Kulturë

Shfaqja e Kosovës në Podgoricë, “sulm terrorist” për nacionalistët serbë

“The Handke Project” është dhënë edhe në Podgoricë, publiku e ka mirëpritur e duartrokitur. Por kapitulli i kërcënimeve për “tradhti, fushatë antiserbe a skandal” e deri te cilësimet se ky qe një “sulm” me një shfaqje nga “Kosova terroriste”, e ka ndezur fitilin nëpër mediat e nacionalizmit serb. “Siç ishte e pritshme, reagimet nga mediat proqeveritare serbe me retorikën e tyre klero-fashiste ishin sërish aty, rojë duke bërë punën e tyre propagandistike”, ka thënë Neziraj të martën vonë për reagimet që janë “reprizë” e atyre të qershorit të vjetëm, kur shfaqja ishte dhënë në Beograd

Dukej krejt normale udhëtimi i shfaqjes “The Handke Project” në kryeqytetin e Malit të Zi, në Podgoricë – siç ka bërë në shume vende të rajonit e më gjerë – por edhe këtu kanë “kujdestaruar” nacionalistët serbë, të cilët nëpërmjet mediave të tilla të Beogradit, por edhe nga vetë vendi nikoqir, kanë ngritur alarmet edhe pa u dhënë shfaqja e cila demistifikon figura si Sllobodan Millosheviqi e përkrahësi i tij, nobelisti Peter Handke. Jehona e tyre vazhdon edhe tash.

Shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt, është dhënë të dielën mbrëma në qendrën kulturo-informative “Budo Tomoviq” në kryeqytetin malazias. Është duartrokitur e mirëpritur nga publiku.

Por kapitulli i kërcënimeve për “tradhti, fushatë antiserbe a skandal” e deri te cilësimet se ky qe një “sulm” me një shfaqje nga “Kosova terroriste”, e ka ndezur fitilin.

Ekipi vendor i shfaqjes të hënën është kthyer në Kosovë, e prej mëngjesit kanë gdhirë titujt sensacionalë, si ai “Skandal në Mal të Zi! Shqiptarët nga Kosova e Metohia në Podgoricë organizojnë shfaqjen antiserbe”, i tabloidit “Alo.rs”. Aty shënjestrohet edhe dramaturgia serbe Bilana Srblanoviq, që ka bashkëpunuar me ekipin e shfaqjes. Po ashtu edhe institucioni nikoqir i shfaqjes në kryeqytetin e vendit të shkëputur prej Serbisë më 2006, anëtar i NATO-s e aspirues në Bashkimin Evropian, por që shpesh sfidohet edhe prej partive parlamentare serbe, të cilat në programe kanë edhe tërheqjen e njohjes së Kosovës.

Media si këto, si rëndom dallohet të mos e kenë parë shfaqjen. Ata që kanë qenë në sallë në Podgoricë, sipas dramaturgut Jeton Neziraj, kanë dhënë tjetër ndjesi.

“Në Podgoricë luajtëm në një ambient dashamirës, me një publik që shfaqjen e priti me shumë entuziazëm. Ishte prej atyre shfaqjeve të rralla, ku publiku në fund, sikur ndien njëlloj çlirimi, se ka hequr një barrë mbi supe, mbi gjërat që ndoshta i ka menduar dhe s'ka guxuar t’i thotë publikisht”, ka thënë Neziraj për KOHËN, të martën vonë në një deklaratë me shkrim. Kështu e ka përshkruar të ketë qenë edhe në Sarajevë, ku shfaqja u dha vjet. “Publiku edhe në Sarajevë e edhe në Podgoricë ishte, thjesht, falënderues që po i thoshim disa ‘të vërteta'. Kështu na u tha pas shfaqjes disa herë, nga plot prej tyre që e panë shfaqjen”, ka thënë Neziraj derisa artikuj për “shfaqjen antiserbe” ende vazhdojnë të rrjedhin nëpër portale.

Ka pasur koment edhe për reagimet nga mediat proqeveritare serbe, “sërish rojë duke bërë punën e tyre propagandistike”.

Përshkrimet e shfaqjes, media të tilla i kanë pasur gati, pasi me po të njëjtën gjuhë ishin vënë në sulm edhe qershorin i vjetëm, kur shfaqja ishte dhënë edhe në Beograd, në teatrin “Bitef”.

“Cirkusi udhëtues paradramatik ‘Projekti Handke’, prapa të cilit qëndrojnë forcat e bashkuara serbët e dytë autoshovinistë dhe fundamentalistë ka aterruar në Podgoricë”, ka shkruar “Alo.rs”. Shfaqjes i jep turlifarë epitetesh dhe “ia gjen” edhe synimin që “është ashiqare”.

“Ka për cak, për të satën herë, të bëjë një manovër kundër popullit serb, duke tentuar, njësoj, që të lajë hesapet me të vërtetën për luftërat e viteve 1990 dhe krejt fajin t’ua hedhë serbëve”, shkruan “Alo”. Fut në lojë edhe media të tjera tek i citon se edhe ato kanë hetuar se si në këtë “bërllok multikulturor nuk ka pasur vend për ndonjë aktor nga Serbia”. Rikthehet edhe deklarata e shkrimtarit “boshnjak” antishqiptar, i cili kur shfaqja u dha në Beograd do ta cilësonte atë si “tentim për kryerjen e satanizimit të Handkes prej një koalicioni politikanësh që shiten si artistë”.

