Botuar për herë të parë në vitin 1623, “La Scanderbeide” vendos në qendër figurën e heroit, të interpretuar përmes traditës së poemës epike italiane dhe të imagjinatës humaniste të kohës. Ngjarja në Prishtinë ka qenë jo veç prezantim i botimit të parë të plotë të veprës, por edhe si rikthim simbolik i rrëfimit të hershëm evropian mbi heroin shqiptar në hapësirën shqiptare
Një nga veprat më të veçanta të letërsisë evropiane të shekullit XVII – poema epike “Scanderbeida” e autores italiane, Margherita Sarrocchi – është prezantuar të hënën në mesditë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Para publikut është sjellë jo veç vepra që konsiderohet si poema e parë epike e plotë e shkruar nga një grua në Evropë, por edhe për faktin se ajo ka subjekt heroin shqiptar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Botuar për herë të parë në vitin 1623, “La Scanderbeide” vendos në qendër figurën e heroit, të interpretuar përmes traditës së poemës epike italiane dhe të imagjinatës humaniste të kohës. Ngjarja në Prishtinë ka qenë jo veç prezantim i botimit të parë të plotë të veprës, por edhe si rikthim simbolik i rrëfimit të hershëm evropian mbi heroin shqiptar në hapësirën shqiptare.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBotimi u përgatit nga studiuesja italiane, Olimpia Gargano, dhe u prezantua nga vetë ajo para të pranishmëve të shumtë të mbledhur të hënën në Bibliotekën Kombëtare.
“Kush më mirë se Skënderbeu do të ishte hero i një poeme epike?... Jeta kulturore e Margherita Sarrocchi është diçka që meriton më shumë vëmendje nga ajo që kishte deri më tani. Gjëja e parë, ajo ishte një grua në një shoqëri kulturore të dominuar nga burrat. Jo vetëm katër shekuj më parë, në një farë mënyre, edhe tani. Por ajo ishte e fortë. Ajo duhej të ishte e fortë për të pohuar zërin e saj. Më bëri përshtypje fakti që poezia e saj është diçka kaq mbresëlënëse”, ka thënë Gargano, studiuese e specializuar në letërsinë krahasuese, historinë kulturore dhe mënyrën se si Shqipëria është përfytyruar në kulturën evropiane ndër shekuj. Ajo është e lidhur si kërkuese me Universitetin Nice Côte d’Azur dhe një pjesë e madhe e punës së saj i kushtohet marrëdhënieve kulturore italo-shqiptare dhe figurës së shqiptarëve në imagjinatën evropiane.
Sipas biografisë së saj, Gargano është bërë veçanërisht e njohur për kërkimet mbi historinë e përfaqësimit të Shqipërisë në letërsi, udhëpërshkrime dhe historiografi nga shekulli XV deri në shekullin XX.
Për publikun shqiptar, emri i saj është shumë i rëndësishëm sidomos për rikthimin në qendër të vëmendjes të poemës “La Scanderbeide” të Margherita Sarrocchi duke e shoqëruar atë me aparat kritik dhe studim historik.
Ka thënë se ndër arsyet kryesore pse ka përgatitur botimin e veprës së autores është ngase ajo nuk vlerësohej sa duhej për kontributin e saj.
“Poema e parë epike e shkruar nga një grua nuk meritonte për shekuj vëmendjen që letërsia dhe kultura evropiane u atribuonte poezive të tjera. Pra, ndoshta ishte një lloj dashurie, nëse dëshironi, një çështje dashurie. Thashë, pse Margherita Sarrocchi nuk njihet ashtu siç do të meritonte? Pra, ajo ishte një nga arsyet”, ka thënë Gargano.
Ngjarjen e hapi profesoresha Majlinda Bregasi, e cila ka theksuar punën shumëvjeçare të studiueses italiane mbi trashëgiminë shqiptare në kulturën evropiane.
