Mësonte brezat e rinj se fjala e shkruar nuk është zbukurim. Atdhedashuria ishte në rreshtat e tij, por qe kryesisht në zemrën e tij. Sepse, sipas Ramabajës, dashuria për vendin nuk shpallet me zë të lartë. Ai vdiq të shtunën. Ishte 77 vjeç. Familjarë, miq, dashamirë të veprës së tij dhe udhëheqës institucionesh janë mbledhur në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, të dielën në mesditë, për ta nderuar veprën e Ramabajës
Intelektual që la gjurmë të pashlyeshme, gazetar që kontribuonte në shtojcën e kulturës e zë që i qëndronte besnik fjalës së shkruar, është vlerësuar shkrimtari, gazetari e publicisti Rushit Ramabaja. Si maestro i fjalës artistike, doajen i letrave shqipe, shembull i njeriut që qëndronte në realitet e krijues i fjalës së bukur. Mësonte brezat e rinj se fjala e shkruar nuk është zbukurim. Atdhedashuria ishte në rreshtat e tij, por qe kryesisht në zemrën e tij. Sepse, sipas Ramabajës, dashuria për vendin nuk shpallet me zë të lartë. Ai vdiq të shtunën. Ishte 77 vjeç.
Familjarë, miq, dashamirë të veprës së tij dhe udhëheqës institucionesh janë mbledhur në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, të dielën në mesditë, për të nderuar veprën e Ramabajës. Një orë më herët janë bërë edhe homazhe. Arkëmorti, në ballë të të cilit ka qëndruar imazhi i tij, rrethuar me lule të bardha, ka qenë përshëndetja e fundit me publicistin e shkrimtarin.
Qe gazetar autentik, zë kritik, krijues i dashur për fëmijët, i ashpër ndaj pushtuesit, luftëtar me penë kundër harresës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se vdekja e Rushit Ramabajës është jo vetëm humbje e një poeti, gazetari e publicisti të shquar, por edhe e një zëri të rrallë që për dekada i qëndroi besnik fjalës së shkruar.
“Me të humbëm edhe një ndërgjegje të ndjeshme dhe një mendje të angazhuar të kulturës sonë dhe socio-politikës. Rushit Ramabaja ishte prej atyre intelektualëve që nuk e shihnin fjalën si një zbukurim, por si përgjegjësi. Ai shkroi jo për të qenë i zhurmshëm, por për të qenë i vërtetë. Në mbi njëzet vepra të tij letrare, gjejmë shqetësimin e njeriut që nuk pajtohet me harresën. Gjejmë dhimbjen e historisë, por edhe shpresën se fjala mund të mbajë gjallë atë që rrezikon të humbasë”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se veprat e Ramabajës janë dëshmi e një jete të jetuar me mendim kritik, ndjeshmëri dhe me guxim intelektual. Sipas Kurtit, fjala e tij do të vazhdojë të dëgjohet. Nga takimet me të ka kujtuar se si nga ai ka dëgjuar fjalët që nuk i ka dëgjuar nga askush tjetër.
“Nga takimet që kam pasur me të, ka qenë e pamundur të mos dëgjosh prej tij diçka që s’do ta dëgjosh nga askush tjetër dhe as që ta ka marrë mendja që ndokush mund të jetë aq i kthjelltë e i thukët në kapjen e thelbit si zhvillime politike apo edhe trajtesa historike. Për bindjen time, ka qenë midis historisë dhe bukurisë. Midis historisë si shkak dhe bukurisë si synim. Për këtë arsye, për mua personalisht mbetet i paharrueshëm”, është shprehur Kurti.
I pranishëm ka qenë edhe ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku. Mbledhja komemorative është organizuar nga ky institucion para se Rushit Ramabaja të varrosej në orën 13:00, në fshatin Shkabaj të Prishtinës.
Ai i përkiste brezit të intelektualëve që u formuan herët e edhe u sprovuan. Ish-deputeti Avni Dehari, i cili ka marrë votat për t’u bërë pjesë edhe e legjislaturës së ardhshme, ka kujtuar përndjekjen që Ramabajës i bëhej nga sistemi jugosllav duke theksuar guximin e tij për të trajtuar tema që binin ndesh me sistemin politik të asaj kohe.
