Muret dhe kolonat heshtin, por kujtesa jo. Ndërtesa e ish-shtëpisë botuese “Rilindja” vazhdon t’i mbajë zërat, lëvizjet dhe ëndrrat e një epoke që nuk jeton më. Është pikërisht kjo ndjesi, mes harresës dhe rëndësisë së pashlyeshme, që ka frymëzuar ekspozitën “Rilindja: memory, heritage, meaning”, e cila është hapur mbrëmjen e së shtunës në “Kino Armata” në Prishtinë. E konceptuar si platformë reflektimi e jo si një pikë përmbyllëse, ekspozita ka sjellë para publikut punën e përbashkët të studentëve të arkitekturës dhe të antropologjisë nga Universiteti i Prishtinës, të cilët kanë eksploruar ndërtesën përmes metodës “Interactive Walking”, një mënyrë për të mbledhur kujtime kolektive dhe histori personale brenda hapësirës fizike të objektit.
Rezultatet e këtij eksplorimi janë përkthyer në vizatime, makete e punime të tjera që veprojnë si “objekte që flasin”, mjete që nxisin biseda mbi rolin e trashëgimisë së përbashkët dhe mënyrat se si ajo ndërtohet përmes përjetimit. Ekspozita është pjesë e hulumtimit të doktoratës së arkitektes Njomëza Mulhaxha në Fakultetin e Arkitekturës “Ku Leuven” në Leuven të Belgjikës, nën mbikëqyrjen e profesoreshës Gisèle Gantois dhe profesorit Peter Vermeersch, dhe synon të shtrojë pyetje mbi rolin e trashëgimisë kolektive në proceset e rilindjes pas konflikteve.
Më shumë se arkitekturë, “Rilindja” është kujtim. Për shumëkënd, ajo ngjall imazhe të një jete të organizuar rreth punës, kulturës, dhe një ndjesie të përkatësisë kolektive. Megjithëse aktualisht e braktisur, ajo ngrihet ende me një lloj dinjiteti të heshtur, duke pritur që qyteti ta kujtojë jo vetëm si një objekt i së kaluarës, por si një mundësi për ta ndërtuar të ardhmen mbi gurët e kujtesës, e kjo ekspozitë ka qenë një përpjekje për ta dëgjuar sërish këtë objekt, jo si rrënojë, por si bashkëbisedues.
Ekspozita është përbërë nga një sërë punimesh të realizuara nga studentët pjesëmarrës, të cilët kanë përdorur mjete të ndryshme të paraqitjes vizuale dhe konceptuale, për ta treguar marrëdhënien mes ndërtesës së “Rilindjes” dhe kujtesës kolektive. Vizitorët janë përballur me modele tredimensionale të objektit, vizatime arkitekturore, harta të kujtesës, fragmente teksti dhe artefakte të vogla që funksionojnë si “objekte që flasin”.
Një nga punimet më simbolike ka qenë një model 3D i objektit me një mbishkrim mikroskopik që mund të lexohet vetëm me llupë – metaforë për mungesën e vëmendjes institucionale dhe përpjekjen për ta zbehur kujtimin e ndërtesës. Përmes këtyre elementeve, ekspozita ka krijuar një ambient reflektues që i ka ftuar vizitorët që në njëfarë mënyre ta rimendojnë marrëdhënien e tyre me hapësirat e braktisura.
Arkitektja Njomëza Mulhaxha, autore e ekspozitës ka theksuar se lidhja e saj me “Rilindjen” ka lindur përmes kujtimeve dhe dëshmive të ish-punëtorëve, të mbledhura më parë.
