Kulturë

Regjisorja e lojës me pasiguritë e jetës

Regjisorja Norika Sefa, e cila aktualisht jeton në Pragë, thekson se është në gjenezën e kulturës shqiptare që njerëzit të mos i shfaqin ndjenjat. Për këtë merr edhe një shembull. Tregon bisedën që zakonisht bëhet kur takohen dy persona. “Qysh je? – “Mirë!” E ti? – “Mirë edhe unë”, thotë Sefa. Prej kësaj nxjerr një koncept më të gjerë që shtihet mbi rrafshin e ndrydhjes e sipërfaqësimit të emocioneve. Por ajo e ka në fokus të kundërtën. U kushton shumë rëndësi gjërave dhe thellohet në analizimin e tyre. Kjo reflekton edhe në filmat e saj. Sefa deri më tani ka realizuar filmin e metrazhit të gjatë “Looking for Venera” dhe disa filma të shkurtër si:“Kiss, me now.”, “Desde Arriba” (2019), “23rd of May” (2016), “Move” (2015), “Flutter” (2014), “Cheers” (2015), “Within” (2014), “Ingredients” (2014), “Brådska” (2013).

Filmi i saj i fundit i shkurtër “Kiss me, now.” do të shfaqet në edicionin e sivjetmë të “DokuFestit”, që mbahet prej 7 deri më 25 gusht. Është në garë në kategorinë e filmave të Ballkanit.

Bota e personazheve në pikëpyetje

Gjatë realizmit të filmave, regjisorja e lindur në Kosovë, por që ka jetuar në Danimarkë e ka si qëllim që të vërë në pah kompleksitetin e një eksperience.

“Më pëlqen që të luaj me pasiguritë e jetës, sepse zakonisht njerëzit nuk i shprehin ato që ndjejnë, nuk është në kulturën tonë, nuk i kanë mjetet për të bërë diçka të tillë, kështu që unë e gjej veten të ngecur me karaktere që kryesisht janë të zënë duke i fshehur ndjenjat e tyre dhe konceptet për botën”, thotë Sefa. E shtjellon këtë edhe më shumë. “Më pëlqen që të luaj me pasiguritë e jetës dhe të mendoj se asgjë nuk është e sigurt”, shton ajo.