“Për shkak se në shkrimet e tij publicistike letrare me guxim trajtonte tema politike, sociale e atdhetare që binin ndesh me politikat diskriminuese të pushtetit jugosllav, në pranverën e vitit 1981 u dënua për pesë muaj me izolim që i mbajti në Burgun e Prishtinës, të Lipjanit dhe të Mitrovicës. Paslufte Rushiti me zell edhe më të madh iu përkushtua shkrimeve letrare. Me punë të palodhshme ia doli të botonte shumë vepra në prozë dhe me poezi, për fëmijë dhe për të rritur. Për shkak të njohurive të thella në fushën e artit letrar, ka qenë anëtarë i revistës së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës – ‘Metafora’ – dhe kryeredaktor i revistës shkollore për fëmijë ‘Zog mëngjesi’”, ka thënë Dehari.
I ndjeri Ramabaja ishte i njohur për publicistikën në Kosovë dhe jashtë saj. Nga viti 1972 e deri më 2001 ka punuar në të përditshmen “Rilindja”, si gazetar dhe redaktor i rubrikës së kulturës. Pas luftës u ishte përkushtuar shkrimeve dhe më vitin 2004 botoi veprën “Mareci i shpresës së mirë”. Në vitin 2006 iu kthye përsëri gazetarisë duke u angazhuar si gazetar dhe redaktor i rubrikës së kulturës në të përditshëm “Lajm”, ku qëndron gjer në vitin 2009. Qe nismë e tij të bëhej shtojca e kulturës në këtë gazetë. Pasi ishte adhurues i shkrimtarit e publicistit Nonda Bulka, shumica e shkrimeve të tij mbaronin me shkrimin “Nonda Bulka i riu”.
Pas kësaj kohe punoi në Radio Kosova. Aty, që nga viti 2009 e deri në pension ka udhëhequr emisionin ‘Bota e librit’. Pos botimeve si romane, poezi, drama, monografi, asnjëherë nuk hoqi dorë nga redaktimi i revistës për fëmijë “Zog mëngjesi”, ku kishte qenë kryeredaktor.
Në vitin 2018, ai ishte laureuar me çmimin “Azem Shkreli” për vepër jetësore, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës. Deputeti Avni Dehari ka thënë se ky vlerësim vinte si rrjedhojë e temave që trajtonte nëpërmjet vlerave të larta artistike. Para të pranishmëve e ka cituar Ramabajën me emocionet e atij momenti.
“Në dhjetëvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ministria e Kulturës e ka nderuar me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore në fushën e letërsisë. Kënaqësinë e tij dhe të kolegëve të tij krijues për pranimin e këtij çmimi, Rushiti e ka shprehur me fjalët: jemi të lumtur që lexuesit tonë kemi arritur t’ia përçojmë mesazhin e së bukurës, humanes. Në këtë 10-vjetor të Pavarësisë, po e marrim këtë vlerësim nga ministria jonë, nga shteti ynë që gjatë shekujve janë flijuar shumë breza për të e deri tek të rënët e UÇK-së”, ka thënë Dehari.
Derisa e ka konsideruar si një prej krijuesve më të mëdhenj të letërsisë në nivel kombëtar, e ka vlerësuar vdekjen e tij si mungesë, ndërsa veprimtarinë e tij si thesar vlerash letrare, të cilat për t’i arritur duhet shumë kohë, mund e vështirësi.
Fotografia bardhezi e Rushit Ramabajës në skenë ka qenë ilustrimi i gjithë virtyteve të tij të çmuara që i janë përshkruar në sallën plot. Udhëheqësi artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, krejt në fillim të ceremonisë ka kërkuar një minutë heshtje në shenjë nderimi. E Ramabajën e ka konsideruar “intelektual që la gjurmë të pashlyeshme në letërsinë dhe mendimin tonë”.
I biri i Rushit Ramabajës, Albani, derisa ka folur në emër të familjes, është shprehur se ai ishte shtylla e shtëpisë, jo veç si kryefamiljar, por edhe si shembull i diturisë e atdhedashurisë për gjithë rrethin familjar.
“Ishte një njeri i thjeshtë, i drejtë dhe i përkushtuar në detyrat dhe objektivat e tij. Jetoi në ndershmëri, larg luksit dhe formaliteteve boshe, duke gjetur kuptimin e jetës në punën e ndershme, në fjalën e drejtë dhe në ndërgjegjen e tij. Ai na mësoi se dashuria për vendin nuk njihet me fjalë të mëdha, por me veprime njerëzore, me respektin për njeriun, për natyrën, kafshët, për punën e ndershme dhe të vërtetën. Këto janë vlera që na i la trashëgimi, që për ne janë udhërrëfyes”, është shprehur ai mes emocionesh.
