Dy koncerte në një natë kanë zbërthyer kontraste të shumëfishta dhe i janë përgjigjur fuqishëm edhe temës së edicionit të sivjetmë të “ReMusicas”. “Kuarteti i Ri i Klarinetës të Amsterdamit” me “Rrënjët” ka gërmuar edhe në thesaret e muzikës angleze të shekullit të 16-të e treshja Kaltrina Miftari, soprano e Safet Berisha kontratenor, nën përcjelljen në kitarë të Drilon Çoçajt, me koncertin “Nga Perëndimi në Lindje” kanë sjellë edhe Bachun dhe muzikën burimore shqipe
Nuk janë të pazakonta interpretimet e këngëve popullore nëpër koncerte të Prishtinës, mirëpo kësaj radhe ato janë gërshetuar me repertor të shekujve të kaluar. Në hapësirat e kishës katolike “Shën Ndou”, dy koncerte kanë sjellë kontraste të dukshme muzikore: nga rrënjët e klarinetës tek udhëtimet prej Perëndimit në Lindje.
Nata ka nisur me energjinë e katër klarinetistëve të Amsterdamit dhe ka vazhduar me bashkëdyzimin e pazakontë të sopranos Kaltrina Miftari dhe kontratenorit Safet Berisha, nën tingujt e kitarës së Drilon Çoçajt.
Atij koncerti i ka paraprirë grupi “Kuarteti i Ri i Klarinetës të Amsterdamit” që ka sjellë vepra nga repertori i klasikëve, si për ta dëshmuar atë që mund të bëjë klarineta. I përbërë nga katër anëtarë, grupi ka përzgjedhur dy vepra nga kompozitori francez Charles-Valentin Alkan, “Carnaval” e “Le Festin d’Esope”; dy nga Frédéric Chopin, “Grande Valse Brillante Op. 34, Nr. 2” dhe “Notturno Op. 9, Nr. 2”; veprën “Danzas Hungaras” nga Johannes Brahms; “Gustavski Kuckuck” nga Gustav Mahler e Radek Fedyk; si dhe “Reine de Musette” nga Marcel Azzola e Bram Faber.
Edicioni i 24-t i festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica” ka sjellë sivjet temën “Kontrastet”, për ta vënë në ballë të programit idenë e përplasjeve mes stileve, epokave dhe traditave. Që prej vitit 2002, festivali ka bërë bashkë muzikën bashkëkohore me klasiken, eksperimentin me traditën, ka sjellë edhe interpretues nga bota, duke i zatetur ata me skenën vendore, për ta shndërruar atë në një platformë ku zërat e ndryshëm gjejnë mënyra të reja të komunikimit. Koncert pas koncerti, programi ka synuar që t’i vërë në dialog pikërisht këto diferenca, e përmes tyre të kuptohet më qartë vendi i muzikës në shoqëri. Kjo është vënë në pah edhe në natën e dytë të festivalit.
Të katër klarinetistët kanë studiuar në Konservatorin e Amsterdamit dhe dinamizmi, përkushtimi i tyre ndaj gjithë familjes së klarinetës, e ndoshta më e rëndësishmja, kënaqësia që ndiejnë duke bërë muzikë së bashku, janë shtyllat themelore të kuartetit. Ata janë aktivë edhe në nivel ndërkombëtar, me turne në vende të ndryshme të Evropës e Amerikës Latine.
Ambientin e Prishtinës, njëri nga klarinetistët, Jesse Faber, e ka konsideruar të shkëlqyeshëm, duke e quajtur të veçantë mbrëmjen e koncertit.

“Ishte një mbrëmje e veçantë për ne, sepse ambienti në këtë koncert në Prishtinë ishte i shkëlqyeshëm, vërtet kemi mundur ta ndiejmë ngrohtësinë e njerëzve dhe ka qenë ndjenjë e veçantë për ne”, ka thënë ai.
Veprat e përzgjedhura për interpretim, Bart de Kater, një tjetër klarinetist, ka thënë se i kanë bashkuar për t’i treguar publikut fuqinë e instrumentit. Ai ka shtuar se në Prishtinë ka qenë edhe më herët, por me ansamble të tjera.
