Si një gumëzhimë e bletës do të mund të konsiderohej zhurma që sopranoja franceze, Amélie de Broissia, bënte si fëmijë që ende s’i kishte marrë këmbët. Disa vite më vonë, kur shtrohej ushqimi në tavolinë, gumëzhinte edhe duke ngrënë. Babait të saj nuk i pëlqente.
“Ne nuk këndojmë kur jemi duke ngrënë”, i thoshte ai. Mirëpo, De Broissia nuk e bënte këtë me qëllim. Për të zhurma e saj ishte e pashpjegueshme. E kur u bë 11-vjeçe, nëna e saj e kuptoi që vajza ka vesh për muzikë dhe i pëlqente të këndonte. I propozoi t’i bashkohej korit. E pranoi këtë dhe historia që vjen më pas është një zbulim i talentit të saj pasi që Amélie de Broissia që atëherë nuk do të ndalej së kënduari. Kur kthehet prapa thotë se kishte një fëmijëri të lumtur. De Broissia, e cila në vegjëli jetonte në Meudon jo fort larg Parisit, së bashku me tri motrat e saj. Aty kishte ndjekur shkollën për t’u zhvendosur më pas në kryeqytetin francez, ku mori titullin bachelor për këndim dhe teatër, shkruan Koha Ditore.
Amélie de Broissia fillimisht nisi të këndojë në korin "Ile de France" nën drejtimin e Françis Bardot. Prej vitit 2006, mori mësime në këndimin lirik në Konservatorin "CRR" në Boulogne (Francë) me Nicole Fallien dhe Yva Barthélémy. Në 2013 u regjistrua në konservatorin "Jean Wiener" në klasën e prof. Robert Expert. Ka interpretuar e portretizuar shumë role si në teatër e operë.
Tingulli i natyrës
Zhurma që Amélie de Broissia bënte kur ishte e vogël ishte një imitim i tingujve që dëgjonte përreth. Edhe sot e asaj dite gjithçka që e rrethon është inspirim për të. Ka disa zhanre që i pëlqejnë. Atë, por të preferuar thotë se i ka tingujt e natyrës.
“Tinguj që mund të dëgjoj gjersa ec në natyrë. Madje edhe zhurmat në qytet janë një inspirim, zhurma gjersa gatuaj, zhurma e njerëzve duke ecur në rrugë, e ujit duke rrjedhur”, numëron De Broissia disa prej tyre. Për të muzika është diçka e natyrshme, një mënyrë e vjetër e komunikimit. Një gjuhë universale. “Zogjtë këndojnë, pothuajse të gjitha kafshët këndojnë. Kur jam e lidhur me këto, unë këndoj me zemër dhe lidhem edhe me zemrat e të tjerëve”, thotë ajo. Kur bëhet fjalë për muzikën klasike i pëlqejnë kompozimet e kohës së barokut. Të veçantë për të janë sidomos zërat e kontratenorëve. I pëlqen edhe jazzi, e veprat që e inspirojnë në veçanti janë ato të Pyotr Ilyich Tchaikovsky që i dhuroi disa perla muzikore periudhës së romantizmit dhe të mjeshtrit italian të periudhës së barokut, Antonio Lucio Vivaldi. Por edhe Wolfgang Amadeus Mozart është në listën e De Broissias... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)