“Unë kam qenë e rrethuar me tregime të ‘Rilindjes’ në përgjithësi dhe një prej arsyeve që e kam zgjedhur është se më ka rënë të dëgjoj shpesh për të, por edhe një moment që ma ka rikujtuar atë dhe se sa ka mundur të përshtatet me projektin e doktoratës është projekti i Tringa Sefedinit dhe Elisa Maxhunit që i kanë bërë disa intervista në kuadër të ‘Heritage Space’. Ata kanë marrë disa intervista prej ish-punëtorëve të ‘Rilindjes’ dhe prej asaj, duke i lexuar intervistat, e kam kuptuar se sa rëndësi ka pasur ajo në ato kohë, edhe tash ende njerëzit e kanë shumë afër zemrës dhe në disa raste edhe identifikohen me ‘Rilindjen’”, ka thënë për KOHËN autorja e ekspozitës, Njomëza Mulhaxha.
Përmes punimit të saj në formë tredimensionale, ajo ka vendosur një mbishkrim simbolik që mund të lexohet vetëm me llupë, si një metaforë për mënyrën se si kërkesat dhe kujtesa e ish-punëtorëve janë neglizhuar me kalimin e kohës.
“Jam inspiruar prej intervistës së Nazmi Rrahmanit. Ai e përmend që është bërë një kërkesë së voni prej tij dhe prej disa kolegëve ish-punëtorë të ‘Rilindjes’ që të vendoset të paktën një pllakë ku thotë ‘Këtu ka qenë Rilindja’, e vetmja shenjë që do të kishte mundur të jetë aty, sepse nuk ekziston asnjë shenjë tjetër. Ajo kërkesë është refuzuar. Unë jam munduar ta paraqes përmes punimit 3D, e kam realizuar komplet arkitekturën e objektit dhe e kam vendosur një shenjë shumë të vogël, atë shkrimin që është aq i vogël sa duhet ta shohësh me llupë, prandaj kam dashur të tregoj përmes kësaj metafore që kërkesat e ish-punëtorëve janë zvogëluar aq shumë me kohë, nuk janë përmbushur dhe janë neglizhuar”, ka thënë arkitektja Mulhaxha.
Sipas saj, qëllimi i ekspozitës është që të ngrejë pyetje për të gjitha proceset, nëpër të cilat ka kaluar “Rilindja” dhe për trajtimin që e merr sot nga institucionet.
“Ekspozita është si rezultat i punëtorisë që e kemi bërë me studentët e arkitekturës dhe të antropologjisë të Universitetit të Prishtinës. Ideja kryesore e ekspozitës nuk është vetëm t’i paraqesim këto punime si rezultat i punës që e kemi bërë, por më shumë të ngremë pyetje të krejt proceseve nëpër të cilat ka kaluar ‘Rilindja’, trajtimin që po e merr dhe fatin që mund ta ketë në të ardhmen”, ka thënë ajo.
Për antropologun Gëzim Thaçi, i cili ka qenë pjesë e punëtorisë dhe bashkëpunimit ndërdisiplinar që ka çuar drejt ekspozitës, përfshirja në këtë projekt ka qenë një qasje e re ndaj një teme për të cilën kishte njohuri të kufizuara.
“Në bashkëpunim me studentët e arkitekturës e kemi zhvilluar këtë ekspozitë, ku secili prej nesh ka kontribuuar në njëfarë forme me një hulumtim të caktuar për ta bërë këtë ekspozitë të mundshme. Kjo ia ka nisur me një punëtori që do të zgjaste dy ditë, por meqenëse ekipi ka qenë shumë i mirë e kemi vazhduar dhe e kemi menduar ta bëjmë një ekspozitë më të madhe. Secili aty ka kontribuuar me një punim të caktuar, me tema të caktuara, për ta bërë një përmbledhje të këtij bashkëpunimi mes antropologjisë dhe arkitekturës”, ka thënë antropologu Thaçi.
Ai është shprehur se gjatë procesit është befasuar kur e ka kuptuar se “Rilindja” kishte pasur një funksion kyç në ndërtimin institucional dhe kulturor të shoqërisë kosovare, duke e përshkruar atë si “trurin e shtetit” në periudha të caktuara.
