Pasioni e entuziazmi janë “kriteret” e para për t’iu bashkuar punëtorisë “Skena” të kino “Armatës”. Ka të bëjë me krijimin e një skene, e cila për pjesëmarrësit mund të shndërrohet në “skenë” të hyrjes në botën e filmit. Mentorë janë emra të shquar të kinematografisë. “Kemi dashur ta lëmë te të rinjtë dhe të rejat, të cilët jo domosdo dhe aspak nuk duhet të kenë përvojë të mëparshme regjisoriale. Mjafton të kenë pasion, entuziazëm dhe të jenë të ngazëllyer që të bëhen pjesë e punëtorisë”, ka thënë Blerta Haziraj, koordinatore e programit të filmave në kinemanë “Armata”
“Skena” është titulluar punëtoria që hap dyert e nxënies dhe zhvillimit të njohurive e shkathtësive për filmbërje. Jo domosdo ata që synojnë punëtorinë duhet të kenë njohuri paraprake në fushën përkatëse a të kenë studiuar për të.
Nga kino “Armata”, e cila e organizon atë në kuadër të programit edukativ “Neo School”, kanë njoftuar se mjafton pasioni për të hyrë në botën e filmbërjes. Ngjarja kulmon me prezantimin publik të punëve të pjesëmarrësve, të cilët për afro njëzet ditë do të mentorohen nga kineastë të shquar të kinematografisë vendore.
Prej 2 deri më 20 mars synohet të krijohet një skenë e shkurtër filmi e fokusuar në dialog. Një a dy faqe skenar do të jenë si skelet i asaj se çfarë do të punohet dhe jo gjithsesi duhet të jetë i përfunduar, por si lehtësim i përzgjedhjes së atyre që do të marrin pjesë.
Koordinatorja e programit të filmave në kinemanë “Armata”, Blerta Haziraj, ka theksuar se këta pjesëmarrës mjafton të kenë pasion për të krijuar një film.
“Kemi dashur ta lëmë te të rinjtë dhe të rejat të cilët jo domosdo dhe aspak nuk duhet të kenë përvojë të mëparshme regjisoriale. Mjafton të kenë pasion, entuziazëm dhe të jenë të ngazëllyer të bëhen pjesë e punëtorisë”, është shprehur ajo.
Programi edukativ “Neo School” i “Armatës” me këtë punëtori ka marrë kah tjetër.
“Kjo është hera e parë që përbrenda ‘Neo School’ programi i filmbërjes dedikohet për filma fiksion, sepse përherë ka qenë për dokumentarë ose për fotografi dokumentare. Arsyeja pse sivjet kemi vendosur ta ndërrojmë është si ndryshim i vogël prej asaj çfarë më parë është bërë, por edhe si mundësi për të eksploruar forma të reja të asaj sesi pjesëmarrësit mund të eksplorojnë rrëfimin e tyre përmes kinemasë. Ideja është që këtë herë të fokusohemi vetëm te ndërtimi i një skene të vogël”, ka treguar Haziraj.
Aktiviteti do të orientohet në zhvillimin e aftësive kinematografike përmes punës praktike dhe bashkëpunimit grupor nën mentorim profesional gjatë të gjitha fazave të zhvillimit të projektit.
Mentor kryesor është regjisori Visar Morina, filmi më i fundit i të cilit, “Shame and Money”, pati premierën të dielën në festivalin me nam në botën e kinematografisë “Sundance Film Festival” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai i shoqëron studentët prej idesë fillestare te zhvillimi i skenarit e deri te xhirimi i fundit. Për pesë ditë, pjesëmarrësit do të mund të marrin leksione nga ligjëratat e regjisorit Morina.
Mentori teknik për kamerë, ndriçim dhe zë do të jetë kinematografi Leart Rama, i cili do t’i njoftojë studentët me mjetet, teknikat dhe proceset e punës në produksion filmik. Menjëherë pas pjesëmarrjes së tij në “Berlinale Talents” vjen para pjesëmarrësve që synojnë karrierë në filmbërje. Mentor i montazhit do të jetë Enis Saraçi, montazher i shumë filmave të suksesshëm nga vendi. Përpos një ditë ligjërate e veçantë, Saraçi do ta mbikëqyrë punën e të gjithë pjesëmarrësve në fazën e montimit të skenës së filmit të tyre.
