Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shtëpia e Kulturës në Runik drejt hapit të restaurimit dhe funksionalizmit

Instituti i Kosovës pë

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka miratuar projektin e detajizuar për ndërhyrje në Shtëpinë e Kulturës në Runik të Skenderajt. Pas krejt telasheve dhe insistimit të Komunës së Skenderajt që ta bëjë rrafsh me tokë, tash pritet që Ministria e Kulturës të hapë thirrjen publike për punëkryes (Në foto: Imazh nga projekti për Shtëpinë e Kulturës në Runik)

Monumenti që i shpëtoi rrafshimit, e që për vite me radhë u la në harresë përkundër historisë së bujshme, tashmë ka edhe projektin detaj të restaurimit e funksionalizimit. Shtëpia e Kulturës në Runik synon të shndërrohet në një shenjë dalluese jo vetëm për fshatin. “Perdet e kuqe të skenës së Shtëpisë së Kulturës, që dikur hapeshin për këngë, teatër, tregime dhe ëndrra. Sot jemi edhe një hap më afër që ato të hapen përsëri. Dhe bashkë me to, të tregojmë kush jemi ne dhe sa të mëdha janë ëndrrat tona”, ka thënë artisti me nam botëror, Petrit Halilaj

Projekti për restaurimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik të Skenderajt ka marrë “vizën” për t’ia nisur punës praktike. Tash e gati tri dekada si rrënojë, Shtëpia që dikur mblidhte komunitetin lokal për ngjarje kulturore, është para nisjes së punimeve për ta restauruar dhe kthyer në një qendër multifunksionale të kulturës.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka miratuar projektin e detajizuar për ndërhyrje në këtë monument. Pas krejt telasheve dhe insistimit të Komunës së Skenderajt që ta bëjë rrafsh me tokë, tash pritet që Ministria e Kulturës të hapë thirrjen publike për punëkryes.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ky vendim shënon një moment të rëndësishëm në një proces të gjatë pune dhe bashkëpunimi. Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila është mbështetësi dhe financuesi kryesor i këtij projekti përmes fondeve publike, si dhe për ekipin e Ministrisë për përkushtimin dhe përgjegjësinë në avancimin e këtij procesi të rëndësishëm për trashëgiminë kulturore”, shkruhet në njoftimin e fondacionit “Hajde”. Fondacioni i themeluar nga artisti nga Runiku, por me nam botëror, Petrit Halilaj, ka njoftuar se i është bashkuar këtij procesi duke ofruar mbështetje shtesë dhe duke kontribuuar në mënyrë simbolike në përfshirjen e “ARS Atelier”, të cilët kanë ndjekur dhe monitoruar me përkushtim punën e shkëlqyer të “ALB Architects” gjatë zhvillimit të projektit.

“Fondacioni ‘Hajde’ po ashtu falënderon Komunën e Skenderajt, me të cilën presim bashkëpunim të ngushtë për integrimin e këtij projekti në zhvillimin urban të Runikut dhe në strategjitë kulturore dhe zhvillimore të komunës në të ardhmen”, shkruhet në njoftim. Fondacioni njofton se janë të përkushtuar që këtë projekt ta çojnë deri në fund, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet dhe komunitetin.

Në korrikun e vitit 2023, Komuna e Skenderajt në emër të transformimit të zonës kishte nisur shembjen e ndërtesës. Kishte qenë artisti Petrit Halilaj në emër të fondacionit “Hajde”, që asokohe kishte zhvilluar takime me autoritetet qendrore dhe lokale. Kishte ndërmjetësuar që Shtëpia e Kulturës në Runik të jetë një qendër kulturore (Foto: KOHA)

“Ëndrra jonë është që Shtëpia e Kulturës në Runik të bëhet një hapësirë e gjallë për komunitetin, për artin, edukimin dhe takime të reja, duke e lidhur Runikun dhe rajonin e Drenicës me skenën kulturore ndërkombëtare. Ky projekt është për Runikun, për historinë e tij dhe për të ardhmen e tij”, shkruhet në njoftim.