“Meqenëse nuk kam qenë i familjarizuar me aktualitetin dhe të kaluarën e ‘Rilindjes’, e kam ditur pak a shumë çka është bërë aty e çfarë rëndësie ka pasur në periudha të ndryshme, por ka qenë prapë se prapë një temë që kam qenë i distancuar prej saj, dhe për mua ka qenë pak sfiduese kjo pjesa ku do të afrohesha me temën dhe jam befasuar kur e kam kuptuar që ‘Rilindja’ e ka pasur një nga rolet kryesore, të themi, të trurit të shtetit”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, shkrimtari dhe ish-kryeredaktori i “Rilindjes”, Nazmi Rrahmani, e ka parë ekspozitën si një përpjekje të rëndësishme për të rikthyer në vëmendje lavdinë e dikurshme të ndërmarrjes që dikur ka botuar qindra libra dhe ka mbajtur peshën e të gjithë informacionit të shtypur në Kosovë.
“Shtypshkronja e cila dikur jepte me qindra e qindra libra brenda vitit, me tituj me telashe shumë të mëdha tani ka mbetur vetëm gërmadhë e cila nuk jep asnjë shenjë të ekzistencës së dikurshme të ‘Rilindjes’, prandaj kjo ekspozitë bën përpjekje që me disa skema, me disa fotografi, me disa pamje të vizatuara dhe pamje të shëmtuara të pallatit të shtypit të ‘Rilindjes’ tani përpiqet të na rikujtojë atë, sepse kanë kaluar gati 20 vjet që ‘Rilindja’ ka pushuar”, ka thënë për KOHËN Nazmi Rrahmani, që dikur ka punuar si kryeredaktor i shtëpisë botuese, “Rilindja”.
Përmes përshkrimeve të tij, Rrahmani ka sjellë nostalgjinë e një kohe kur “Rilindja” kishte qenë ndërmarrje gazetare, botuese dhe grafike që u shërbente të gjitha komuniteteve në Kosovë, dhe shpreson që kjo ekspozitë të prekë ndërgjegjen e atyre që ende mund të bëjnë diçka për fatin e saj.
“Mund të them që ta shikosh ‘Rilindjen’ sot në këtë gjendje si paraqitet në ekspozitë edhe me disa simbolika të zvogëlimeve të titullit, ose me vënien e emrit të ‘Rilindjes’ që iu ndërrua me ‘Graçanica’, e të tjera, na përkujton një situatë dhe një moment të së kaluarës së historisë së ‘Rilindjes’, sepse në atë kohë si e vetmja shtëpi botuese dhe si gati e vetmja gazetë, ka luajtur rol të rëndësishëm dhe duke kujtuar edhe të gjitha ato rezultate të ‘Rilindjes’, kjo ekspozitë mendoj se së paku dikë mund ta prekë në ndërgjegje, kurse dikujt t’i ngjallë momente dhe kujtime të cilat tanimë janë jo të mira”, ka shtuar ai.
Mungesa qoftë edhe e një shenje më të vogël përkujtimore aty, Rrahmanit i “zgjon emocione të veçanta”.
“Shtypshkronja ka pasur kapacitete për plotësimin e të gjitha nevojave të institucioneve të Kosovës që kanë pasur nevojë të shtypen, prandaj kjo ekspozitë, tani kur shihet vetëm maketi i ‘Rilindjes’ dhe dihet se ‘Rilindja’ madje nuk mban asnjë pllakë përkujtimore ku shkruan se këtu ka qenë ‘Rilindja’ dikur, sigurisht zgjon edhe emocione të veçanta”, ka thënë ai.
Në maketin ku emri i “Rilindjes” lexohet vetëm me llupë, shfaqet qartë realiteti simbolik i një trashëgimie që po zvogëlohet në sy të shoqërisë. Por pikërisht aty lind mundësia për rikthim: për ta përfshirë të kaluarën në biseda të reja, për ta ndërtuar të ardhmen jo prej harresës, por me anë të njohjes.