Regjisori Kushtrim Haxha do të jetë mbikëqyrës i kamerës dhe setit. Ai do të udhëzojë dhe do të trajnojë pjesëmarrësit duke dhënë udhëzime dhe këshilla gjatë gjithë procesit. Pra, pjesëmarrësit mësojnë gjatë gjithë kohës që kryejnë detyrat e tyre, nga profesionistë e figura të shquara nga segmentet përkatëse të krijimit të një filmi.
Ndryshe nga ekipi realizues, që do të jetë krejtësisht i ri dhe nën mbikëqyrje, kasti për secilin projekt parashihet të ndërtohet prej aktorëve profesionistë.
“E kemi lënë të hapur derisa të përzgjidhen projektet varësisht prej moshës së personazheve që zgjedhin pjesëmarrësit. Aktorët do të jenë profesionistë, por varet prej pjesëmarrësve, mund edhe të mos jenë aktorë profesionistë, plot regjisorë e zgjedhin këtë opsion. Do t’i zgjedhin së bashku me Visarin dhe Leartin, varësisht se si u konvenon. Një kast e kemi patjetër dhe do të mund të zgjedhin prej tyre”, ka thënë Blerta Haziraj.
Fazat kryesore të procesit nisin me idenë fillestare dhe analizën dramaturgjike te zhvillimi i personazheve e më pas shkrimi dhe rishkrimi i dialogëve. Më tej vjen faza e xhirimit e më pas i montimit të materialeve. Hapësirat e kinemasë do të jenë sheshxhirimi i vetëm i pjesëmarrësve.
Procesi i këtij programi do të kulmojë me shfaqjen publike të punës së realizuar, përcjellë me diskutim me regjisorët.
“Pasi mbaron editimi e kemi një shfaqje publike të të gjitha skenave. Do të ketë edhe bashkëbisedim të të gjithë pjesëmarrësve në këtë projekt, me publikun. Ky do të jetë produkti final. ‘Neo School’ ka pasur studentë që tash janë regjisorë me karrierë, prandaj si formë alternative e nxënies së njohurive kinematografike mund të jetë shumë e përshtatshme për diku, prandaj nuk e kemi limituar thirrjen vetëm në studentë të Fakultetit të Arteve”, ka thënë Haziraj.
Ky është veç një ndër aktivitetet e ngjarjet që organizon “Armata”. Disa prej tyre janë risi e programit, ndërsa ka edhe prej tyre që janë bartur nga vitet e kaluara.
“Ka shumë programe të reja dhe ato që vazhdojnë të jenë pjesë e programit si vazhdimësi e viteve të kaluara. Është Muaji i Filmit Evropian, edhe një film do të shfaqet në shkurt. Pastaj ka programe të reja si ‘Armata klasike’ që sjell filma klasikë të cilët e kanë shënuar kinematografinë botërore, filmat veçse kanë nisur të shfaqen. Program tjetër është ai për fëmijë, i cili po sjell prindër e mësues bashkë me fëmijët. Këtë të diel shfaqet filmi i tretë”, ka bërë me dije Blerta Haziraj, duke theksuar edhe aktivitetet e klubit të filmit “Kineto”.
“’Armata Shorts’ ndërkohë po zhvillohet duke shfaqur filmat e shkurtër vendorë, ‘DokuMondays’ dhe shumë të tjera. Klubi i filmit ‘Kineto’ zhvillon takimet aty dy herë në javë, të martën dhe të enjten. Një ditë shikohen filmat e pastaj flitet për filmat dhe zgjidhet filmi për javën tjetër. Risi është që po bëhet edhe një buletin mujor për përshtypjet e tyre për filmat. Dy numrat janë shkruar prej Ardit Dragushës”, ka thënë ajo.
Afati për të aplikuar në punëtorinë për filmbërje është deri më 10 shkurt dhe pritet të përzgjidhen deri në pesë pjesëmarrës.
Programi “Skena” vjen si hapësirë për mësim dhe zhvillim të aftësive kinematografike që nis me skenën si njësi themelore e kinemasë.