E Petrit Halilaj që ia ka dërguar muzeve më prestigjioz në botë rrëfimet e Runikut, ka thënë se Shtëpisë së kulturës po ia kthejnë perdet e kuqe.

“Perdet e kuqe të skenës së Shtëpisë së Kulturës, që dikur hapeshin për këngë, teatër, tregime dhe ëndrra. Sot jemi edhe një hap më afër që ato të hapen përsëri. Dhe bashkë me to, të tregojmë kush jemi ne dhe sa të mëdha janë ëndrrat tona”, ka thënë Halilaj. 

Fondacioni “Hajde” kishte marrë përsipër që të zhvillojë procedurën e projektimit dhe rifunksionalizimit të Shtëpisë së Kulturës. Projektit ideor i realizuar nga “Ars Atelie” është prezantuar në gushtin e vitit 2024.

Kishte qenë juria, në përbërje të sociologes Donjetë Murati, arkitektes Florina Jerliu, arkitektit Jürgen Mayer, që e kishte vlerësuar si më të mirin projektin ideor të “Ars Atelie” e të dytin atë të “Dieform”. Kur u prezantua projekti fitues, juria ndër të tjera kishte vlerësuar se “propozimi respekton kujtesën kolektive dhe strukturën origjinale historike që ka mbetur nga Shtëpia e Kulturës së Runikut, duke e plotësuar me dimensione të reja që lehtësojnë mënyra bashkëkohore të ndërveprimit”.

Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Shtëpia e Kulturës në Runik funksiononte si bibliotekë me 7.000 libra, me teatër, si dhe kooperativë bujqësore. Qe aktive deri në vitet ’90, kur objekti u mbyll. Gjatë luftës ishte zhveshur nga përmbajtja e saj. Qe e harruar deri në vitin 2018, kur artisti me famë botërore Petrit Halilaj për disa ditë e ringjalli me projektin artistik “Shkrepëtimë”. Pak kohë më vonë, shteti u kujtua ta merrte në mbrojtje si objekt i mbrojtur i trashëgimisë kulturore. Tash, pret një kapitull të ri: atë të ringjalljes si monument tok me kujtimet dhe potencialin në ditët e sotme.

Por në vitet e fundit monumenti qe përballur me dy agresione nga Komuna e Skenderajt.

Në majin e vitit 2025 mjetet e rënda të punës e kishin rrethuar Shtëpinë e Kulturës. Krejt afër këtij monumenti qe shtruar edhe një pllakë e betonit. Krejt kjo ishte bërë pa lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore, megjithëse Shtëpia e Kulturës tash e gati tetë vjet e gëzon statusin e monumentit. Bëhej fjalë për një projekt të Komunës së Skenderajt për një kompleks lokalesh dhe rregullimin e hapësirës publike në atë pjesë. KOHA menjëherë kishte raportuar për këtë rast dhe të nesërmen Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i kishte ndalur punimet.

Paraprakisht në korrikun e vitit 2023 Komuna e Skenderajt në emër të transformimit të zonës kishte nisur shembjen e ndërtesës. Kishte qenë artisti Petrit Halilaj në emër të fondacionit “Hajde”, që asokohe kishte zhvilluar takime me autoritetet qendrore dhe lokale. Kishte ndërmjetësuar që Shtëpia e Kulturës në Runik të jetë një qendër kulturore. Dhe ia kishte arritur. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, do të nënshkruanin marrëveshje për bashkëfinancim të projektit. Por kanë qenë qasjet e kundërta për monumentin që kishin përplasur Komunën me Ministrinë. E para ia mësyu me ekskavator kur i kishin mbetur dhjetë ditë që ta shënonte pesëvjetorin si monument, në korrikun e 2023-s. Asokohe e prerë kishte qenë Ministria e Kulturës në reagim. Kishte konfirmuar se po bëhej fjalë për ndërhyrje të jashtëligjshme, njësoj siç kishte bërë edhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e Mitrovicës. Sipas Memorandumit ndërinstitucional shuma që do të investohet shkon në 850 mijë euro.