Pianisti Artem Yasynskyy nga Ukraina, violonçelistja Jelena Oçiq nga Kroacia dhe violinistja Sihana Badivuku nga Kosova, të bashkuar si “Schubert trio” kanë gjuhë e kulturë të përbashkët muzikën. Loja harmonike e plot sharmë e tyre, ka sjellë magji në skenë, e programi me vepra kamertale ka qenë premierë në Prishtinë në natën e dytë të edicionit të 15-të të “Chopin Piano Festit”
Tre instrumentistë profesionistë nga tri kultura të ndryshme përbashkohen në një rrugëtim të përbashkët muzikor në Prishtinë. Në natën e dytë të festivalit “Chopin Piano Fest”, pianisti ukrainas Artem Yasynskyy, violonçelistja kroate Jelena Oçiq dhe violinistja e mirënjohur shqiptare, Sihana Badivuku, kanë sjellë rrëfimin unik muzikor. Programi me vepra kamertale ka qenë krejtësisht premierë në Prishtinë.
I shumtë ka qenë publiku në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në kryeqytet. Imazhi me edicionet e kaluara është përherë i njëjti. Interesimi i pandryshueshëm sikurse edhe kushtet. Janë veç dekoret minimale, me të cilat organizatoret kujdesen për estetikën e skenës. Pianoja është “konstanta”.
Koncerti të hënën mbrëma ka nisur me “Trio: Es-Dur” të Franz Schubert për piano, violinë dhe violonçel. Virtuoziteti është në kulm, sikurse edhe eleganca e lojës. Është vepër e ndjeshme, thellësisht emocionale, por ka edhe dinamikat me të cilat shpesh kulmon. Edhe trioja është “pagëzuar” si “Schubert trio”.
Në kohën e parë – “Allegro” – pianoja fillimisht është në pozitën e instrumentit përcjellës e më pas lë në hije lojën e violonçelit dhe të violinës. Dy instrumentet harkore janë në dialog me njëra-tjetrën duke u bashkuar shumicën e kohës në të njëjtën vijë të tingullit.
Pianisti Artem Yasynskyy ka thënë se koncertin e ka karakterizuar sharmi e humori në vepra e midis instrumentistëve.
“Patëm vepra të karaktereve komplet ndryshe midis tyre, por secila ka atë ndjenjën e improvizimit përbrenda. Mund të gjesh ide të ndryshme, duhet vetëm ta ndjesh dhe ta jetosh atë moment. Për mua ishte shumë kënaqësi të luajmë të tre së bashku me të cilët në moment mund të ndryshojnë ide, ndjenja, tinguj dhe natyrisht për mua ishte kënaqësi të komunikojmë me audiencën nëpërmjet këtyre veprave”, ka thënë pianisti ukrainas.
Qe edhe në edicionin e kaluar të “Chopin Piano Fest” ku interpretoi në natën e hapjes me koncert recital.
“Isha shumë i lumtur të vija. Më mungonte Kosova përgjatë këtij viti. Kur Lejla më shkroi isha pafundësisht i lumtur dhe i thashë se menjëherë do të vij, jam i gatshëm të paketohem që tash dhe të nisem”, është shprehur pianisti Yasynskyy i vlerësuar nga kritika për virtuozitetin e tij.
I lindur në vitin 1988 në Donetsk të Ukrainës, fatin e kishte të shkruar qysh në fillim me pianon. Vinte nga një familje me traditë në muzikën klasike. Në moshën shtatëvjeçare do të bëhej nxënës në Shkollën e Veçantë për Fëmijë të talentuar të drejtuar nga Akademia Prokofiev në Donetsk, e koncertin e parë do ta mbante posa t’i mbushte tetë vjet.
Këtë prapavijë të tijën, bashkë me përgatitjen akademike dhe eksperiencën profesionale ndër vite ai e shprehu mjeshtërisht me performancën e rrallë në “Chopin...”.
Në “Andante con moto” është një temë që vazhdimisht përsëritet në tonalitete të ndryshme. Në zbërthimin e tingujve, shpaloset energjia e tyre e jashtëzakonshme.

