Me synimin për t’i treguar botës se “historia e Evropës dhe vetë Evropa do të dukeshin ndryshe po të mos ishin sakrifica dhe flijimi i serbëve”, Teatri Kombëtar Serb në Novi-Sad ka paralajmëruar operën “Beteja e Kosovës”. “Opera do t’i jepte një jetë të re skenike kësaj ngjarjeje historike, gjë që do të mundësonte promovimin e kulturës serbe në të gjitha skenat teatrore dhe operistike botërore”, citohet të ketë thënë ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së këtij institucioni, Dragana Millosheviq, e cila këtë operë e cilëson si “projektin më të rëndësishëm në historinë e teatrit serb”
Lista e projekteve propagandistike serbe është e gjatë, prej filmave, “dokumentarëve”, veprave letrare e të shitura si shkencore. E, tash synon edhe një alamet projekti operistik. Titullohet “Beteja e Kosovës”, pretendimet janë madhore, ende pa ia nisur cilësohet si “njëri prej projekteve më me peshë në historinë e teatrit serb”, e synimet janë që me të të shkelen skenat botërore. Teatri Kombëtar Serb në Novi-Sad e ka paralajmëruar “Betejën...” për sezonin e ardhshëm me premierë më 2027. Prej shpjegimit që ia ka bërë kësaj nisme ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së këtij institucioni, Dragana Millosheviq, zbërthehen edhe qëllimet.
“‘Beteja e Kosovës’ përfaqëson projektin më të rëndësishëm në historinë e teatrit serb. Me këtë operë, vuajtja kosovare e popullit serb për shpëtimin e Evropës së krishterë, do të lartësohej në sytë e opinionit botëror. Përveç ngjarjes kryesore, e cila do të zhvillohej para, gjatë dhe pas Betejës së Kosovës, opera do të bazohej në idenë se në Fushë-Kosovë në vitin 1389 u mbrojtën themelet e sotme të Bashkimit Evropian. Historia e Evropës dhe vetë Evropa do të dukeshin ndryshe po të mos ishin sakrifica dhe flijimi i serbëve”, citohet të ketë thënë Dragana Millosheviq për mediat serbe.
Sipas disa burimeve më 28 qershor 1389 (sipas kalendarit gregorian, kurse sipas kalendarit Julian më 15 qershor 1389) në Fushë-Kosovë, midis Prishtinës dhe lumit Llap, është zhvilluar beteja midis ushtrisë osmane dhe të popujve të Ballkanit, në radhët e të cilit merrnin pjesë gjerësisht edhe shqiptarët, që njihet në histori me emrin Beteja e Fushë-Kosovës. Përballja e ushtrive ballkanike dhe asaj osmane është shënuar në kronikat osmane, bizantine, shqiptare, sllave, raguzane, e të tjera. Shënimet historike flasin për pjesëmarrjen e shumë popujve nga të dyja anët, ku zë vend edhe pjesëmarrja e arbërve në këtë betejë. Burimet e kohës kryesisht e përshkruajnë betejën në aspekte ushtarake, si për pjesëmarrjen e numrit të forcave ushtarake, strategjinë ushtarake të zbatuar, e të tjera. Por në mesin e burimeve historike për Betejën e Kosovës flitet dhe për vendin ku është zhvilluar në kuptim të gjerë gjeografik.
“’Historia serbe e paraqet Betejën e Kosovës të vitit 1389 krejtësisht ndryshe, por mua më duket se rrëfimet tradicionale të kosovarëve rreth kësaj beteje janë më të besueshme. Në ndërkohë shpeshherë dola në gjah në Fushë të Kosovës dhe ktheja në Tyrben e Sulltan Muratit dhe gjithkund i pyesja banorët, prandaj mund të them se thuajse të gjithë ata m’i jepnin të njëjtat rrëfime”, ka shkruar kroati Martin Gjurgjeviq (1845 – 1913), i cili u punësua në Zyrën Osmane të Ndërlidhjes, funksion që e ushtroi edhe në Prishtinë në vitet 1869 – 1870. Por fatkeqësisht ai nuk e ka afruar rrëfimin unik të Betejës së Kosovës, dëgjuar nga vetë kosovarët. Më tej ai sërish i është kthyer rrëfimit për Prishtinën dhe rrethinën”, shkruan studiuesi Skënder Latifi në shkrimin e botuar në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore” në janarin e vjetëm.
