Kryetari i tanishëm i Prishtinës, Përparim Rama, është i radhës që Prishtinën e bën me shtatore të heroit kombëtar Adem Jashari, tash me konkurs ndërkombëtar, pa lokacion, por edhe me ndihmën e Inteligjencës Artificiale. Qysh më 2019 shtatores i ishte caktuar lokacioni, në pranverën e vjetme qe festuar inaugurimi i saj më 28 Nëntor, por shtatorja ende nuk është kurrkah. Sipas komunitetit artistik, institucionet duhet të jenë të kujdesshme në raste të tilla
Historia e tentimeve për të vendosur një shtatore të Adem Jasharit në Prishtinë është e vjetër. Po aq edhe dështimet për këtë synim. Një vendim për lokacion qe marrë më 2019. Vjet në pranverë një grup asamblistësh të Prishtinës paralajmëruan se shtatorja do të vendosej në kryeqytet më 28 Nëntor, në Ditën e Flamurit. Realisht shpesh ka tingëlluar si garë se kush po ia del ta konkretizojë këtë nismë. Vjet Komuna kishte paraparë edhe buxhet për këtë shtatore.
Episodi i radhës ka vazhduar të mërkurën. Në kuadër të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë një deklaratë të stilit të tij. Ka paralajmëruar konkurs ndërkombëtar për shtatoren e heroit kombëtar. Këtë e ka bërë pa pasur asnjë cent të paraparë për këtë projekt për këtë vit e po ashtu pa përmendur lokacion konkret. Ka përmendur buxhetin e vitit të kaluar kur Komuna kishte paraparë 200 mijë euro për këtë projekt.
“Ne kemi ndarë buxhetin për këtë edhe vitin e kaluar. Ishim të gatshëm ta shtyjmë përpara monumentin e heroit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, por ishim në diskutim edhe me familjen e heroit legjendar për vendosjen e monumentit, dhe tash kemi vendosur që ta shpallim një konkurs ndërkombëtar, që me siguri do të bëhet sot...”, ka deklaruar ai paraditen e së mërkurës.

Monument edhe me Inteligjencë Artificiale
Konkursi deri në orarin zyrtar nuk është hapur. Kryetari Rama ka thënë se do të kërkojnë nga arkitektë, artistë e historianë të punojnë bashkë për të prezantuar “ide të ndryshme se si do të duket monumenti i ndërlidhur me peizazh, por edhe për propozimet për lokacionet e ndryshme që mendojnë arkitektët, artistët e historianët se do të ishin të përshtatshme për këtë monument”. Krejt kjo ka tingëlluar goxha mirë për artistët kosovarë. Sa i përket lokacionit nuk ka qenë i prerë.
“Sheshi ‘Adem Jashari’ e ka emrin, mirëpo nuk domethënë domosdoshmërisht që me qenë monumenti aty, për arsye se heroizmi, liria të cilën e ka sjellë heroizmi i aspektit monumental i Adem Jasharit me gjithë familjen që kanë dhënë jetën për këtë vend, do të thotë se ata janë në secilin cep të vendit tonë”, ka thënë ai. Sheshi “Adem Jashari” është zona ku ndodhet ai që njihet si monumenti i “Bashkim-Vllaznimit”. Sipas Ramës, ideja është që shtatorja të jetë e vendosur në një hapësirë që ka qasje të drejtpërdrejtë të qytetarëve.
“Duhet përdor për shembull teknologjinë e re, Inteligjencën Artificiale, për të treguar historinë se çka ka ndodhur. S’duhet të jetë monument klasik, por të jetë diçka shumë e avancuar që ndërlidh të kaluarën, të tashmen dhe e projekton të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë Rama.
Sa i përket lokacionit, në nëntor të vitit 2019, kur Komuna udhëhiqej nga kryetari Shpend Ahmeti, Kuvendi Komunal kishte marrë vendim që ai të jetë midis ndërtesës së Qeverisë dhe asaj të Kuvendit të Kosovës.
“Miratohet vendimi për vendosjen e shtatores së Komandantit legjendar Adem Jasharit në cepin e hapësirës së ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në Prishtinë”, shkruhej në vendimin e marrë më 7 nëntor të vitit 2019. Sipas numrit të ngastrës kadastrale, bëhet fjalë për cepin midis dy institucioneve që kufizohet me bulevardin “Nënë Tereza”, afër shtatores së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Vitin e kaluar asamblistët e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës bashkë me ish-nënkryetaren e kryeqytetit, Donjeta Sahatçiu, kishin proklamuar se shtatorja do të jetë gati për 28 nëntorin e atij viti, ditë që pos festës kombëtare njihet edhe si ditëlindja e heroit Adem Jashari. Në këtë “lojë” qe inkuadruar edhe kryetari i PDK-së, ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, i cili postoi edhe video në rrjete sociale duke paralajmëruar shtatoren. Krejt kjo përfundoi si shumë iniciativa të tjera duke dështuar.
