Godina e Sarajeve të Toptanëve, një nga perlat arkitektonike në zemër të Tiranës, do të shndërrohet në një Muze të Artit dhe Trashëgimisë Islame. Synimet janë që ai të hapë dyert në vitin 2030.
Kryeministri Edi Rama, i cili ka marrë pjesë në aktivitetin ku u prezantua projekti, e ka cilësuar këtë muze si një “vlerë të shtuar për kryeqytetin” dhe një dëshmi historike që plotëson boshllëkun në interpretimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore islame në Shqipëri.
Rama citohet të ketë thënë se projekti synon të shërbejë si një “gjerdan arti” bashkë me Teatrin dhe Galerinë Kombëtare, duke pasuruar ofertën kulturore të Tiranës dhe duke riafirmuar lidhjen e trashëgimisë islame me kulturën evropiane dhe mesdhetare.
“Unë kam bindjen që këtu është krijuar sinergjia e duhur me djemtë e koleksionit, me arkitektin, nga ana tjetër me Bashkinë e Tiranës dhe me Ministrinë e Kulturës, kështu që janë të gjitha forcat e nevojshme për të ndërtuar më në fund një hapësirë të munguar në Tiranë, të artit dhe kulturës islame”, citohet të ketë thënë kryeministri në nisje të fjalës së tij. Ai ka thënë se ky muze është një hapësirë e munguar.
“Edhe për një arsye shumë të bukur, që e shpjegoi arkitekti, që kultura dhe arti islam janë pjesë integrale e kulturës së Mesdheut, e kulturës së Evropës dhe pavarësisht se ky muze në përmasën e vet është modest, krahasuar me shembujt që i patë aty të muzeve shumë pompozë të artit dhe kulturës islame, por besoj që është i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për ta përcjellë këtë dëshmi, që përndryshe për shumëkënd është një dëshmi e munguar dhe madje e pamundur, sepse në mendjen dhe në idenë e shumëkujt, kultura dhe arti islam nuk kanë lidhje me Evropën, nuk kanë lidhje me këtë pjesë të kontinentit ku ne jemi dhe madje këtë pasuri kaq të çmuar të traditës dhe kulturës sonë shumëkush e sheh si një trashëgimi të imponuar nga një periudhë e caktuar e historisë”, ka thënë ai.
Rama ka thënë se godina e Sarajeve do të restaurohet dhe do të kthehet në identitet të plotë. Godina e “Sarajeve” do të jetë bërthamë e muzeut të ri, që do të përbëhet dhe nga një godinë tjetër bashkëkohore.
“Praktikisht ky muze i shtohet një gjerdani që po shkon duke u zgjatur dhe pasuruar me Teatrin e Ri Kombëtar, me Galerinë Kombëtare, me Muzeun e ri Kombëtar, me muzeun ‘Besa’ që është fare ngjitur dhe që do t’i bëjë jehonë historisë së lavdishme të shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët, ku pavarësisht përkatësive fetare, shqiptarët morën në mbrojtje një popull tjetër me një besim tjetër. Dhe më tutje akoma, besoj që edhe lidhja e gjithë kësaj pjese me pjesën tjetër ku kemi Piramidën e më pas muzeun tjetër që është në ndërtim e sipër me koleksionin unikal të të ndjerit Artan Lame, na japin mundësi që ta shohim të nesërmen e Tiranës, të pasur me ’stacione’ arti, me ‘’stacione’’ kulture, me ‘stacione’ historie, të cilat do të shkojnë duke u shtuar”, ka thënë Rama. Ai ka njoftuar se në Shkodër po punohet për një tjetër muze, kushtuar martirizimit të klerit katolik, duke synuar kështu pasqyrimin e plotë të historisë fetare në Shqipëri.
Sipas tij, muzeu nuk duhet të jetë thjesht statik, që do të ketë objektet e veta dhe do të mbetet aty i pandryshuar asnjëherë. Ai ka thënë se shpreson që muzeu të hapë dyert në vitin 2030.