Ka thënë se ai “patriotizmin nuk e kishte të zhurmshëm, por të heshtur dhe të qëndrueshëm, i shndërruar në vepra e fjalë të shkruara”.
Juristi e publicisti Sadri Ramabaja, familjar i afërt, e ka konsideruar poetin e publicistin e ndjerë si personalitet të rrallë të letrave shqipe. Ka thënë se shkuarja e tij në amshim është plagë e hapur për kulturën shqiptare.
“Ai nuk shkroi për të qenë i pëlqyer, ai shkruante sepse besonte se fjala është mision, se shkrimtari ka ndërgjegje dhe se heshtja dhe e vërteta kërkon të thuren. Në veprën e tij gjejmë njeriun, kombin, dhimbjen, shpresën dhe atdheun. Gjithmonë të trajtuara me ndjesi të thellë prej artisti, me ndershmëri morale dhe thellësi shpirtërore. Për mua si familjar, Rushiti i kalonte kufijtë e shkrimtarit, sado i madh ishte. Ai ishte mentor i imi, model i intelektualëve të angazhuar, shembull i rrallë i dinjitetit njerëzor dhe udhërrëfyes shpirtëror me kuptimin më të plotë dhe më të thellë të fjalës”, ka thënë Ramabaja.

Është shprehur se ai mësonte brezat më të rinj se fjala e shkruar nuk është zbukurim.
“Se mendimi i lirë kërkon guxim dhe se dashuria për atdheun nuk shpallet me zë të lartë. Por dëshmohet çdo ditë, deri në mbyllje të kapitullit të jetës. Rushiti jetoi ashtu siç shkroi: nëpër pushtim, me ndershmëri dhe me një besnikëri të palëkundur ndaj vlerave kombëtare njerëzore. Nuk u lodh kurrë duke kërkuar kuptim, drejtësi dhe dinjitet për veten, kombin për njeriun”, ka vazhduar ai.
Pos veprës “Mareci i shpresës së mirë”, Ramabaja ka shkruar edhe “Kangjella e Damastionit”, “Një gomar në Parlament”, “Rrëmbimi i vajzës së këngës”, “Amazanat në prillin e pushtimeve”, “Shtëpia ku nuk vdiset (Rekuiem për Xheladin Hanën)”, romanin “Gruaja e Jezusit”, vëllimin poetik në shqip dhe greqisht “Euridika në mollën e ndaluar” e të tjera.
E kjo vepër, sipas kritikut Arben Veseli, pos shkrimtar, gazetar e publicist, e bën Ramabajën edhe dramaturg, kritik e satirist. E ka quajtur si magjistar të fjalës shqipe.
“Letërsia shqipe do ta kujtojë Rushit Ramabajën si magjistarin e fjalës së bukur shqipe, si shkrimtarin, në letrat e të cilat ai shkriu si filigran të bukurën dhe të mençurën. Letërsia shqipe e areale kosovare e njohu Rushit Ramabajën që në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Në kohën kur letërsia shqipe kërkonte jo vetëm autorë të talentuar, por edhe intelektualë të angazhuar dhe të guximshëm. Rushit Ramabaja, u bë emër i afirmuar, sidomos pas veprës ‘Gjergj Elez Alia’, me të cilën u afirmua fuqishëm në botën e letërsisë”, ka thënë Veseli.
E profesori e poeti Agim Vinca e ka konsideruar si zë unik të letërsisë shqipe.
“Rushiti ishte dashnor i madh i së vërtetës, i së drejtës, i dashurisë për atdheun. Nuk ishte patetik, ishte kritik, dhe kjo shihet në krijimtarinë e tij letrare. Në letrat shqipe të Kosovës, por edhe në letrat shqipe në përgjithësi, rrallë ka shkrimtarë që e zotëronin aq shumë mjeshtërinë e satirës. Rushiti ishte një Nonda Bulka i kohës sonë. Ishte një njeri që dinte të thumbonte devijimet, keqpërdorimet, korrupsionin, burokracinë. Kjo e bën atë një zë të veçantë të letrës shqipe”, ka thënë Vinca.
Vepra e Rushit Ramabajës konsiderohet trashëgimia më e çmuar që ka lënë pas dhe se ai do të vazhdojë të flasë nëpërmjet saj.