Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shteti në tentativën e radhës për ngjalljen e dy monumenteve me OJQ

Kulla e Ministerit në Pejë, është monument i rëndësishëm, i ndërtuar në vitet ‘30 të shekullit të kaluar nga beu lokal, Shasivar Beu

Kulla e Ministerit në Pejë, është monument i rëndësishëm, i ndërtuar në vitet ‘30 të shekullit të kaluar nga beu lokal, Shasivar Beu

Lista e monumenteve të restauruara me para të shtetit por që mbahen nën dry është e gjatë. Tentativat për t’i funksionalizuar me organizata joqeveritare numërohen në gishta por Ministria e Kulturës nuk po heq dorë nga kjo strategji. Tash ia ka mësyrë që t’i ngjallë Kullën e Ministerit në Pejë dhe Tabhanen në Gjakovë. Institucioni më i lartë kulturor në vend ofron deri në 60 mijë euro në vit për ata që kanë ide dhe janë të zotë t’i mbajnë “gjallë” monumentet. Por sipas njohësve të kësaj fushe përdorimi i qëndrueshëm publik, në praktika ndërkombëtare, stimulohet dhe nuk dizajnohet kësisoj

Ministria e Kulturës nuk po heq dorë së provuari një nismë që, pavarësisht disa tentimeve, ka dhënë rezultate minimale: të funksionalizojë monumentet nëpërmjet organizatave joqeveritare. Institucioni më i lartë kulturor në vend, viteve të fundit ka restauruar një numër të konsiderueshëm të monumenteve, por i mban në dry. Janë të pavizitueshme. Tash tenton që Kullën e Ministerit në Pejë dhe Tabhanen në Gjakovë t’i funksionalizojë nëpërmjet organizatave joqeveritare. Për Kullën e Ministerit është tentimi i tretë, pas atij të vitit 2024 dhe 2025.

Institucioni më i lartë kulturor në vend ofron deri në 60 mijë euro në vit për ata që kanë ide dhe janë të zotë t’i mbajnë “gjallë” monumentet. Pos Muzeut të Burgut të Prishtinës, “Burgu i Idealit”, dhe “Hidroelektranës” në Prizren, Ministria s’ka pasur sukses me asnjë prej nismave tjera. S’ka gjetur organizatë joqeveritare madje as për Kalanë e Prizrenit e parkun arkeologjik “Ulpiana”. Shpallje të tilla ka pasur edhe për Kullat e Isa Boletinit e Shtëpinë e Katarina Josipit në Zym të Hasit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Qëllimet e kësaj thirrjeje janë: funksionalizimi i qëndrueshëm i monumenteve të trashëgimisë kulturore; zhvillimi i modeleve të menaxhimit aktiv të aseteve të trashëgimisë; promovimi i trashëgimisë kulturore përmes aktiviteteve kulturore, edukative dhe zhvillimore; rritja e përfshirjes së komunitetit dhe zhvillimi lokal përmes përdorimit të qëndrueshëm të monumenteve”, shkruhet në thirrjen e hapur të martën, ndërsa afati i aplikimit është 20 ditë.

Synohet zhvillimi i turizmit kulturor përmes integrimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore në ofertat turistike dhe rritjes së vizitueshmërisë së tyre në mënyrë të qëndrueshme. Sipas thirrjes, funksionalizimi nënkupton përdorimin e qëndrueshëm publik të monumenteve përmes aktiviteteve kulturore, edukative dhe zhvillimore, duke ruajtur integritetin fizik dhe vlerat e trashëgimisë kulturore. 
Por përdorimi i qëndrueshëm publik, në praktika ndërkombëtare, stimulohet dhe nuk dizajnohet kësisoj. Gjenden forma që monumenti të realizojë të hyra monetare në mënyrë që të vetëmbahen, e jo që shtetit t’i bëhet barrë edhe funksionimi në kuptimin financiar.

Thirrja kërkon që aplikuesit të demonstrojnë përdorimin e praktikave më të mira bashkëkohore në menaxhimin dhe funksionalizimin e aseteve të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë qasje inovative, modele të qëndrueshme të operimit dhe respektim të standardeve ndërkombëtare për ruajtjen dhe interpretimin e trashëgimisë kulturore. Sipas thirrjes, projektet duhet të zbatohen në përputhje me legjislacionin për trashëgiminë kulturore, kushtet e mbrojtjes dhe konservimit, si dhe vendimet dhe pëlqimet e institucioneve kompetente.

Përfituesi, sipas thirrjes, mban përgjegjësi të plotë për aktivitetet e realizuara, është i obliguar të mos ndërhyjë në strukturën e monumentit pa autorizim dhe është përgjegjës për çdo dëmtim eventual të monumentit që rezulton nga zbatimi i projektit. Për OJQ-të konkurruese kërkohen disa kritere ligjore dhe duhet të dorëzohet plani i menaxhimit dhe funksionalizimit të monumentit në mënyrë sa më të kompletuar. Financimi nga 20 mijë deri në 60 mijë euro në vit bëhet çdo vit kalendarik për tre vjet radhazi.

