsos në bashkëpunim me platformën Deezer, rreth nëntë mijë persona në tetë vende të ndryshme janë testuar për të parë nëse mund të identifikojnë cilat këngë janë bërë plotësisht nga AI.
Rezultatet treguan se 97 për qind e pjesëmarrësve nuk kanë arritur të dallojnë dot këngën e krijuar nga njeriu mes tri opsioneve – dy të gjeneruara nga inteligjenca artificiale dhe një reale.
Shumica e pjesëmarrësve pranuan se ndiheshin jorehat me faktin që nuk mund ta kuptojnë ndryshimin mes muzikës së krijuar nga njeriu dhe asaj të inteligjencës artificiale, ndërsa kërkuan që muzika e krijuar nga algoritmet të etiketohet qartë në platformat si Spotify, Apple Music dhe Deezer.
Drejtori ekzekutiv i Deezer-it, Alexis Lanternier, tha se platformat po përballen me “vërshim” të këngëve të krijuara nga AI, duke shkaktuar shqetësime si për artistët ashtu edhe për dëgjuesit.
“Rezultatet tregojnë qartë se njerëzit kujdesen për muzikën dhe duan të dinë nëse po dëgjojnë një krijim njerëzor apo të inteligjencës artificiale. Ekziston gjithashtu shqetësimi se si kjo do të ndikojë te jetesa e artistëve dhe krijimtaria muzikore, si edhe te përdorimi i materialeve të mbrojtura nga e drejta e autorit për trajnimin e modeleve të AI”, ka thënë ai.
Deezer raportoi se çdo ditë në platformë ngarkohen mbi 50 mijë këngë të krijuara nga AI, që përbëjnë rreth një të tretën e muzikës së re që publikohet. Sipas kompanisë, deri në 70 për qind e këtyre këngëve janë të rreme dhe synojnë të gjenerojnë të ardhura përmes dëgjimeve artificiale.
Platforma ka zhvilluar tashmë një mjet zbulimi që identifikon muzikën e krijuar ekskluzivisht nga inteligjenca artificiale dhe e heq automatikisht nga rekomandimet algoritmike, për të parandaluar ndikimin e saj në ndarjen e të ardhurave për artistët.