Kulturë

“Retrosintezë” inauguron Galerinë e Prishtinës me veprat e pionierëve

Retrosinteza

“Ekspozita ‘Retrosintezë’ ndërton një urë midis kujtesës dhe analizës duke rikthyer vëmendjen te rrënjët dhe zhvillimet më domethënëse të artit pamor gjatë viteve 1950 deri 1990. Në këtë kontekst, koleksioni ‘Orni’ i krijuar nga Fatlum Haliti dhe Mirlinda Sefa-Haliti, përfaqëson një homazh të shpirtit krijues të artistëve të kësaj periudhe. Përmes veprave të përzgjedhura me kujdes, koleksioni ofron një pasqyrë të pashembullt mbi kontributin vizionar të artistëve që formësuan identitetin”, ka thënë Zeni Ballazhi, kurator i ekspozitës

Që nga fundi i viteve ’70, kur edhe u hap Galeria e Arteve në Prishtinë, do të lulëzonte e do të bëhej hapësirë për ekspozimin e pionierëve të artit pamor në Kosovë. Zinte vend në një prej hapësirave të Pallatit të Rinisë. Pas luftës së fundit, ai institucion u bë Galeria Kombëtare e Kosovës. E të shtunën mbrëma është hapur Galeria e Arteve e Prishtinës në vendin ku funksiononte dikur. Kjo iniciativë ka ardhur jo veç si hapësirë shtesë ekspozuese, por edhe si kujtesë kolektive e kryeqytetit

Galeria e Arteve në Prishtinë ishte një lloj oaze për skenën e artit vizual në Kosovë. Që nga fundi i viteve ’70, kur edhe u hap, do të lulëzonte e do të bëhej hapësirë për ekspozimin e pionierëve të artit pamor në Kosovë. Zinte vend në një prej hapësirave të Pallatit të Rinisë. Pas luftës së fundit, ai institucion u bë Galeria Kombëtare e Kosovës. E të shtunën mbrëma është hapur Galeria e Arteve e Prishtinës në vendin ku funksiononte dikur. Kjo iniciativë ka ardhur  jo veç si hapësirë shtesë ekspozuese, por edhe si kujtesë kolektive e kryeqytetit. 

E themeluar në vitin 1979, Galeria do të vinte si domosdoshmëri pas themelimit të Akademisë së Arteve në vitin 1973. Që nga ajo kohë e deri në vitin 1990, artistët e vendit do të promovonin veprat e tyre e të merrnin vlerësime. Në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, arti i Kosovës do të heshtej institucionalisht. Ekspozitat do të ndërkreheshin si rrjedhojë e situatës politike kur shqiptarët jetuan nën regjimin e dhunshëm serb. 

Tash kur shteti ka Galerinë Kombëtare të Kosovës, artistë e dashamirë të artit janë mbledhur për inaugurimin e rihapjen e Galerisë së Arteve të Prishtinës si iniciativë e Komunës së Prishtinës. 
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka kujtuar Galerinë e dikurshme kur si fëmijë e shëtiste. 

“Është emocion i vërtetë, sepse ma përkujton fëmijërinë. Kjo hapësirë është hapur rreth fundit të viteve ’70 prej një ekipi të mrekullueshëm atëherë, me Shyqri Nimanin e artistë të tjerë. Në vitet ’80 e mbaj mend, si i vogël më merrte babai për dore, siç po i shoh tash që disa prindër i kanë marrë fëmijët e tyre me vete. Jam inspiruar prej artit, prej punimeve të shumta, ekspozitave që kam parë si fëmijë. E prej këtu shkonim lart në Sallën e Kuqe në performanca të orkestrës, baletit a ndonjë valle”, është shprehur ai në ceremoninë e hapjes së Galerisë së Arteve të Prishtinës. 

Ka thënë se procesi i rimarrjes së hapësirës ka qenë luftë katërvjeçare për ta kthyer te komuniteti artistik. 

“Ky ka qenë emocion që i ka munguar kryeqytetit ose hapësirat të cilat kanë qenë kyç për ta stimuluar kreativitetin, inovacionin, për të dhënë hapësirë për artin e kulturën, për ta ngritur nivelin e shoqërisë sonë. Për një periudhë kohore kanë qenë të mbyllura ose të transformuara në zona komerciale. Ato na duhen, por për ta mbytur një pikë e cila ka qenë kyç jo vetëm në Prishtinë, por në të gjithë Kosovën, për krijimtarinë e artistëve tanë për ta gjetur veten nëpërmjet artit”, ka thënë ai. 

Drejtoresha e Kulturës, Sibel Halimi, ka thënë se ky projekt është iniciuar për të qenë vazhdimësi e kujtesës kolektive. 

“Sot peshojnë veprat e artistëve tanë, doajenëve tanë, të cilët në kohët më të vështira, kanë pasur rol emancipues të shoqërisë sonë kosovare. Për këtë jam shumë e lumtur që edhe me emrin e ekspozitës së tanishme kemi dashur që ta bëjmë një ndërlidhje midis së kaluarës, së tashmes dhe po ashtu të së ardhmes. Ne si institucion kemi dashur që asnjëherë të mos iniciojmë një projekt pa qenë vazhdimësi e një kujtese kolektive dhe pa dyshim kjo hapësirë përmban më vete një memorie të jashtëzakonshme ku arti ka shërbyer edhe si një katarsis, si një ushqim shpirtëror”, ka thënë ajo. 