Por Serbia nuk pranon rrëfime të tilla. As opera, “Beteja e Kosovës”.
“Për nga rëndësia e saj, Beteja e Kosovës është Termopili serb. Beteja e Kosovës është Roncevaux serb, ndërsa car Llazari është Leonidi serb, Rolandi serb. Ai i kundërvihet një force ushtarake shumë më të fuqishme dhe mbron vlerat e botës së krishterë. Lufton për drejtësi. Lufton për liri dhe dinjitet njerëzor. Falë luftës së tij, për plot 70 vjet u shty depërtimi i mëtejmë i turqve në Evropë”, citohet të ketë thënë Millosheviq.
Duke qenë se bëhet fjalë për “ngjarjen më të rëndësishme historike në historinë e popullit serb”, opera, sipas saj, “do të realizohet si një spektakël skenik botëror” dhe përfaqëson “një hap të ri në prezantimin dhe përpunimin e temës së Betejës së Kosovës” dhe një mënyrë “për ta bërë atë të qasshme për publikun më të gjerë botëror”. Ka thënë se janë në bisedime me disa emra të shquar botërorë.
“Ideja bazë është që libretin dhe muzikën e operës t’ia besojmë një ylli të afirmuar muzikor, i cili ka ndikim te publiku më i gjerë botëror. Jemi në bisedime me dy artistë me famë dhe ndikim planetar. ‘Matica Srpska’, si një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës, do të jetë bashkëpunëtore profesionale në përgatitjen e libretit. Plani është që regjia t’i besohet njërit prej emrave të mëdhenj botërorë të regjisë. Është ende herët të zbulojmë detaje se me cilët regjisorë kemi kontaktuar”, citohet të ketë thënë Millosheviq. Sipas mediave serbe, ajo nuk ka dilemë se institucioni që drejton do të realizojë një “hit për skenat botërore”. Ka listuar disa prej tyre ku do të prezantohet “kultura serbe”.
“Opera do t’i jepte një jetë të re skenike kësaj ngjarjeje historike, gjë që do të mundësonte promovimin e kulturës serbe në të gjitha skenat teatrore dhe operistike botërore. Plani është që premiera e operës të jepet në vitin 2027, në kuadër të ‘Ekspo 2027’, manifestimit më të madh ekspozues në historinë e Serbisë, i cili do të mbledhë ekspozues nga e gjithë bota. Opera ‘Beteja e Kosovës’, pas premierës në ‘Ekspo’, do të shfaqej në Teatrin Kombëtar Serb dhe në teatro të tjera në Serbi, por edhe në të gjitha shtëpitë operistike, nga Opera e Londrës, ajo e Parisit, Berlinit, Metropolitan Opera, Opera e Sydneyt dhe të gjitha shtëpitë e tjera operistike”, ka thënë ajo.
Serbia, ndër shekuj ka përdorur propagandën edhe në vepra filmike. E ka bërë këtë edhe me luftën në Kosovë. Shembull janë disa filma për Masakrën e Reçakut. Katër vjet më parë, po në këtë temë, pas disa “dokumentarëve” si ai “Kosova – Dosja Reçak”, Qendra Kinematografike e Serbisë do të financonte “filmin dokumentar” me titullin “Istina o Račku” nën regji të Stefan Krasiqit e me skenar të Dushan Bulliqit, i përshkruar si “analizë e llojit të vet për ngjarjet në fshatin Reçak të Kosovës që në tërësi zbardh krejt të pavërtetat të cilat janë përdorur për arsyetimin e nisjes së intervenimit të NATO-s, në të asokohshmen Republikë Federative të Jugosllavisë, më 1999”.
Tash me operë synon alamet skenash për t’i treguar botës se “historia e Evropës dhe vetë Evropa do të dukeshin ndryshe po të mos ishin sakrifica dhe flijimi i serbëve”.