Kulturë

“Rock për Rock” reziston për rilindje

“Rock për Rock” është e vetmja mbrëmje ku rock-muzikanët e tregojnë veten në këtë format. Tash e 24 vjet ngjarja e ka dëshmuar se e ka efektin e vet

“Rock për Rock” është e vetmja mbrëmje ku rock-muzikanët e tregojnë veten në këtë format. Tash e 24 vjet ngjarja e ka dëshmuar se e ka efektin e vet

“Long Live Rock ’n’ Roll” në rastin e “Rock për Rockut” nuk do të ishte vetëm një këngë a album i kahershëm në kohën kur rocku kulmonte, por një maksimë e fuqishme. E këtë e ka dëshmuar edhe me edicionin e 24-t me tetë bende e këngë të reja. Anketat nxjerrin në pah se rocku në Prishtinë ka një lloj rilindjeje, imazhi i festivalit e ilustron këtë lloj rezistence që rocku të mos vdesë

Rock-muzikantët e karrierës dhe ata të rinj veçse e kanë të qartë se muzika rock në vend shkon duke e ngushtuar rrethin e audiencës. Ajo është specifike dhe nismat e ngjarjet që u dedikon janë të pakta. Por si rezistencë ndaj shuarjes e si përkrahje e muzikës së pavarur rock dhe bendeve të reja është “Rock për Rock” që ka vazhduar traditën edhe me edicionin e 24-t. Statistikat, së paku sipas një ankete në Prishtinë, “fryjnë” në favor të rockut, se ka bende të reja. Kësisoj, “Long Live Rock ’n’ Roll” në rastin e “Rock për Rockut” nuk do të ishte vetëm një këngë a album i  kahershëm (“Rainbow”), por një maksimë e fuqishme. E këtë e ka dëshmuar të shtunën mbrëma, në qendrën “Termokiss”. Hapësirën e saj e ndriçojnë dritat plot ngjyra si lojë paralele me ritmet e rockut në kapërcim me heavy metal. 
Janë kryesisht emra të rinj për publikun, por ata që e duan këtë zhanër muzikor e përjetojnë thellësisht dhe kërcimit të tyre i japin kah meloditë e këngëve origjinale. 

Bende si “Telikput”, “Rat the toy”, “Belle ame”, “Starfish”, “Sand Castle” dhe “Pathogen” nga Prishtina si dhe “Frenetik” nga Ferizaj e “Zhglë” nga Mitrovica e kanë shënuar mbrëmjen e sivjetme me bende nga dy qytete nga të cilat, sipas organizatorit të ngjarjes, bas-kitaristit Agim Berisha, nuk ka pasur më herët bende pjesëmarrëse. 

“Atmosfera është e shkëlqyer, muzikantët janë shumë të mirë. Fatmirësisht, pasi disa vjet nuk kemi pasur bende jashtë Prishtinës, sonte kemi nga Ferizaj dhe Mitrovica, që e rrit edhe madhështinë e kësaj mbrëmjeje”, ka thënë ai. 

Është shprehur se “Rock për Rock” është e vetmja mbrëmje ku të rinjtë tregojnë veten. Se tash e 24 vjet ngjarja e ka dëshmuar që ka efektin e vet. 

“Qëllimi im kur ka nisur para 24 vjetëve ka qenë të tregohet vetvetja, kreativiteti dhe mjeshtëria në zotërim të instrumenteve dhe ia kemi arritur plotësisht. Qe 24 edicione kanë kaluar shumë muzikantë të talentuar që më vonë kanë pasur edhe karrierë solistike. Jemi të kënaqur, sepse gjithmonë kemi gjetur përgjigje pozitive prej tyre. Kemi bërë gjithçka për t’ua mundësuar atyre të tregojnë aftësitë e tyre. Fatkeqësisht ka më shumë se një dekadë që përgjigjja e institucioneve nuk është e duhura”, ka thënë Berisha. 

Këngë origjinale kanë sjellë edhe bendi “Telikput” me Valon Kadriun me vokal e kitarë, Lum Veselin në bateri, Andi Sadikun në bas-kitarë dhe Orges Kurtaj në kitarë. 

“Kemi dalë me këngë origjinale pasi kështu edhe preferohet në ‘Rock për Rock’. Kemi dashur të bëjmë këngë të reja, që nuk i kemi interpretuar më parë sepse jemi bend pak më i vjetër dhe njerëzit kanë nisur t’i mësojnë këngët. Për t’u solidarizuar me bendet e reja kemi dalë me këngë të reja që nuk i di askush. Ka shkuar mirë, kemi bërë pak gabime, por s’është problem”, ka thënë Kadriu menjëherë pas performancës. 

Bende si “Telikput” (në foto) “Rat the toy”, “Belle ame”, “Starfish”, “Sand Castle” dhe “Pathogen” nga Prishtina si dhe “Frenetik” nga Ferizaj e “Zhglë” nga Mitrovica e kanë shënuar

Duke e vlerësuar ngjarjen dedikuar rockut ka thënë se është e rëndësishme para se kultura e rockut në vend të vdesë krejt. 