Së pari infrastruktura, pastaj shtatorja
Por sipas disa artistëve, institucionet duhet të jenë të kujdesshme në raste të tilla. Skulptori e profesori universitar Adem Rusinovci ka thënë se deklarata e së mërkurës e kryetarit Rama është superiore në aspektin politik.
“Shumë deklaratë inteligjente pasi nuk do shtatore si nëpër qytete të tjera të Kosovës. Nëse qasja e tij është postmoderniste, ashtu siç po thotë, infrastruktura duhet të jetë shumë postmoderne. Shpresoj ta bëjë një pjesë të Prishtinës ashtu. Në një vend të tillë mund të vendoset një shtatore që tregon rrëfimin e Adem Jasharit dhe familjes së tij”, ka thënë ai. Sipas tij, për krejt këtë duhet goxha debat e punë.
“Për këtë figurë duhet ndërtuar infrastruktura e pastaj të vendoset. Mendoj se është më mirë të vonohet e të mos bëhet sikur në vendet e tjera. Duhet ta thërrasë komunitetin e artistëve e të arkitektëve që ta diskutojnë këtë punë. Të bëhet njëfarë afati dhe të konceptohet gjithçka”, ka thënë Rusinovci.
Artisti Zeni Ballazhi kur ka folur për konkursin, ka thënë se fillimisht duhet ndjekur disa hapa.
“Si fillim do të duhej pasur parasysh një diskutim publik rreth tematikave apo rreth personaliteteve dhe sa janë ato të përshtatshme për hapësira publike duke pasur parasysh lokacionin, vendin se ku do të vendosen dhe ҫfarë do të vendoset aty. Rëndësia e skulpturës në hapësirë është në raport ndërmjet objektit si skulpturë dhe hapësirës si ambient”, ka thënë Ballazhi. Por para shpalljes së konkurseve, sipas tij, duhet të paraprijë diskutimi publik. Sipas tij, për të përpiluar apo përmbushur kriteret e një konkursi do të duhej të bëhej publike atëherë kur të jenë diskutuar dhe arritur të gjitha pajtueshmëritë e mundshme profesionale.
“Pastaj më e rëndësishme dhe përshtatshme do të ishte të gjendet një hapësirë publike sipas konceptit ku do të vendoset një monument në përmasa ambientale, i cili do të përmbajë jo pamjen fizike të një heroi apo dëshmori kombëtar, por të përmbajë pamjen e brendshme (shpirtërore) të këtij heroi apo dëshmori kombëtar. Ndjenjën, emocionin, dëshirën apo dashurinë e brendshme të tij për lirinë e vendit të tij në një realitet të ri. Një aftësi për të ngarkuar emocionalisht dhe evidentuar imazhet nga koha dhe vendi ku jetohet”, ka thënë ai.
Hapat që propozon Ballazhi rëndom nuk janë ndjekur në konkurse të deritanishme. Ndër vite disa artistë vendorë jo rrallë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në raport me shtatoret e pasluftës shkaku se shumica janë të stilit të realizmit socialist dhe jo vetëm. Midis tyre ndër më të zëshmit ka qenë skulptori tashmë i ndjerë Luan Mulliqi. Anëtari korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në tetor të vitit 2016 në një intervistë për “Koha Ditore” kishte thënë se pothuajse për çdo shtatore ka ndonjë debat.
“E kam fjalën për çdo shtatore që është jashtë realizmit socialist. Sa i përket realizmit socialist ne i kemi çuar duart të gjithë, sepse është bërë në një kohë të betejës së shesheve dhe në një kohë kur nuk janë pyetur aspak artistët profesionalë. Kryesisht është bërë një formë e çuditshme e përzgjedhjeve nëpërmjet të ashtuquajturve tenderë”, kishte thënë ai. Sipas Mulliqit, i cili vdiq vjet, krejt kjo është anakronike, sepse importimi i realizmit socialist është bërë pikërisht në kohën kur Tirana e kishte dëbuar realizmin socialist.
“Mirëpo ja që e kemi nivelin e disa njerëzve që kanë vendosur e të cilët e kanë një logjikë të nacionalizmit folklorik. Duke mos marrë vesh në këto gjëra ata na kanë sjellë në një situatë kur i kemi sheshet e mbushura me realizëm socialist. Kemi rastin te shtatorja e presidentit Rugova. Ai ka qenë ndër të parët që e ka kritikuar realizmin socialist, kurse pikërisht shtatorja e tij është bërë me shumë elemente të realizmit socialist. Pra, është diçka shumë anakronike”, kishte thënë, midis të tjerash, ai. Në vitin 2007 ai kishte punuar një bocetë me titull “Kjo tokë ka zot” ku paraqitej Adem Jashari. Në këtë rast Mulliqi e kishte paraqitur heroin me një armë në dorë por pa vija reale të trupit, ashtu siç edhe i ka shtatoret për personalitete të tjera.