Presidenti rus, Vladimir Putin, lahet në gjakun e Ukrainës, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, gris marrëveshjen për mbrojtjen e klimës si një fëmijë i zemëruar: këto pamje alegorike të Karnavalit të Duseldorfit, të krijuara nga artisti gjerman Jacques Tilly, janë menduar të provokojnë. Tani ato kanë provokuar edhe shtetin rus, i cili e ka çuar artistin në gjyq, për herë të parë për krijuesin e famshëm.
Një proces gjyqësor kundër Tillyt tashmë ka nisur në Moskë. Ai ishte planifikuar të vazhdonte të mërkurën e kaluar në mungesë të të pandehurit, por pas një seance të shkurtër hapëse, u shty për herë të dytë deri më 26 shkurt.
Në seancat e mëparshme në dhjetor, avokati mbrojtës i caktuar nga gjykata mbërriti me vonesë; këtë herë, dëshmitarët e prokurorisë nuk u paraqitën fare. Përfaqësues të Ambasadës Gjermane pritet të marrin pjesë në seancat e ardhshme në Moskë, por nuk do të kenë të drejtë fjale.
“Me gjithçka që po ndodh në botë tani, më duket krejtësisht qesharake që pikërisht një ndërtues i pjesëve të karnavalit të përfundojë në gjyq. Është si të përdorësh një çekan të madh për të thyer një arrë”, ka thënë Tilly në një intervistë për DW.
Figurat gjigante të Tillyt parakalojnë në mjete alegorike gjatë paradave të së Hënës së Trëndafilave në Duseldorf, që zhvillohen të hënën para të Mërkurës së Hirit, dhe janë bërë të famshme në mbarë botën. Qoftë kisha apo shteti, katastrofa klimatike apo ekstremistët e djathtë, Tilly nuk shmang asnjë temë.
“Ka pasur shumë kërcënime me padi, përfshirë vitin e kaluar kur ndërtova një karro ku Alice Weidel, kryetarja e Alternativës për Gjermaninë) një parti pjesërisht ekstremiste e djathtë - shënim i redaksisë) paraqitej në një shtëpi shtrigash. Ajo u ofronte votuesve të rinj një svastikë prej ëmbëlsirë me xhenxhefil. Kishte 20 kërcënime ligjore, por nuk u ngrit asnjë akuzë”.
Në Gjermani, liria e shprehjes është një e drejtë themelore e garantuar me ligj dhe kjo përfshin edhe satirën politike, për sa kohë nuk shkel ligje të tjera.
“Satira është në thelb tallje e shoqëruar me humor, kritikë e mbështjellë me humor”, ka thënë Tilly. “Dhe Putin nuk e duron kritikën. Kush mendon ndryshe përfundon në gjykatë dhe, në rastin më të keq, në ndonjë kamp burg”. Ai dyshon se kjo mund t’i ndodhë edhe atij.
Padia penale e ngritur nga qeveria ruse përfaqëson një nivel të ri përshkallëzimi për Tillyn. Ai akuzohet për shpifje ndaj institucioneve shtetërore ruse, përfshirë ushtrinë dhe vetë presidentin Putin.
Thuhet se karroja e Karnavalit e vitit 2023, ku udhëheqësi rus paraqitet duke u larë në gjakun ukrainas ka nxitur këto procedura.
“Thonë se kam shpifur ndaj ushtrisë ruse dhe se veproj për interes personal”, ka treguar ai. Të njëjtat akuza u drejtohen shpesh kritikëve të regjimit në Rusi.
Pse saktësisht akuzat ndaj Tillyt nuk u ngritën deri në dhjetor 2025 mbetet mister. Deri më tani, ai nuk ka marrë as aktakuzë dhe as ka folur me avokatin mbrojtës të caktuar nga gjykata. Nëse shpallet fajtor, artisti mund të përballet me gjobë si dhe burgim në një kamp penal.
“Dora e gjatë e Putinit shtrihet përtej Rusisë”, ka thënë Tilly. “Pasoja është se thjesht nuk më lejohet më të hyj në disa vende që kanë marrëveshje ekstradimi me Rusinë, si India apo Serbia, gjithashtu Egjipti dhe Indonezia”.
Ministria e Jashtme gjermane e ka këshilluar shprehimisht të mos udhëtojë në këto vende.
Në traditën e karnavaleve gjermane, autoritetet tallën publikisht përmes karrove satirike. Hierarkitë përmbysen dhe njerëzve u lejohet të përqeshin hapur pushtetin, një koncept i njohur si “liria e budallait” ose “Narrenfreiheit”.
Shekuj më parë, shakaxhiu i oborrit kishte për detyrë t’u thoshte sundimtarëve të vërtetën e zhveshur për veprimet e tyre, duke artikuluar hapur atë që të tjerët nuk guxonin.
“Dhe kjo është ende detyra e budallait sot”, ka thënë Tilly. “Sigurisht që nuk kam bërë pretendime të rreme, kam tallur komandantin suprem të luftës, Putinin, ashtu siç bëj me Donald Trumpin, udhëheqësit iranianë dhe Recep Tayyip Erdoganin. Ky është thjesht profesioni im”.
Tilly ndërtoi karron e tij të parë me Putinin pas vrasjes së gazetares hulumtuese ruse Anna Politkovskaya në vitin 2006. Ai thotë se ka qenë kritik ndaj presidentit rus që në fillim dhe nuk i merr personalisht akuzat e shtetit rus. Është pikërisht ajo që pret: janë vlera që duhen mbrojtur, edhe përmes humorit kritik.
“Akuzat kanë për qëllim të thonë: “Ne e dimë çfarë po bën dhe kemi mënyrat tona për t’iu përgjigjur” dhe ky është një mesazh për të gjithë, jo vetëm për mua”.
Pavarësisht vendimit, Tilly nuk do të frikësohet. Madje sheh edhe një anë pozitive në vëmendjen që po merr.
“Sigurisht, është një konfirmim i bukur që ndikimi shtrihet larg. Shoh që satira dhemb dhe se i dhemb edhe Putinit”, ka thënë ai. Kjo, shtoi ai, i jep punës së tij më shumë kuptim. “Ne do të vazhdojmë të prodhojmë satirë që godet në thelb”.