Kulturë

Reagimet për “Emirën” hasin në vesh të shurdhër në Teatër e Ministri të Kulturës

Një pjesë e ekipit të shfaqjes “Emira” dhe drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës gjatë provave të mbajtura në tetorin e vitit të kaluar

Një pjesë e ekipit të shfaqjes “Emira” dhe drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës gjatë provave të mbajtura në tetorin e vitit të kaluar

Bashkëprodhimi i tri teatrove, Teatrit Shqiptar të Shkupit, dhe dy teatrove kombëtare në Shqipëri e Kosovë, për një vit ka ngelur peng. Vjet pak ditë para premierës dhe nisjes së festivalit, është ndërprerë puna për shfaqjen “Emira”, shkaku i grevës së aktorëve të Teatrot Kombëtar të Kosovës, prej atëherë s’ka tjetër datë për premierë. Si nikoqir, TKK-ja bart barrën kryesore financiare të shfaqjes, bashkë me atë për krijimin e kushteve për kthimin e këtij produksioni. Por ky institucion bashkë me Ministrinë e Kulturës kanë zgjedhur heshtjen

Teatri Kombëtar i Kombëtar i Kosovës këtë vit do të jetë nikoqir i edicionit të tretë të festivalit mbarëkombëtar të teatrove, “Moisiu”. Por “Emira” me tekst të Anton Santorit, shfaqja me të cilën planifikohej të hapej – edicioni që vitin e kaluar i anulua për shkak të grevës së aktorëve të TKK-së – nuk do të jepet. Produksioni i tri teatrove, Teatrit Shqiptar të Shkupit, dhe dy teatrove kombëtare në Shqipëri e Kosovë, për një vit ka ngelur peng. Vjet, pak ditë para premierës dhe nisjes së festivalit, u ndërpre puna shkaku i grevës, prej atëherë s’ka tjetër datë. Si nikoqir, TKK-ja bart barrën kryesore financiare të shfaqjes, bashkë me atë për krijimin e kushteve për kthimin e këtij produksioni.

Një reagim publik i regjisorit të kësaj shfaqjeje, Kushtrim Bekteshi, ka hasur në vesh të shurdhër. Të paktën publikisht s’ka bërë zë askush. Teatri Kombëtar i Kosovës ka heshtur bashkë me Ministrinë e Kulturës. Për regjisorin dhe një pjesë të ekipit të shfaqjes krejt kjo është e pakuptimtë. Bekteshi nëpërmjet një teksti autorial ka përshkruar agoninë që përshkoi këtë projekt teatror të publikuar me goxha nam nga TKK dhe teatrot e tjera bashkëproducente. Ka treguar se kanë komunikuar me TKK-në e Ministrinë e Kulturës.

“Që atëherë nuk u ndërmor asnjë veprim serioz dhe i vendosur që të konsolidohet gjithë ekipi i shfaqjes dhe të realizohet premiera e shfaqjes. Vetëm përpjekje sipërfaqësore, shumë fjalë e premtime boshe, propozime datash e planesh rikthimi të predestinuara të dështojnë. Brenda një viti të tërë asnjë veprim serioz dhe i plotvullnetshëm për ta rikthyer një shfaqje që padrejtësisht u ndërpre dhe padrejtësisht po mbahet ende në agoni”, ka shkruar regjisori nga Maqedonia e Veriut, Kushtrim Bekteshi. Organizatorët e Festivalit që sivjet pritet të mbahet nga 22 deri më 27 nëntor, s’e kanë përfshirë këtë shfaqje. Menaxhmenti i TKK-së, saktësisht drejtori i përgjithshëm, Kushtrim Sheremeti s’është përgjigjur në pyetjet e KOHË-s rreth kësaj çështjeje. As Ministria e Kulturës të hënën s’ka pasur përgjigje.

Regjsiori Bekteshi, të hënën, ka thënë se nuk është në pozitë për të kërkuar përgjegjësi nga dikush.