Rihapja e Galerisë së Arteve të Prishtinës është parë si moment i rëndësishëm për skenën kulturore të qytetit. Ekspozita inauguruese “Retrosintezë” ka sjellë gjeneratën e artë të artit vizual. Është organizuar nga Asociacioni i Artistëve Vizualë të Kosovës dhe është kuruar nga Zeni Ballazhi. Si një lloj dialogu midis trashëgimisë artistike në kohën e artit bashkëkohor. 

Aty janë peizazhet e mjegullta të Tahir Emrës e forma me motive tradicionale. Formësimet e kokave të çrregullta nga Gjelosh Gjokaj, si dhe trupa njerëzish të pastrukturuar. Grafika e skulptura nga Agim Çavdarbasha, format mitike të Nysret Salihamixhiqit, shpërthimet në ngjyra të Muslim Mulliqit, pikturat kubiste të Ibrahim Kodrës dhe jo vetëm. Janë edhe veprat e çmuara të Rexhep Ferrit, Adem Kastratit, Daut Berishës, Engjëll Berishës, Hamdi Bardhit, Kadrush Ramës, Tahir Emrës e të Svetozar Kamenoviq.

Artisti Kamuran Goranci, drejtor i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës, ka thënë se hapësira e inauguruar është shpërblim po për këta emra. 

“Është shpërblim për krijuesit të cilët gjatë kohërave të vështira e mbajtën artin gjallë. Nuk e lëshuan, edhe pse u mbyll një kohë, prapë iu rikthye atyre. Nuk është veç vendim administrativ, por vendim shumë i guximshëm e simbolik për identitetin dhe të drejtat e artistëve të Kosovës”, ka thënë ai. 

Janë gjithsej 64 vepra të ekspozuara të mediumeve e teknikave të ndryshme. Kuratori Zeni Ballazhi ka thënë se ai u takojnë ekspresionizmit, impresionizmit, kubizmit, abstraksionit e ekspresioniste-abstrakte. 

“Ekspozita ‘Retrosintezë’ ndërton  një urë midis kujtesës dhe analizës duke rikthyer vëmendjen te rrënjët dhe zhvillimet më domethënëse të artit pamor gjatë viteve 1950 deri 1990. Në këtë kontekst, koleksioni ‘Orni’ i krijuar nga Fatlum Haliti dhe Mirlinda Sefa-Haliti, përfaqëson një homazh të shpirtit krijues të artistëve të kësaj periudhe. Përmes veprave të përzgjedhura me kujdes, koleksioni ofron një pasqyrë të pashembullt mbi kontributin vizionar të artistëve që formësuan identitetin”, është shprehur ai. 

Artisti Ismet Jonuzi ka kujtuar fillimin e rrugëtimit të tij si artist, po në Galerinë e Arteve të Prishtinës. 

“Mua më bën nostalgjik kjo hapësirë, sepse këtu jam bërë i njohur. Në vitet ’80 kjo ka qenë Galeria Kombëtare, siç është quajtur atëherë Galeria e Arteve. Këtu janë bërë të gjitha ekspozitat, tek në vitet ’90 është kaluar në objektin atje. Mendoj se kjo është hapësirë më e mrekullueshme dhe sa herë kam ardhur pranë kësaj hapësire më ka kthyer në të kaluarën, sepse ka qenë mrekulli, ka pasur edukim i gjeneratave. Ishte një lloj kulture, që pos shëtitjeve njerëzit ktheheshin edhe këtu”, është shprehur ai. 

Ai uron që Galeria e rihapur të ruhet dhe të mos keqpërdoret. Ka thënë se puna e artistëve të ekspozuar identifikohet me këtë hapësirë. 

“Të gjithë artistët pjesëmarrës sonte, të gjithë në vitet ’80 janë ekspozuar në këtë hapësirë. Në vitet ’90 shumë pak prej tyre kanë  ekspozuar në Galerinë Kombëtare, ata identifikohen me këtë hapësirë dhe këtu kemi filluar ne. Arti, kultura, galeria, ka filluar në këtë hapësirë. Shyqri Nimani ka qenë drejtor, e ka udhëhequr në mënyrë të mrekullueshme dhe falë tij Galeria Kombëtare sot ka një koleksion të jashtëzakonshëm”, është shprehur artisti e profesori i artit, Ismet Jonuzi. 

Në fillimtetor, Galeria Kombëtare e Kosovës hapi arkivin e saj, që përfshinte veprimtarinë që nga fillimi. Edhe të Galerisë së Arteve. “Nga arkivi: Të fala shoqërore”, kuruar nga Hana Halilaj nëpërmjet materialeve arkivore dëshmonte rolin e institucionit të sapokrijuar kulturor më 1978 e deri te zhvillimi dhe vizioni për të, paralelisht me ndikimin e mendësisë patriarkale në skenën artistike.