Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shpata mesjetare – dëshmi e kohëve të trazuara në Poloni

Megjithëse aktualisht nuk ka prova që e lidhin drejtpërdrejt shpatën me ndonjë ngjarje historike konkrete, origjina e saj tregon për një epokë kur armët nuk ishin vetëm mjete lufte, por edhe simbole të statusit shoqëror

Megjithëse aktualisht nuk ka prova që e lidhin drejtpërdrejt shpatën me ndonjë ngjarje historike konkrete, origjina e saj tregon për një epokë kur armët nuk ishin vetëm mjete lufte, por edhe simbole të statusit shoqëror

Shtrati i lumit Varta në Poloni ka nxjerrë shpatën e shekullit XI, e cila mund të ofrojë dëshmi të reja mbi historinë e trazuar të Polonisë mesjetare. Datimi paraprak e vendos shpatën në një periudhë ndryshimesh të mëdha politike në Poloni. Megjithëse aktualisht nuk ka prova që e lidhin drejtpërdrejt shpatën me ndonjë ngjarje historike konkrete, origjina e saj tregon për një epokë kur armët nuk ishin vetëm mjete lufte, por edhe simbole të statusit shoqëror

Një zbulim i pazakontë ka ngjarë në Poloni, kur një peshkatar gjeti rastësisht shpatë mesjetare në shtratin e lumit Varta, pranë qytetit Vronki, rreth 370 kilometra nga Varshava. Prej analizave të para arma daton në shekullin XI, në periudhën e sundimtarëve të hershëm të dinastisë Pjast dhe ekspertët besojnë se ajo mund të ofrojë dëshmi të reja mbi historinë e trazuar të Polonisë mesjetare.

Shpatën e gjeti banori vendas, Miroslav Tuholski, derisa po vendoste pajisjet e peshkimit në një nga vendet e tij të zakonshme pranë lumit. Për shkak të nivelit të ulët të ujit, një pjesë e objektit metalik ishte bërë e dukshme mes rërës dhe gurëve në breg. Pasi e nxori, ai e dorëzoi në Muzeun Rajonal të Vronkit, ku arkeologu Richard Pjetzhaku konfirmoi se bëhej fjalë për një artefakt të lashtë dhe propozoi një datim paraprak në shekullin XI, bazuar në karakteristikat e tij. Pas njoftimit të shërbimeve rajonale për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, shpata iu dërgua Universitetit “Nikola Kopernik” në  Toruń, ku do t’i nënshtrohet konservimit dhe analizave të hollësishme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kur armët nuk ishin vetëm mjete lufte

Datimi paraprak e vendos shpatën në një periudhë ndryshimesh të mëdha politike në Poloni. Ishte koha pas kurorëzimit të Bolesllav Guximtarit në vitin 1025, kur pasuan një krizë politike, pushtimi nga duka çek Bretislav dhe rindërtimi i shtetit nën Kazimir Restauruesin. Megjithëse aktualisht nuk ka prova që e lidhin drejtpërdrejt shpatën me ndonjë ngjarje historike konkrete, origjina e saj tregon për një epokë kur armët nuk ishin vetëm mjete lufte, por edhe simbole të statusit shoqëror. Meqenëse në vendin e zbulimit nuk u gjetën objekte të tjera arkeologjike që do të ndihmonin në një datim më të saktë, studiuesit përdorën të ashtuquajturën metodë krahasuese. U analizuan forma e tehut, dorezës, mbrojtëses së dorës, pjesës fundore të dorezës dhe kanali përgjatë tehut, ndërsa rezultatet u krahasuan me tipologjitë e njohura të shpatave mesjetare. Tehu është afërsisht 76 centimetra i gjatë, ndërsa pjesa e brendshme e dorezës është rreth 9 centimetra. Mbrojtësja e dorës ka një gjerësi prej rreth 12.5 centimetrash. Sipas tipologjisë së historianit britanik të armëve R. E. Oakeshott, shpata ka karakteristika të tipit 3 për sa i përket mbrojtëses së dorës dhe ndoshta tipit B për pjesën fundore të dorezës. Kjo e rendit atë mes shpatave të hershme njëdorëshe, të afërta me tipat X dhe XI, ose ndoshta me tipin kalimtar XII. Ekspertët theksojnë se identifikimi përfundimtar dhe datimi më i saktë do të jenë të mundshme vetëm pas përfundimit të punimeve konservuese dhe studimit të detajuar të objektit.

Artefaktet që kanë qëndruar për shekuj nën ujë kërkojnë kujdes të veçantë pas nxjerrjes, pasi kontakti i papritur me ajrin mund të përshpejtojë degradimin e tyre. Për këtë arsye, shpata do t’i nënshtrohet skanimeve me rreze X për të zbuluar çarje të mundshme, zbukurime ose shenja të fshehura nën shtresat e ndryshkut

Në pritje të ekzaminimeve me rreze X

Artefaktet që kanë qëndruar për shekuj nën ujë kërkojnë kujdes të veçantë pas nxjerrjes, pasi kontakti i papritur me ajrin mund të përshpejtojë degradimin e tyre. Për këtë arsye, shpata do t’i nënshtrohet skanimeve me rreze X për të zbuluar çarje të mundshme, zbukurime ose shenja të fshehura nën shtresat e ndryshkut. Gjithashtu do të kryhet një analizë metalurgjike, e cila do t’u mundësojë studiuesve të përcaktojnë përbërjen e metalit dhe teknologjinë e përdorur në prodhimin e armës. Ky zbulim nuk është një rast i izoluar. Gjatë viteve të fundit, në lumenjtë dhe liqenet e Polonisë janë gjetur një numër i madh armësh mesjetare. Në vitin 2025, një peshkatar nxori një shpatë mesjetare nga lumi Visla, pranë lagjes Tarhomin të Varshavës, ndërsa një tjetër u gjet gjatë punimeve për thellimin e shtratit të lumit në vitin 2024. Supozohet se kjo armë mund t’i ketë përkitur një luftëtari viking ose një fisniku vendas të shekullit X. Veçmas të rëndësishme janë gjetjet nga Liqeni Lednica, ku arkeologët kanë zbuluar afro 300 pjesë armësh dhe pajisjesh ushtarake të lidhura me sundimin e Mieshko I dhe Bolesllavit të Guximshëm. Midis tyre gjenden shpata, sëpata, shtiza dhe objekte të tjera nga Mesjeta e Hershme.

Sipas ekspertëve, objekte të tilla kanë përfunduar në lumenj dhe liqene në mënyra të ndryshme gjatë betejave, si pasojë e humbjeve aksidentale, përmes aktiviteteve tregtare ose si pjesë e depozitimeve rituale, një zakon i njohur në të gjithë Evropën mesjetare dhe parakristiane.