Prishtinë, 13 shtator – Një novelë mbi luftën në Ukrainë është duke u shkruar në Prishtinë. Mijëra kilometra larg vendlindjes së tij, por edhe vendit për të cilin shkruan, shkrimtari nga Moldavia Alexandru Vakulovski po i nxin faqet e novelës, që pritet të botohet vitin e ardhshëm. Qëndrimi në Prishtinë duket se do t’i lërë një “vulë” veprës së tij mbi Ukrainën.
“Kur të jetë botuar vitin e ardhshëm, unë do ta përmend që një pjesë e tij është shkruar në ‘Traduki’. Prania ime këtu po më frymëzon dhe ka bërë që ta ndryshoj edhe linjën e rrëfimit. Gjithçka po shkon në drejtimin që unë dua”, ka thënë shkrimtari 41-vjeçar, shkruan sot Koha Ditore.
Pasi kishte aplikuar në programin e rezidencës së artistëve “Prishtina nuk ka lumë”, Vakulovski tani do të qëndrojë për një muaj në Prishtinë.
Rrëfimi i tij personal ishte pjesë e bashkëbisedimit të organizuar nga qendra “Multimedia” dhe fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”, i mbajtur të enjten në mjediset e kësaj të fundit.
“Një vit më parë, unë po lexoja një novelë të mikut tim Bogdan Alexander Stanesku, të cilën e kishte shkruar në rezidencën ‘Prishtina nuk ka lumë’. Tundohesha për Kosovën për shkak se të gjithë dimë për historinë e vendeve të mëdha, por jo edhe atë të vendeve të vogla, si Moldavia e Kosova. Kur arrita këtu shkrova dy poema, më të gjatat në jetën time”, ka thënë Vakulovski gjatë rrëfimit të tij.
Bir i një mësuesi të letërsisë, që nuk kishte pranuar të bëhej “shkrimtar sovjetik”, Alexandru Vakulovski është prej shkrimtarëve më të njohur të Moldavisë. I lindur më 1978 në Antoneşti, asokohe pjesë e Bashkimit Sovjetik, ai sot drejton qarkun letrar “Republika” në Kisinau, ku promovohen letrarët e rinj.
Bashkë me gruan e tij, Moni Stănilă, që po ashtu është letrare, këtë qark e kanë kthyer në një urë lidhëse mes dy vendeve që i përbashkon gjuha, kultura dhe historia e njëjtë.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")