“Mendoj se është shumë e rëndësishme të mbahet kjo kulturë, sepse pak para se të vdesë pak a shumë krejt kultura e rockut në Prishtinë, kur kam qenë tinejxher, ka pasur forume të ndryshme si ‘Rock sonte’, pastaj ‘Rock për Rock’ është pritur me padurim. Ka pasur shumë më shumë bende që kanë kontribuar në muzikë. Mendoj se tash është një ringjallje shumë e mirë. Ka shumë bende, ishin tetë dhe shumica me këngë origjinale”, ka thënë ai më tej. 

Kitaristi veteran, Muhamet Veseli – Muha, ka vlerësuar se festivali e përkrah muzikën e pavarur rock pa dallim në frymët e zhanrit. 

“Është viti i 24-t që e bëjmë këtë festival. Edhe ne kemi qenë të rinj në atë kohë, para 24 vjetësh, kemi performuar edhe ne kohë pas kohe. Është kënaqësi e madhe të shohim këta të rinj. Momentalisht djali im është duke interpretuar. Domethënë është një lloj kënaqësie në vetvete”, ka thënë ai duke theksuar rënien e popullaritetit të rock muzikës në Kosovë. 

“Unë personalisht do të doja që këta të rinj ta kenë si hobi këtë lloj muzikë sepse te ne është vend specifik dhe muzika rock e ka një publik specifik dhe të kufizuar. Do të donim që të shpërthente, por...”, ka thënë Veseli i “Armadillo Blues Bend”, grupi që ka një kapitull të çmueshëm në historinë e rockut në Kosovë. 

Bendi “Pathogen” ka sjellë gjithashtu ritme të forta duke e elektrizuar skenën me anëtarë Ard Bekollin, Robert Pirën, Nart Zeqirin dhe Eduart Shalën. 

“Rocku në përgjithësi është të tregojmë se si ndjehesh. Të tregosh eksperienca apo thjesht një mënyrë pak më ndryshe për t’i shprehur përvojat personale apo diçka pak më të madhe se personale”, ka thënë Bekolli. 

E Robert Pira ka thënë se rocku nuk e ka shkëlqimin e dikurshëm, por audienca specifike e njeh mirë këtë zhanër. 

“Rocku është një sport më pak ekstrem sesa dekada më herët, por prapëseprapë mendoj se është një komunitet. Për ata njerëz që ende e duan, për ta ka shumë rëndësi. Mendoj që kanë shumë vlerë, ende, bendet që bëjnë muzikë, e vazhdojnë traditën dhe e bëjnë në mënyra të ndryshme. Evente si ky sonte mendoj se janë shumë të rëndësishme për bendet”, ka thënë ai. 
“Termokiss” jo rrallë bëhet skenë për ngjarje të tilla në mungesë të hapësirave. Vitin e kaluar “Rock për Rock” kishte jehuar në skenën e teatrit “Oda”. E sivjet folenë për një ditë e ka pasur në një hapësirë ku lehtë akomodon audiencën e rockut. 

Lum Hajrullahu, organizator i komunitetit në “Termokiss”, ka thënë se aktivitete si këto e mbajnë gjallë skenën alternative në vend. 

“I kontribuon skenës në përgjithësi. Skena alternative në Kosovë është goxha e vogël, kështu që aktivitetet e tilla janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për ne si ‘Termokiss’, por për skenën në përgjithësi dhe ndihem shumë mirë që e kemi rastin që pas 20 e sa vjetësh që mbahet ‘Rock për Rock’ të mbahet edhe në ‘Termokiss’”, ka thënë ai. 

Në shkurt të 2023-s një hulumtim i qendrës së muzikës alternative “Defy Them” nxirrte se njëzet rock-bende të reja janë formuar dy vjetët e fundit 

Në anketimin ishin përfshirë dy mijë të rinj në Prishtinë dhe prej tyre 23 për qind ishin deklaruar se dëgjojnë më së shumti muzikën rock. Sipas anketës së tyre, numri i grupeve të reja është më i madh se kurrë më parë, ku ato të formuara vitet e fundit po regjistrojnë këngët në tri qendra të rock-muzikës. Vetë numri i këtyre qendrave është vlerësuar si dëshmi e interesimit të madh të të rinjve për këtë zhanër.

“Gjatë viteve të fundit muzika rock në Kosovë është duke e përjetuar një rilindje. Numri i grupeve aktive në Kosovë ka rritje rekorde e po ashtu edhe interesimi i audiencës. Sidomos te të rinjtë kjo rritje është në masë të madhe dhe me perspektivë të qartë për rritje të mëtutjeshme. Këtë e dëshmojnë edhe festivalet e shumta të muzikës rock, të mbushura me publik e që organizohen gjatë tërë vitit në Kosovë”, shkruhej në njoftimin e qendrës “Defy Them” në Prishtinë, e cila është e përqendruar në muzikën alternative, punk, rock dhe metal. 

Nëse rocku po rilind, “Rock për Rock” ka hisen e vet tash e gati një çerek shekulli.