Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ruth Slenczynska – pianistja që njihej si nxënësja e fundit Rachmaninoff

Ruth Slenczynska

Ruth Slenczynska, e cila pavarësisht vështirësive të mëdha iu rikthye performimit në rini dhe vazhdoi pothuajse deri në fund të jetës, ndërroi jetë javën që shkoi në një qendër kujdesi në Cupertino të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo ishte 101 vjeçe

Një i ri i varfër nga Polonia, i ardhur në Shtetet e Bashkuara pak kohë më parë, Josef Slenczynski, shërbente në Luftën e Parë Botërore me Forcat Ekspeditare Amerikane në Evropë. Në jetën civile ai ishte një violinist me ambicie të mëdha, por pa ndonjë reputacion të madh, dhe tani shtrihej në gjakun e tij, me kyçin e majtë të shkatërruar nga copëzat e predhave.

Nëse Zoti do t’ia kursente jetën, ai u betua se do ta shpengonte karrierën e humbur duke lindur dhe stërvitur muzikantin më të madh që bota kishte njohur ndonjëherë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Josef Slenczynski e mbajti fjalën ose u përpoq ta mbante. Për pjesën më të madhe të viteve ‘30, derisa metodat e tij gati e shkatërruan, vajza e tij Ruth ishte një nga fëmijët gjeni më të famshëm të kohës së saj, duke performuar në mbarë botën në një piano të madhe me këmbë të shkurtuara për t’iu përshtatur trupit të saj, një Mozart me çorape fëmijësh dhe përparëse.

E njohur që në rininë e hershme si Ruth Slenczynska ajo në fund ndërtoi një jetë jashtë famës së bujshme që i ati dëshironte për të, duke krijuar një karrierë të qetë, shumë të respektuar si pedagoge, interpretuese dhe artiste regjistrimesh.

Gjëja vërtet e jashtëzakonshme është se Ruth Slenczynska arriti të ndërtonte një jetë brenda apo jashtë muzikës. Pas viteve të tëra nën një regjim të pamëshirshëm ushtrimesh, me ushqim të kufizuar, abuzim verbal dhe dhunë fizike — një regjim që në sipërfaqe e bëri të adhuruar nga shtypi, e çoi në skenat më të mëdha të botës dhe e vuri në kontakt me yje filmi dhe krerë shtetesh — ajo u cilësua, sipas një kritiku, si “një qiri i shuar” që në moshën 15-vjeçare.

Ruth Slenczynska, e cila pavarësisht vështirësive të mëdha iu rikthye performimit në rini dhe vazhdoi pothuajse deri në fund të jetës, ndërroi jetë javën që shkoi në një qendër kujdesi në Cupertino. Ajo ishte 101 vjeçe.

Vdekja e saj, si pasojë e komplikimeve nga një rrëzim, u konfirmua nga Randy Stahlman, një mik i ngushtë me familjen e të cilit ajo kishte jetuar për disa vite dhe bashkëshortja e të cilit kishte qenë nxënëse e saj.

Në kohën e vdekjes, ajo ishte profesoreshë emeritus e muzikës në Universitetin Southern Illinois Edwardsville, ku kishte dhënë mësim nga viti 1964 deri në pensionimin në 1988. Në vitin 2022, në moshën 97-vjeçare, ajo publikoi një album të ri, “My Life in Music”, nën etiketën “Decca”, për të cilën kishte regjistruar edhe në vitet ‘50 dhe ’60.

Si e rritur, zonja Slenczynska fliste shpesh për koston psikologjike dhe muzikore të fëmijërisë së saj. Me botimin në vitin 1957 të kujtimeve të saj paralajmëruese “Forbidden Childhood”, të shkruara me Louis Biancolli, ajo u bë një nga të parat që hodhi dritë mbi botën e fshehtë të fëmijëve gjeni të shfrytëzuar.

Që atëherë, historia e saj është përmendur nga media dhe psikologët si një shembull tipik i pasojave toksike që mund të lindin kur përplasen një prind kontrollues e ambicioz dhe një fëmijë i talentuar.

Nëse titujt e hershëm për të ishin të tipit “Fëmija i ri mrekulli mahnit Berlinin”, siç shkroi “The New York Times” në vitin 1931 kur ajo debutoi atje në moshën 6-vjeçare, nga fundi i shekullit XX emri i saj shfaqej në artikuj mbi çmimin emocional që shumë fëmijë gjeni paguajnë dhe vuajtjet që përballin më pas.

Megjithatë, sipas vetë saj, në dekadat e mëvonshme ajo jetoi një jetë me kënaqësi të madhe.

“Jam një nga këta të mbijetuarit”, ka thënë ajo në vitin 1999 për “USA Today”. “Por mendoj se jam e vetmja e lumtur”.

Në prag të të ‘80-ve, ajo përjetoi një rilindje artistike në Japoni, ku filloi të performonte rregullisht. Për ditëlindjen e saj të 80-të, në vitin 2005, ajo festoi duke luajtur tri koncerte në një mbrëmje me Orkestrën Simfonike NHK të Tokios.

Megjithatë, pavarësisht arritjeve, jeta e saj e mëvonshme ishte shumë larg vorbullës së famës dhe pasurisë që i ati kishte kërkuar për të.