“Kemi zgjedhur disa pjesë nga programe të ndryshme dhe i kemi bërë bashkë të gjitha në një program, kemi bërë një paraqitje për të treguar se çka mund të bëjë një klarinetë, andaj filluam me muzikë nga Charles Valentin Alkan që është shumë virtuoz, pastaj kemi kaluar te Chopini, që është shumë melodik dhe muzikë shumë e lehtë, kemi realizuar një kontrast në këtë koncert”, është shprehur ai.
Pas shumë duartrokitjesh, mbrëmja ka vazhduar me koncertin e dytë, ku hapësira e kishës katolike ka marrë një tjetër ngjyrim tingujsh. Tani me kitarë në duart e Drilon Çoçajt ka jehuar zëri i sopranos Kaltrina Miftari dhe ai i kontratenorit Safet Berisha. Repertori i tyre ka përfshirë një kontrast këngësh: nga këngët “Come Again”, “Flow My Tears”, “Fine Knacks For Ladies” e “Can She Excuse My Wrongs” nga John Dowland, te një interpretim solo i veprës “Sarabande” nga Johann Sebastian Bach, i ideuar për lutë dhe i aranzhuar për kitarë, e deri te koha e parë e veprës “Stabat” të Pergolesit.
Kontratenori Safet Berisha ka theksuar se bashkëpunimi me festivalin “ReMusica” është i vazhdueshëm.
“Ndihemi si në shtëpinë tonë në festivalin ‘ReMusica’, meqenëse bashkëpunojmë vazhdimisht dhe u ndiem shumë mirë. Publiku e priti shumë mirë edhe koncertin tonë të dytë, natyrisht edhe të parin me artistët ndërkombëtarë. E konsideroj si sukses”, ka thënë ai për KOHËN pas përfundimit të koncertit.
Pjesa e dytë ka nisur me dy këngë popullore shqiptare, aranzhuar nga Rafet Rudi. “Dashtnuer t’u bana” dhe “Të gëzojmë se erdh pranvera” i kanë paraprirë këngës së Tefta Tashkos, “Kroi i fshatit tonë”, për të vazhduar me këngën popullore “Kur më vjen burri nga stani”, në këndim njëzëri.
Berisha e ka konsideruar bashkëdyzim të pazakontë kombinimin e këngëve shqipe me ato të huaja.
“E kemi bërë një bashkëdyzim goxha të pazakontë. Pjesa e parë e repertorit tonë ka qenë muzikë shumë e vjetër, muzikë kryesisht angleze e shekullit të 16-të, e një kompozitori shumë të njohur të asaj kohe, John Dowland, kryesisht përcillet me lutë, por edhe me kitarë dhe për zë, pastaj pjesa e dytë ishte muzikë shqipe, e kemi lidhur edhe me temën e festivalit ‘Kontrast’, e kemi bërë domethënë një kontrast që është i pazakontë, por besoj që u prit shumë mirë nga publiku”, ka shtuar kontratenori.
Sivjet, gjatë pesë ditëve të festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica” po mbahen 18 koncerte me rreth 200 artistë pjesëmarrës, duke dëshmuar potencialin e skenës së muzikës klasike në vend. Edhe kjo natë e dytë ka sjellë një pasqyrë të qartë të ideve që udhëheqin edicionin e sivjetmë: vendosja krah për krah e rrënjëve dhe risive, traditës dhe kërkimit të ri artistik. Në këtë përplasje të zhanreve dhe epokave është kuptuar forcimi i një dialogu muzikor që Prishtina ka ditur ta mbajë gjallë.
Festivali “ReMusica”, në këtë edicion, përveç se në Prishtinë, e ka zgjeruar prezencën edhe në Prizren.
Me konceptin e tij të qëndrueshëm, ai vazhdon ta bashkojë traditën muzikore me frymën moderne. Tema e këtij edicioni, “Kontrastet”, vë në qendër ndryshimet e theksuara stilistike dhe bashkëjetesën e tyre të natyrshme, që pritet të shpaloset dhe të marrë formë gjatë festivalit ndërkombëtar të muzikës, i cili zhvillohet nga 27 deri më 31 tetor.