Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi për nder të 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka ndarë sot çmimin kombëtar për vepër jetësore, “Azem Shkreli” dhe çmimet vjetore për letërsi.
Në cermoninë, e cila u mbajt në kabinetin e ministres Dumoshi, Sabile Keçmezi–Basha mori çmimin kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli”.
Keçmezi–Basha ka thënë është e nderuar që e mori çmimin “Azem Shkreli”, për veprën e të cilit ka një respekt të veçantë.
“Asnjëherë nuk kam punuar për çmime letrare. Kam shkruar se e kam ndjerë që duhet të shkruaj, se njeriu në këtë botë nuk vjen vetëm për vetë por ka edhe një mision të veçantë, se të shkruash të botosh të lësh diçka mbrapa do të thotë të sfidosh vetën, rrethin dhe vdekjen", ka thënë ajo.
Ndërkohë, ministrja Dumoshi e ka vënë theksin tek bashkëpunimi, për ta shpënë përpara letërsinë shqipe, për të cilën ka thënë se nuk ka më të bukur.
Juria profesionale e cila ka bërë vlerësimin, çmimin për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” ia ka ndarë Rrahman Paçarizit për veprën “Shtatë udhë” dhe Albina Idrizit për veprën “Përsëri mars”. Çmimin për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” e ka marrë Xhevdet Bajraj për vëllimin “Kur qajnë hardhitë” dhe Nexhat Rexha për vëllimin “Duke kërkuar hijen tënde”. Ndërkaq, Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” e ka marrë Berat Daka (Armagedoni) për studimin “Dramat e Qosjes” e Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” e mori Isa Memishi për përkthimin e romanit“Guaska” të Mustafa Halifas. Juria po ashtu ka ndarë edhe Çmimin për veprën më të mirë për fëmijë e të rinj “Vehbi Kikaj” për Januz Fetahaj për veprën “Libri i përrallave të gjyshit”.
Gjashtë propozime për çmimin kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli” i ishin adresuar Ministrisë së Kulturës në konkursin e sivjetshëm. Tetë propozime për prozë, pesë për kritikë letrare-eseistikë, gjashtë për përkthim, trembëdhjetë për poezi dhe shtatë për poezi në kategorinë e asaj për fëmijë, janë ato që juria shqyrtoi për çmimet vjetore për letërsi.