Koha e tretë – “Scherzando allegro moderato” ka një lloj harmonie që papritmas përfundon në një lloj ritmi dinamik ndërsa në “Allegro moderato” ka një tension përbrenda që tingëllon tejet atraktiv.
Violinistja Sihana Badivuku e ka konsideruar veprën si kryevepër të literaturës së muzikës kamertale.
“Këto vepra janë premierë në vend. ‘Schubert trio’ është vepër kapitale, kryevepër e literaturës kamertale, është kafshatë e madhe për një ansambël trio. Edhe veprat e tjera janë premierë dhe me pianistin dje jemi takuar, ndërsa me violonçelisten kemi interpretuar në kuintet në ‘KamerFest’. Por prova e parë ka qenë dje dhe e dyta sot paradite, dhe tani në koncert. Kështu që me rëndësi është energjia midis artistëve, besoj se edhe publiku e ka ndier atë që kur bashkohen tre shpirtra profesionistë, edhe pse të vendeve të ndryshme, muzika është universale dhe na bashkon”, është shprehur ajo.
Derisa ka folur për programin, ka thënë se kërkon përqendrim maksimal.
“Kërkon shumë përqendrim jo vetëm të instrumentistëve, por edhe të publikut. Ka pasur edhe kolorit të harmonive dhe disponimeve të kompozitorit që besoj i keni përjetuar. Është një program interesant kamertal që i ofrohet publikut në Prishtinë”, ka thënë violinistja Badivuku.
Në pjesën e dytë të programit është interpretuar pjesa “Dimri” nga “Katër stinët e Buenos Airesit” të Astor Piazzollas.
Violonçelistja kroate Jelena Oçiq, në përgjithësi e ka vlerësuar si kompleks programin.
“Kjo ‘Schubert trio’ që e luajtëm është një monument, kërkon shumë përqendrim dhe është goxha e gjatë. Duhet të jesh i përqendruar se çfarë po ndodh në violinë, në piano dhe në lojën time si violonçeliste, gjithashtu edhe kolegët e tjerë duhet ta bëjnë këtë. Në dy veprat e tjera, Piazzola është gjithmonë Piazzola që të gjithë e duan ndërsa e treta nuk luhet shpesh, e zbuloi Sihana dhe ne u kënaqëm duke e luajtur. Ishte vepër e ngrohtë”, ka thënë ajo.
Në thelb, vepra ka ritmet e muzikës tradicionale me pasazhe karakteristike të gjata dhe të buta, në anën tjetër të shkurtra dhe të shpejta të tangos tipike. Por ngjan se, veç në këtë pjesë, nga katër të tilla, gërshetohen shumë stile muzikore. Ngjan në një vallëzim që manifeston pasion. Tangoja vjen e modernizuar.
Oçiq ka përcjellë energji të jashtëzakonshme në lojën e saj në instrument. E këtë, siç është shprehur, e sjell vetë koncerti.
“Jam kënaqur shumë me kolegët e mi të mrekullueshëm. Koncerti është gjithmonë diçka që të jep më shumë energji dhe kreativitet. Është publiku të cilit i jep emocion dhe në një formë të tre ne u përshtatëm shumë mirë”, është shprehur violonçelistja Oçiq.
Energjike, poetike e virtuoze, janë elementet e lojës së saj si kaleidoskop i pasur ngjyrash dhe emocionesh. Violonçelistja kroate jep koncerte ndërkombëtare si soliste me orkestra filarmonie dhe dhome si dhe recitale nëpër Evropë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vende aziatike. Jo pak kompozitorë i kanë kushtuar edhe vepra. CD-ja e saj më e fundit i kushtohet veprave të Barokut, e regjistruar së bashku me motrën e saj, organisten e shquar kroate, Lerka Oçiq.
Krejt në fund është interpretuar “Trio miniaturen” e zviceranit Paul Juon. Është sjellë e plotë me pjesët e saj “Reverie”, “Humoresque”, “Elegie” dhe “Danseë Phantasique”.
Koncerti i tretë i “Chopin Piano Fest” të mërkurën mbrëma ka sjellë “Duo violin & piano” me violinistin Benjamin Schmid dhe pianistin Markus Schirmer nga Austria.