Tabhanja në Gjakovë është aset ku shteti ka investuar dy herë për ta rindërtuar

Udhëheqësi i Fondacionit Kosovar për Trashëgimi Kulturore pa Kufij “CHwB Kosova”, Sali Shoshi, ka thënë se është shumë mirë që Ministria e Kulturës mundohet të gjejë strategji për t’i dhënë në shfrytëzim monumentet dhe të gjenden organizata që i shfrytëzojnë. Por, sipas tij, tentimet duhet të dizajnohen pak më ndryshe.

“Ky mund të jetë njëfarë bashkëfinancimi. Mendoj që duhet edhe kriteri që OJQ-të që operojnë aty të kenë kontribut, të sigurojnë fonde shtesë, por edhe funksionimi i tyre të ketë benefit për publikun. Duhet të synohet që pas disa vjetësh fondet e Ministrisë të zvogëlohen e ato të organizatës që e funksionalizon një monument të rriten, në mënyrë që të arrihet një vetëqëndrueshmëri”, ka thënë ai.

Sipas Shoshit, për këto gjëra Ministria e Kulturës duhet të mendohet më herët, pa nisur restaurimin e konservimin e një monumenti.

“Në raste të tjera, MKRS para se të nisë restaurimin, ta shtrojë pyetjen se kujt do t’i shërbejë monumenti. E kjo të bën t’i takosh hisedarët dhe mandej t’u përgjigjesh nevojave të tyre. Kjo duhet t’u paraprijë investimeve”, ka thënë ai.

Fondacioni që udhëheq Shoshi ka intervenuar në ish-shkollën e muzikës në Pejë. Tash hapësirat shfrytëzohen nga dy organizata me renome të këtij qyteti, e po ashtu që kanë goxha aktivitet edhe ndërkombëtar.

Në vitin 2024 Ministria e Kulturës është marrë vesh me Ministrinë e Bujqësisë, si pronare të Kullës së Ministerit, që ta shfrytëzojë atë për 10 vjet. Kulla e Ministerit është restauruar në kuadër të programit

“Trashëgimia kulturore si nxitëse për dialog ndërkomunitar dhe kohezion shoqëror”, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian – Zyra në Kosovë, Ministria e Kulturës dhe zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) – Zyra në Kosovë. Është monument i rëndësishëm, i ndërtuar në vitet ‘30 të shekullit të kaluar nga beu lokal, Shasivar Beu, por që në kohën e monizmit ka kaluar në shfrytëzim të pushtetarëve të kohës për t’u shtetëzuar më pas.

E Tabhanja në Gjakovë është aset ku shteti ka investuar dy herë për ta rindërtuar. Më 2024, pa u bërë një vit prejse ndërtesa e ish-Muzeut të Muzikës në Gjakovë, e njohur si “Tabhane”, ishte shkrumbuar, Ministria e Kulturës kishte vendosur që të paguajë afro 400 mijë euro për ta rindërtuar. Dhe këtë e ka bërë. E ka rindërtuar me 382 mijë e 786 euro.

Ndërtesa që gjendet në qendër të Gjakovës ishte inauguruar në vitin 2016. Asokohe ishte menduar që kati përdhes t’i jepej në shfrytëzim ndonjë sipërmarrësi, në këmbim që poseduesi i biznesit të kompensonte mirëmbajtjen e muzeut. Disa herë institucionet lokale kanë dështuar të gjejnë operator për ta shfrytëzuar hapësirën.

Muzeu i Muzikës në Komunën e Gjakovës, i inauguruar para jo më shumë se nëntë vjetësh, qysh në janar të vitit 2023 ishte buzë demolimit të tërësishëm në hapësirat e brendshme. Dyer të thyera e të rrëzuara përtokë, dritare të shkëputura komplet nga muret e ndërtesës, mbeturina të shpërndara dhe shkallë të papërfunduara ishin pamjet që e karakterizonin muzeun.

Në objektin që më parë u kishte bërë strehë veglave të ndryshme muzikore, si sharkisë së Ymer Rizës, harmonikës së gjurit të Malush Stubllës apo kontrabasëve të shoqërive kulturore “Hajdar Dushi” e “Ganimete Tërbeshi”, mund të shihej një katrahurë, tollovi e bërllok. Banorët lokalë kishin thënë se qe shndërruar në çerdhe të narkomanëve. Gjendje më e mirë nuk ishte as në oborr e as në katin përdhes, ku ishte paraparë të hapej një kafene, pronari i së cilës ishte i obliguar ta mirëmbante edhe Muzeun e Muzikës. Si pasojë e riparimeve për rikonstruktimin e këtij objekti, një pjesë e murit të muzeut ishte thyer plotësisht dhe kështu nuk kishte mbetur asnjë pengesë që të ndalonte hyrjen apo që do të mbronte hapësirat e brendshme. Në vitin 2012, objekti ishte ndërtuar nga Ministria e Kulturës me qëllimin që të shndërrohej në muze të muzikës popullore.