Kulturë

Simboli i artit që nuk vdes kurrë

Kur për herë të tretë m’u dha rasti të shkoja në Pagarushë, ishte vera e 1998-s. 

Me të arritur afër shkollës, aty shumë afër lëndinës së fshatit, sytë m’i morën nja 40 mijë njerëz që ishin grumbulluar në kërkim të shpëtimit. Ishin larguar nga dhuna e policisë serbe që sistematikisht shkatërronte fshatrat e Suharekës. 

Nuk e di nëse ka qenë rezistenca e trurit tim ndaj së keqes ajo që bëri ta përjetoja njërin nga çastet më të çuditshme në jetë. Para vetes kisha pleq, gra, fëmijë nën çadra të najlonit, që po rrinin të rrethuar nga gjelbërimi dhe drunjtë që u bënin hije, në një qetësi tmerruese ogurzezë, shkruan sot Koha Ditore.

Me një çast i mbylla sytë, thuajse kërkoja prehje. I rëndë ishte përjetimi i të qenit dëshmitare e poshtërimit që i bëhej popullatës së pambrojtur. Dhe sikur në film, pa pra nisën të më vinin tingujt e parë të një kënge të cilën e kisha dëgjuar si fëmijë dhe të cilën e doja pa masë, sepse babai im e këndonte shumë bukur. 

Por s’ishte zëri i babit ai që e dëgjoja. Ende symbyllur shihja se si para meje shpalosej një orkestër e tërë simfonike e një kor i madh, që të gjithë në hije, e në mesin e tyre një grua e bukur, sygjelbër, me tesha kombëtare e flokë të zinj, e ndriçuar nga drita, tek këndonte: “Një lule që m’ka çil tash”. 

Përnjëherë pashë se si gjelbërimi bëhej më intensiv dhe si e gjithë fusha mbushej me lule, simbole të një jete më të bukur. Tash e di se ai reagim i çastit, ajo ndjenjë mbarësie për të cilën kisha pasur aq shumë nevojë, ndodhi për shkak se kjo po ngjante në vendlindjen e zonjës Nexhmije Pagarusha. 

Pagarusha i shpëtoi 40 mijë njerëz, të cilët dikur iu kthyen vendeve të veta. Por, përfundimisht, Pagarusha do të mbahet mend përherë si vendi që Kosovës ia fali artisten muzikore më të madhe që ka pasur ndonjëherë. 

(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)