Muzikantë profesionistë shqiptarë e amerikanë janë bashkuar nga “Sounds of Albania” për një natë të veçantë promovimi artistik. Salla e Merkinit në “Kaufman Music Center” do të jetë nikoqire për këtë koncert, i cili mban mbi supe peshën e përfaqësimit të denjë të rrënjëve shqiptare. Synohet krijimi i një tabloje tingullore që ruan karakterin burimor të këngës e melodisë shqiptare, por që e shton atë me elemente bashkëkohore, pa e zhveshur prej identitetit
Skena kulturore e Manhattanit do të marrë ngjyrime shqiptare më 19 dhjetor, kur në një nga qendrat kryesore artistike të New Yorkut do të mbahet koncert me program të përzgjedhur nga tradita muzikore mbarëkombëtare. Aktiviteti organizohet nga “Sounds of Albania”, nën kujdestarinë e dy emrave të njohur të diasporës kulturore shqiptare në SHBA, Ilir Rizaj dhe Petrit Pula, të cilët kanë bashkuar muzikantë profesionistë shqiptarë e amerikanë për një natë të veçantë promovimi artistik. Salla e Merkinit në “Kaufman Music Center” shërben si vend nikoqir për këtë koncert, i cili mban mbi supe peshën e përfaqësimit të denjë të rrënjëve shqiptare.
Formacioni muzikor, i konceptuar si ndërthurje mes estetikës klasike dhe qasjeve moderne, përfshin kuartet harkor, flaut, klarinetë dhe perkusion. Me këtë përbërje, synohet krijimi i një tabloje tingullore që ruan karakterin burimor të këngës e melodisë shqiptare, por që e shton atë me elemente bashkëkohore, pa e zhveshur prej identitetit. Në këtë drejtim, repertori është hartuar me kujdes për të përfaqësuar sa më shumë shtresëzime të folklorit shqiptar.
Kuarteti harkor përbëhet nga Margret Radovani dhe Megan Gould në violina, Entela Barçi në violë dhe Eleanor Norton në violonçel. Në perkusione është Shane Shanahan, krahas Etnika Beqramës me flaut dhe Ylli Zhavelit me klarinetë.
Sipas autorit të programit artistik, muzikantit Edmond Xhani, koncerti nis me një prolog që ndërthur motive nga krahina të ndryshme shqiptare, për të vazhduar me materiale të Jugut, Shqipërisë së Mesme, Kosovës, këngë qytetare, pjesë klasike, muzikë arbëreshe, si dhe këngë nga muzika e lehtë shqiptare.
“Kam krijuar një tablo të përgjithshme kombëtare duke zgjedhur me kujdes materiale tepër interesante autoktone, këngë e melodi të njohura qytetare, duke i përpunuar e aranzhuar ato për këtë formacion klasik-modern”, ka bërë të ditur Xhani në një përgjigje për KOHËN.
Në program janë përfshirë edhe dy këngë shumë të njohura amerikane, me qëllim respektimin e hapësirës kulturore ku zhvillohet koncerti dhe të publikut të pranishëm. Ky balancim mes autoktonisë dhe komunikimit ndërkulturor konsiderohet një nga shtyllat artistike të projektit.
“Të ruajmë karakterin dhe tiparet e muzikës sonë kombëtare është detyrë e çdo profesionisti në fushën e artit. Në këtë drejtim, po punojmë të gjithë si grup qe aktiviteti të dalë me sukses”, ka shtuar Xhani.
Koncerti pritet të sjellë rreth 20 materiale muzikore, duke u mbështetur si në traditën gojore, ashtu edhe në krijimtarinë profesionale të muzikantëve shqiptarë. Repertori përfshin vepra të njohura nga kompozitorë shqiptarë, si “Humoreska” nga Çesk Zadeja, “Flakë e borë” nga Tish Daija dhe “Mallëngjimi” nga Rauf Dhomi. Përveç tyre, në program janë në plan për t’u interpretuar edhe veprat “Baresha” e Rexho Mulliqit, “Kur xhirohej një film” nga Aleksandër Peçi, si dhe “Kur hëna del” nga Shaban Ratkoceri.
Nga krijimtaria e vet, Xhani ka përzgjedhur fragmente nga “EtnoMusical ‘Zare’”, “Fantazi për çifteli dhe orkestër” – një risi për këtë lloj formacioni – si edhe këngën e njohur “Doli goca n’penxhere”. Publiku do të dëgjojë edhe një pjesë klasike të kompozuar posaçërisht për këtë koncert, kushtuar mbretëreshës Teutë, nën autorësinë e violinistes amerikane, Megan Could.
Për shumë pjesëmarrës, koncerti konsiderohet nismë e rëndësishme për prezantimin profesional të muzikës shqiptare në SHBA.
“Fakti që për herë të parë zhvillohet një koncert i tillë në Amerikë, e bën edhe më tërheqës këtë aktivitet”, ka theksuar Xhani, duke nënvizuar se autoktonia dhe origjinaliteti janë udhërrëfyesit kryesorë të tij, pavarësisht nuancave stilistike të kohës.
Realizimi i aktivitetit është mbështetur edhe nga emra e institucione të njohura të komunitetit shqiptar në New York. Një ndihmesë e posaçme vjen nga fotografi i njohur, Fadil Berisha, i cili prej vitesh mbështet projekte muzikore e kulturore në diasporë. Është rikujtuar edhe nisma e tij në organizimin e koncertit recital të Aurela Gaçes, në nderim të Vaçe Zelës e Nexhmije Pagarushës, ku Xhani ishte drejtues artistik.
Përtej një ngjarjeje koncertale, pritet që mbrëmja të shërbejë si dëshmi e rolit që diaspora kulturore shqiptare po vazhdon ta mbajë në SHBA, një rol që ndërton ura, ruan traditën dhe e përçon atë në kontekste të reja publike.
“Aktivitete të tilla duhet të jenë më të shpeshta si në diasporë, ashtu edhe në vendlindjen tonë, Shqipëri, Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë e publik të huaj. Në këtë mënyrë, ne bëjmë detyrën tonë si artistë profesionistë që arti e kultura jonë të shfaqen me të gjitha vlerat, veçoritë dhe bukuritë e muzikës sonë kombëtare në nivel të lartë profesional kudo në botë”, ka përfunduar Xhani.
Në pritje të kësaj mbrëmjeje, koncerti i Manhattanit shihet si shembull i mënyrës se si muzika shqiptare mund të dialogojë natyrshëm me hapësirat ndërkombëtare, pa humbur burimin e vet. Për organizatorët, performuesit dhe publikun shqiptar të diasporës, është një rast për t’i dëgjuar rrënjët në një skenë globale. Ndërkaq, për të huajt, një ftesë për të zbuluar një trashëgimi muzikore që vijon të jetojë, të transformohet e të kërkojë skena të reja.