Alarmit për “skandalin” me shfaqjen e Kosovës në Podgoricë – e dhënë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Alternativ me sloganin “Parabola – i është bashkuar edhe “Borba” e njohur dikur si organ i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, por që ka traditë njëshekullore. Tash ka një portal.

“Bëhet fjalë për shfaqjen antiserbe e serbofobike, regjinë e së cilës e ka bërë Berta Neziraj nga shteti terrorist Kosova, e në realizimin e këtij projekti racist politik kanë marrë pjesë edhe ‘krijues’ nga Italia, Gjermania, e Kroacia…”, shkruhet në një artikull pa autor në borba.me.

Çështja e shfaqjes është vetëm hyrja për një rafal akuzash edhe ndaj udhëheqësve të institucionit ku është dhënë shfaqja nga Kosova e deri te kryetarja e Podgoricës.

“Kemi kujtuar se me heqjen e Ivan Vukotiqit (ish-kryetar i Podgoricës), Podgorica do të frymojë me mushkëri të reja dhe se institucionet kulturore do të shkarkohen prej mendësisë ideologjike që kanë për qëllim njollosjen e popullit serb dhe t’ia veshë atij ndjenjën e fajësisë për shpërbërjen e Jugosllavisë. Por duket të jemi mashtruar dhe institucionet kulturore të Podgoricës edhe më tej do të jenë fushë pjellore për realizimin e veprave, të cilat me artin nuk takohen gjëkundi”, shkruan “Borba”. “Falënderon” kryetaren e re që ka hapur rrugë “që aktorët shqiptarë, ndihmuar prej atyre të Sarajevës e Nikshiqit, përhapin legjendën e zezë për serbët, të cilën mediat perëndimore e konstruktuan në fillim të viteve ‘90”.

Në të dy artikujt, e edhe në të tjera portale, “xhevahire” të tilla ka me bollëk.

E pikërisht me vitet ’90 merret “The Handke Project”, por që denoncon bazuar në realitet. Shfaqja bën që nobelisti Handke të zhvishet deri në skelet. Diku personazhi i tij zhvillon një bisedë me Joseph Goebbelsin. Udhëheqësi i propagandës së nazistëve i jep atij leksione se si duhet mohuar krimet e si duhet ngritur pyetje nëse ato janë të vërteta. E Handke shkon deri në nivelin sa tek qëndron mbi një varr, nis të shfaqë dyshime se a bëhet fjalë për varr apo jo. Shfaqja vë në pikëpyetje se deri ku shkon liria e një artisti, dhe nxjerr në pah se Handke e ka kaluar lirinë e shprehjes dhe atë krijuese pasi është mohues i gjenocidit.

E zhurmshme kishte qenë fushata kundër shfaqjes, dhe jo vetëm, në qershorin e vjetëm, kur “The Handke...” u dha në kryeqytetin serb. Sebep ishte bërë edhe intervista e aktorit Arben Bajraktaraj, që luan në shfaqje, dhënë revistës “NIN”. Aktori i skenave e filmave botërorë njihej edhe në Serbi me rolin e tij në serialin “Besa”, produksion serbo-britanik, me ekip shqiptarë, serbë, malazez, kroatë e të tjerë, ku ai ka luajtur Dardan Berishën, kreu i mafisë shqiptare.

“Handke dhe ajo bandë fshihen pas perdes së lirisë së shprehjes dhe gjeniut të artit. Ajo që ne po bëjmë është në fakt një akt rezistence. Nuk është thjesht një shfaqje, është një luftë dhe ne zgjedhim një luftë. Askush nuk e ka vënë në dyshim përgjegjësinë e tyre dhe ata ende po duartrokasin. Kjo bandë për të cilën po flas ka mbështetjen e hapur të ekstremistëve të djathtë, janë gjithnjë e më shumë në të gjithë Evropën që i përdorin artistët si pjesë të ideologjisë së tyre, si ekran”, kishte thënë Bajraktaraj derisa kishte folur për shfaqjen dhe fenomenin Handke. Të shpejta kishin qenë reagimet e nacionalistëve serbë e mediave të kësaj fryme.

Dramaturgu Jeton Neziraj nuk ishte habitur me reagime si këto: “Asgjë e re, madje e parashikueshme! Këto janë tabloide që ushqehen me fekale, e fekale prodhojnë. Dhe në të njëjtën kohë edhe helmojnë publikun e marrë serb - natyrisht, atë publik që i lexon!”, kishte thënë Neziraj asokohe.

Nuk është habitur as për rikthimin e një gjuhe të tillë.

“Siç ishte e pritshme, reagimet nga mediat proqeveritare serbe me retorikën e tyre klero-fashiste ishin sërish aty, rojë duke bërë punën e tyre propagandistike. Prandaj, u vërsulën ndaj shfaqjes sonë, siç kanë bërë gjithmonë, sa herë që publikisht diskutohet demokracia, sa herë që targetohet fashizmi dhe sa herë që dikush ka kurajën të kërkojë llogari për projektet gjenocidale të së kaluarës”, ka thënë Neziraj.