Një skicë e rrallë nga Michelangelo, një studim për veprën e tij artistike në Kapelën Sistine, e cila ishte në pronësi private për shumë vjet, është shitur të enjten për 19.5 milionë euro në shtëpinë e ankandeve “Christie’s” në New York. Gdhendja e realizuar me shkumës të kuq është një prej rreth dhjetë vizatimeve të Michelangelos, që dihet se janë në pronësi private. U skicua si përgatitje për krijimin e këmbës së djathtë të figurës së Sibilës Libiane, në skajin lindor të tavanit të Kapelës Sistine. Shitja në ankand e tejkaloi për dhjetëfish shumën me të cilën pritej të shitej
Artisti i Rilindjes, Michelangelo, dihet se ka djegur shumë prej skicave të tij, për të fshehur “procesin e punës” prapa kryeveprave që realizoi. Prandaj kur shtëpia e ankandeve “Christie’s” u kontaktua nga një shitës me një vizatim të artistit të madh, ata e ekzaminuan veprën me shumë kujdes dhe zbuluan se ishte një skicë e një këmbe, e lidhur me “Sibilën libiane” të Michelangelos në tavanin e Kapelës Sistine në Vatikan.
Të enjten, ajo është shitur në ankandin në New York. Shuma: hiç më pak se 19.5 milionë euro. Blerësi: anonim si zakonisht. U llogarit se do të shitej për nja 1.5 deri në 2 milionë dollarë.
Gdhendja e realizuar me shkumës të kuq është një prej rreth dhjetë vizatimeve të Michelangelos, që dihet se janë në pronësi private. Ajo u skicua si përgatitje për realizimin e këmbës së djathtë të figurës së “Sibilës libiane”, në skajin lindor të tavanit të Kapelës Sistine.

“Te ‘Christie’s’ marrim dhjetëra propozime çdo ditë nga e gjithë bota për vlerësimin e veprave të artit. Shumë prej tyre rezultojnë të mos jenë asgjë e veçantë, por sigurisht disa prej tyre janë mjaftueshëm domethënëse që t’i marrim seriozisht. Një ditë, në fillim të pranverës së kaluar, pranuam një fotografi të një këmbe të vizatuar me shkumës të kuq, e kornizuar me një portret të një burri. Ajo iu dërgua specialistes sonë të vizatimeve në New York, Giada Damen, e cila e pa dhe menjëherë e kuptoi se ishte diçka vërtet e veçantë. Ajo telefonoi dorëzuesin dhe hipi në një avion për në Kaliforni për ta parë vizatimin nga afër. Dhe sigurisht, nga afër, ishte po aq emocionuese sa e kishte parë nga fotografia origjinale, dhe kështu e solli me vete në New York po atë natë. Më pas e dërgoi në Muzeun e Artit Metropolitan (Met), sepse vuri re se ishte një këmbë e lidhur me ‘Sibilën Libiane’ të Michelangelos në tavanin e Kapelës Sistine. Dhe në ‘Met’ ndodhet një vizatim, i cilësuar si vizatimi më i madh i Michelangelos në Amerikën e Veriut, për atë figurë, gjithashtu i realizuar në shkumës të kuq. Kështu, duke i krahasuar krah për krah, u bë shumë e qartë se po shikonim vizatim nga i njëjti artist. Vepra, apo më saktë vizatimi, më pas erdhi në Londër dhe u vlerësua nga studiues të ndryshëm këtu.
Përfundimisht u arrit një konsensus unanim për t’ia atribuuar Michelangelos. Pra, në thelb, është një këmbë e vizatuar nga Michelangelo për këtë figurë, ‘Sibilën Libiane’, që gjendet në këndin juglindor të tavanit të Kapelës Sistine”, deklaroi Andrew Fletcher, drejtues global i departamentit të mjeshtërve të vjetër të artit në “Christie’s”.
Piktura e kornizuar u ekspozua në shtëpinë e ankandeve “Christie’s” në Londër, në fund të vitit 2025, ku Fletcher ndau entuziazmin e tij për veprën.

“Ekzistojnë rreth 600 vizatime të Michelangelos sot, por në kohën e tij ai sigurisht ka vizatuar me mijëra sosh. Çdo figurë në tavanin e Kapelës Sistine do të ketë pasur disa vizatime përgatitore. Dhe siç tashmë dihet, në katër raste, ai ka djegur të gjitha vizatimet e tij. Prandaj shumë pak kanë mbijetuar. Për tavanin e Kapelës Sistine, ekzistojnë vetëm 50 vizatime dhe vetëm një, ai që gjendet prapa meje, është në pronësi private. Kjo është pra mundësia juaj e rrallë dhe e vetme për të blerë një pjesë të veprës më të madhe të artit të pikturuar ndonjëherë”.
Skica është në gjendje të shkëlqyer. Fletcher ua atribuon ruajtjen e saj pronarëve të kujdesshëm.
“Mendoj se kjo vjen nga fakti se ka kaluar nëpër shumë pak duar. Pra, mund të themi me një shkallë shumë të lartë sigurie se ka qenë në të njëjtën pronësi që nga shekulli i 18-të. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ruajtjen e një vepre arti. Sa herë që diçka hyn në treg, zakonisht diçka i ndodh asaj, qoftë pastrim, çfarëdo qoftë, apo edhe nëse rrëzohet, çfarëdo që të ndodhë. Nëse mbetet në të njëjtën pronësi, ka shumë më pak gjasa për dëmtim. Dhe mendoj se kjo është arsyeja pse vizatimi është në gjendje të kaq të mirë”.