Prishtinë, 4 tetor – Si mishërim përmes fjalëve i koncerteve të grupeve e artistëve me nam vjen libri “Sallatë dhe çalldisje” i Lorik Sylejmanit. Brenda 154 faqeve ka përmbledhur me dhjetëra koncerte duke treguar sa për muzikën që ka dëgjuar, sa për artistët dhe jetën e tyre, e si erëza përmbi ka shtuar përshtypje e dromca nga jeta e tij. Nikoqir i promovimit të librit, të mërkurën mbrëma, ishte Galeria Kombëtare e Kosovës. Pjesa e parë e librit, e titulluar “Sallatë”, hapet me koncertin e grupit britanik “The Rolling Stones” në Glastonbury.
“Unë përballë ‘The Rolling Sones’ në 2013-n, e nëna kishte qenë përballë ‘The Beatles’ në 1963-tën! Kjo dilema hamletiane: Më të mirë ‘The Beatles’ apo ‘Stones’?”, ka shkruar Sylejmani për këtë koncert të cilin e mbulon brenda pesë faqeve të librit. Përmes përshkrimit të tij koncerti mbi dyorësh vjen i gjallë e plot emocion, si me pyetjen që shton Sylejmani. “Sa orë në ditë i kalon Jaggeri në palestër?”
Ky është vetëm një nga 20 koncertet që janë pjesë e kapitullit “Sallatë”. Libri ka edhe dy kapituj të tjerë: “Sallatë #2” dhe “Çalldisje”.
Gazetari e redaktori Arbër Selmani ka thënë se brenda “Sallatë dhe çalldisje” ka shumë art dhe kulturë.
“Edhe vetë titulli ‘Sallatë dhe çalldisje’ e tregon që brenda tij ka gjithçka. Plot emocione, plot njerëz, me histori edhe pak familjare deri diku, që më pas kapen edhe me realitetin muzikor. Pra Loriku është një djalë gjithmonë i lidhur me muzikën në një formë apo tjetrën”, ka thënë ai.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")