Kulturë

Studimi i detajuar i artefakteve ndihmon datimin e sundimit të faraonit Ahmose

Ahmose

Ahmose ishte themeluesi i Dinastisë së 18-të dhe Mbretërisë së Re, një periudhë e rilindjes së begatisë në Egjiptin e lashtë pas disa shekujve të vështirë. “Stela e Stuhisë”, një artefakt nga sundimi i Ahmose, përshkruan një ngjarje klimatike, që studiuesit kanë menduar se mund t’i referohej shpërthimit të Thera-Santorinit

Studimi i botuar në “PLOS One”, që u krye nga Hendrik J. Bruins i Universitetit Ben-Gurion në Negev, Izrael, dhe Johannes van der Plicht i Universitetit të Groningenit në Holandë, sjell shumë të dhëna. Përcakton kohën kur faraoni Nebpehtire Ahmose sundoi Egjiptin, duke u dhënë hulumtuesve mundësinë të kuptojnë më mirë ngjarjet e përshkruara në Librin e Eksodit dhe një shpërthim vullkanik në Detin Egje

(Art News) – Dy studiues përdorën datimin me karbon radioaktiv për të përcaktuar kohën kur faraoni Nebpehtire Ahmose sundoi Egjiptin, duke u dhënë hulumtuesve mundësinë të kuptojnë më mirë ngjarjet e përshkruara në Librin e Eksodit dhe një shpërthim vullkanik në Detin Egje.

Studimi, i botuar muajin e kaluar në “PLOS One”, u krye nga Hendrik J. Bruins i Universitetit Ben-Gurion në Negev, Izrael, dhe Johannes van der Plicht i Universitetit të Groningenit në Holandë.

Ai shqyrton kronologjinë e shpërthimit të vullkanit Thera-Santorini, i cili ka shërbyer si burim frymëzimi për tregime si legjenda greke e Atlantidës dhe rrëfimi biblik i çlirimit të izraelitëve të skllavëruar nga Egjipti.

Megjithëse vullkani ndodhet rreth 75 milje në veri të Kretës, grimcat nga shpërthimi janë zbuluar si në Izraelin ashtu edhe në Egjiptin e sotëm. Vlerësimet e mëparshme sugjeronin se shpërthimi kishte ndodhur rreth vitit 1500 para erës sonë

Ahmose ishte themeluesi i Dinastisë së 18-të dhe Mbretërisë së Re, një periudhë e rilindjes së begatisë në Egjiptin e lashtë pas disa shekujve të vështirë. “Stela e Stuhisë”, një artefakt nga sundimi i Ahmose, përshkruan një ngjarje klimatike që studiuesit kanë menduar se mund t’i referohej shpërthimit të Thera-Santorinit.

Për të kuptuar lidhjen e mundshme midis këtyre kronologjive, dyshja realizoi analiza me radiokarbon në artefakte të lidhura me Ahmose nga koleksionet e Muzeut Britanik dhe Muzeut Petrie të Arkeologjisë Egjiptiane dhe Sudaneze në University College të Londrës, si edhe në fara dhe degë të karbonizuara nga shpërthimi, para se të krahasonin rezultatet.

“Objekti më i rëndësishëm ka qenë një tullë balte e gërmuar rreth vitit 1900 nga arkeologë britanikë në tempullin e Ahmose në Abydos, në Egjiptin jugor”, ka thënë Bruins për “Times of Israel”.

“Tulla është vulosur me emrin e fronit të mbretit Nebpehtire. Ahmose ishte një emër mjaft i zakonshëm në atë kohë në Egjipt dhe edhe faraonë të tjerë e mbanin, por falë emrit të tij të fronit, kjo ishte hera e parë që mund të lidhnim me siguri një objekt me këtë faraon të veçantë”.

Studiuesit nxorën një copë kashte që ishte shtuar në tullë gjatë ndërtimit për ta forcuar atë. Datimi me radiokarbon tregoi se tullat për ndërtimin e tempullit të Faraonit janë prodhuar rreth viteve 1517 ose 1502 para erës sonë.

Tempulli paraqet skena të betejave të Ahmose kundër dinastisë Hyksos, që sundoi Mbretërinë e Poshtme të Egjiptit para se ajo të bashkohej nën faraon. Prandaj, tulla i përket një periudhe pas luftës, gjatë mbretërimit të tij.

Dy studiuesit analizuan gjithashtu gjashtë figura njerëzore prej druri që përfaqësonin mumie të varrosura së bashku me të ndjerët.

“Një figurë mban emrin e një personi që përmendet edhe në një varr të rëndësishëm në Egjiptin e Jugut si kryetari i Tebës, dhe sundimi i tij përfshinte një pjesë të kohës së faraon Ahmose dhe të birit të tij, Amenhotep I”, ka thënë Bruins për “Times”. “Datimi me radiokarbon i këtij artefakti përputhet pothuajse plotësisht me atë të tullës së baltës. Ato e konfirmuan njëra-tjetrën”.

Sipas analizës së tyre, shpërthimi i Thera-Santorinit ka ndodhur 60 deri në 90 vjet më herët sesa besohej më parë. Ata zbuluan se “Stela e Stuhisë” i referohet një ngjarjeje tjetër klimatike. Po ashtu, ata gjetën se faraoni Ahmose hipi në fron në gjysmën e dytë të shekullit të 16-të para erës sonë. Ky studim shënon krahasimin e parë përmes datimit me radiokarbon midis këtyre dy kronologjive.