Kur Ruth Julia Slenczynski — e lindur në Sacramento më 15 janar 1925 — ishte vetëm dyorëshe, i ati i shqyrtoi duart dhe qau nga gëzimi.

“Shikoni sa të forta janë kyçet”, kishte thënë ai. “Shikoni majat e gishtërinjve”.

“Ai nuk ma ngriti asnjëherë shikimin në fytyrë”, shkroi ajo më vonë.

Një vajzë e vogël, e rrumbullakët dhe e ëmbël, Ruth nisi mësimet e pianos në moshën 3-vjeçare me të atin në shtëpinë e tyre në Berkeley. Edhe pse më vonë studioi me pianistë të mëdhenj, si Artur Schnabel, Alfred Cortot, Sergei Rachmaninoff dhe Nadia Boulanger, i ati gjithmonë pretendonte se ishte mësuesi i saj i vetëm.

Ajo dha koncertin e parë publik në moshën 4-vjeçare, duke luajtur Bach, Beethoven dhe Chopin. Turnetë në SHBA dhe Evropë pasuan, dhe shumë shpejt ajo performonte me orkestrat më të mëdha të botës.

Por pas skenës fshihej një realitet i errët. Ajo ngrihej çdo mëngjes në agim për të ushtruar nën mbikëqyrjen e të atit, deri në moshën 4-vjeçare praktikonte nëntë orë në ditë. Duhej të luante në mënyrë të përsosur për të fituar ushqimin dhe rrallë lejohej të largohej nga pianoja. Nuk kishte lodra, libra, miq, asgjë që ta shpërqendronte.

“Mjaftonte të gabohesha në një notë dhe goditesha në fytyrë,” shkroi ajo. Nëse kundërshtonte, ai e rrihte me grushte, pastaj me shkop, e edhe me rrip.

Në vitin 1940, gjatë një koncerti në New York, ndërsa vuante nga apendiciti akut, ajo u detyrua të performonte. Kritikat ishin të ashpra dhe i ati e braktisi. Ajo ishte pothuajse 16 vjeçe.

E vetme, pa miq, pa para dhe pa muzikë, ajo ra në depresion të thellë. Për të mbijetuar, madje shiti gjakun e saj për ushqim.

E zhytur në depresion të thellë, ajo merrej vetëm, siç shkroi vetë, me “punën mekanike të mbijetesës”. Mendonte se nuk do të performonte më kurrë.

Pak nga pak, nisi të hynte në jetën e të rriturve: studioi në Universitetin e California në Berkeley dhe, në moshën 19-vjeçare, u martua me studentin George Born.

Ajo filloi të luante sërish, ndonëse në fillim vetëm për veten. Në të njëzetat u rikthye në skenë. Kritikat në fillim ishin të pafavorshme — kritikët vazhdonin ta qortonin për interpretime të papjekura — por me kalimin e kohës u përmirësuan dhe ajo realizoi edhe regjistrime, me një fokus të veçantë te Chopin dhe Liszt.

Në vitet 1950 ajo bëri turne me Arthur Fiedler dhe Boston Pops e kjo përvojë, siç tregoi më vonë, e ndihmoi të zhvillonte një kuptim më të thellë e më nuancuar të veprave të mëdha romantike, të cilat i ati i kishte vlerësuar për efektin e tyre të menjëhershëm te publiku.

Martesa e zonjës Slenczynska me Born përfundoi me divorc në vitin 1953. Bashkëshorti i saj i dytë, James Kerr, një shkencëtar politik në Universitetin e Southern Illinois Edwardsville, me të cilin u martua në vitin 1967, ndërroi jetë në vitin 2001. Ajo nuk la pasardhës të drejtpërdrejtë.

I ati Josef Slenczynski vdiq në vitin 1951. Siç kujtonte zonja Slenczynska në një intervistë për “The Chicago Tribune”, në vitin 1988, ajo u përpoq ta takonte gjatë sëmundjes së tij të fundit për t’i thënë se e kishte falur.

“Ai nuk pranoi të më takonte”, tregoi ajo, “por i tha nënës sime se ishte ai që duhej të më falte mua”.
Gazetarët shpesh e pyesnin zonjën Slenczynska si kishte arritur ta kapërcente të kaluarën e saj.
Nga njëra anë, ajo përgjigjej se përvoja i kishte dhënë një forcë të madhe. Nga ana tjetër, vetë muzika kishte qenë një spirancë e palëkundur.

“Nuk mbaj mend një kohë kur nuk dija të luaja piano”, kishte thënë ajo për “The St. Louis Post-Dispatch”, në vitin 1999. “E di çfarë të bëj me të. Kam idetë e mia për interpretimin dhe tani që jam një zonjë e moshuar, guxoj t’i çoj ato deri në fund”.

Disa nga regjistrimet e saj në fund të jetës u pritën mirë. Në vitin 2000, revista “American Record Guide” publikoi një kritikë shumë pozitive për albumin “Ruth Slenczynska Plays Schumann”, të realizuar një vit më parë për etiketën Ivory Classics.

Kritika veçoi interpretimin e saj “lirik, të ndjerë” dhe “me një ëmbëlsi të hidhur” të veprës së kompozitorit “Kinderszenen”, “Skena nga fëmijëria”.