“Studiuesja Olimpia Garganoka mbi 30 vjet që bën punë të pareshtur mbi vendin e shqiptarëve në letërsinë dhe artin botëror. Ka publikuar libra të një rëndësie të jashtëzakonshme mbi ne shqiptarët”, ka thënë ajo.
Duke u ndalur te figura e Sarrocchit, ka kujtuar profilin e jashtëzakonshëm intelektual të autores italiane.
“Aq i madh ishte talenti i saj dhe aq i shumëfishtë, saqë në moshën 23-vjeçare ajo i shkruan sonete Tassos, poetit të madh italian të kohës. Ai ia kthen në të njëjtën monedhë duke i botuar në veprën e tij. Por Sarrocchi nuk mjafton me kaq. Talenti i saj si shkencëtare, si matematikanë, i detyron një pjesë të akademikëve të ‘Accademia degli Umoristi’ që ka qenë akademi e kulturës dhe shkencës, një nga më të rëndësishmet. Ata e propozuan atë të bëhet anëtarja e parë grua e kësaj Akademie”, ka thënë Bregasi
Në kuadër të ngjarjes, historiani italian, Giuseppe Gargano, ka prezantuar projektin e tij “Itineraret Kastriotiane”.
Gargano njihet si studiues i historisë mesjetare dhe autor i një sërë botimesh mbi historinë politike, ekonomike, detare dhe urbanistike të Amalfit. Ai ka bashkëpunuar me universitete italiane dhe ndërkombëtare dhe është angazhuar në projekte që ndërlidhin historinë lokale italiane me qarkullimin kulturor në Mesdhe.

Për projektin e prezantuar në Prishtinë ai ka treguar që për herë të parë ka prezantuar Itineraret kastriotiane.
Me fjalë rasti u drejtuan edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, si dhe drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Blerina Rogova-Gaxha.
Rogova-Gaxha e ka përshkruar mbërritjen e librit në Kosovë si një rikthim simbolik.
“Kthimi në shtëpi – ndoshta kështu mund ta përkufizojmë më së miri këtë moment. Hyrjet si kjo shpesh janë të tepërta, por dhjetë faqet e para të librit na ftojnë të hyjmë në botën e Margherita Sarrocchit me veprën e saj ‘Scanderbeida’, botuar në vitin 1623. Një vepër e një kohe të largët e cila na sjellë një pamje tjetër të heroit tonë kombëtar, tashmë në shtëpinë e tij. Vepra e Sarrocchit na çon në një univers tjetër për të na zbuluar të vërtetën, sipas saj, ose një të vërtetë që na sfidon dhe na përball me një realitet tjetër. Heroi i kësaj poeme udhëton përmes hapësirave dhe kohërave, përshkon kultura e histori për të parë kuptime të reja në secilën kohë”, ka thënë ajo.
Ajo gjithashtu ka sjellë më mendje rëndësinë historike të faktit që një grua autore në shekujt XVI dhe XVII arriti të shkruante një poemë madhore në një botë ku dija dominohej nga burrat, sipas saj.
“Po aq i rëndësishëm sa vetë rrëfimi i personazhit të Skënderbeut, është fakti që vepra u shkrua nga një grua autore në shekujt XVI dhe XVII. Në një botë kur pushteti i dijes u përkiste kryesisht burrave, një autore si Margherita Sarrocchi arrin të krijojë një vepër madhore duke e bërë dijen dhe poezinë vulë të jetës së saj”, ka thënë Rogova-Gaxha.
Ngjarje paralele ka qenë edhe inaugurimi i ekspozitës “Këndo, o muzë, trimërinë – Shqipëria, Italia dhe Perandoria Osmane në poemën e parë epike femërore evropiane”, e cila ka sjellë dokumente, interpretime dhe materiale që e vendosin figurën e Skënderbeut në kontekstin historik e kulturor të kohës.
Ngjarja u organizua në bashkëpunim mes Institutit të Gjuhës dhe të Kulturës Italiane të Universitetit të Prishtinës, Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Ambasadës së Italisë në Prishtinë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit në Kosovë.