“Besoj ka organe juridike dhe administrative brenda TKK-së dhe MKRS-së që mund të kërkojnë përgjegjësi nga gjithë përgjegjësit që me veprimet/mosveprimet e tyre e kanë lejuar krijimin e kësaj situate të agonisë njëvjeçare me shfaqjen ‘Emira’ dhe, pos kësaj, nuk e kanë mbyllur çështjen e pagesave për bashkëpunëtorët e jashtëm”, ka thënë ai. Ka treguar se dymbëdhjetë bashkëpunëtorë të tjerë të jashtëm të shfaqjes “Emira” që janë kontraktuar nga TKK-ja, gjatë gjithë kohës janë treguar bashkëpunues dhe të vullnetshëm për të gjetur zgjidhje rreth të gjitha çështjeve të hapura. Ka përmendur dhjetëra komunikime nëpërmjet postës elektronike me zyrtarët e TKK-së dhe MKRS-së.

“Unë gjithmonë kam shprehur gatishmëri t’i rikthehem provave në çdo kohë që do të krijohen kushtet për mbarëvajtjen e punës që premiera të dalë e suksesshme. Tani gjithçka është në dorë të udhëheqësisë së TKK-së se si do t’i bashkërendojë planet me dy teatrot bashkëprodhuese për konsolidimin e ekipit të shfaqjes dhe sigurimin e hapësirës së nevojshme kohore për rimëkëmbjen e shfaqjes deri në premierë. Unë dhe bashkëpunëtorët e jashtëm jemi në pritje”, ka thënë ai.  

Për aktorin Bujar Ahmeti, i cili është pjesë e shfaqjes krejt situata është e pakuptimtë.  

“Nuk e di se si mund të mbahet ky edicion i festivalit pa shfaqjen bazë të tij. Vetë ideja e festivalit ka qenë që shfaqja hapëse të jetë një bashkëprodhim midis tri teatrove që e organizojnë ngjarjen”, ka thënë ai.

Pas publikimit të tekstit reagues të regjisorit, Kushtrim Bekteshi, ka reaguar edhe dramaturgu Jeton Neziraj.

“Po e lexoj këtë reagim të kolegut tonë, regjisorit Kushtrim Bekteshi, dhe e vetmja fjalë që më vjen në mend është ‘kalbje’. Teatri Kombëtar i Kosovës është i kalbur; i janë kalbur të gjitha shtyllat që do duhej ta mbanin një institucion publik. I janë kalbur vlerat, idetë, bindjet, solidariteti, idealet, profesionalizmi…”, ka shkruar ai.

Sipas Nezirajt, i cili për një mandat para më shumë se një dekade ka qenë udhëheqës artistik i TKK-së, Maskat e tipit “sold out” s’kanë si ta fshehin apo mbulojnë turpin për skandale të tilla me kolegët artistë, të cilët, as pas një viti, nuk janë paguar për punën që kanë bërë, për shfaqjen që u ndalua pa fajin e tyre. “Ndërsa përrallat me ‘Moisira’, me festivale e me shfaqje të vogla provinciale, s’janë veçse pjesë e këtij kutërbimi që vjen nga kalbja”, ka shkruar ai. Por festivali do të vazhdojë megjithëse ende s’ka një program publik, as një javë para hapjes.

Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë dhe Sportit dhe Salla e Kuqe po ashtu, në këtë kompleks do të bëhen gati për edicionin e sivjetmë të nismës së tri teatrove kryesore në hapësirat shqiptare.

Realizmi i këtij festivali përllogaritet të ketë kosto prej 100 mijë eurosh. Vjet kur u anulua, këto 100 mijë euro qenë përdorur për të paguar obligime të institucioneve të tjera kulturore nga Ministria e Kulturës.  

Hyrja në grevë e aktorëve të Teatrit Kombëtar e Kosovës në mesin e nëntorit të vitit të kaluar “penalizoi” së pari Festivalin. Menjëherë më pas organizatorët e Festivalit, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Kombëtar i Shqipërisë dhe Teatri Shqiptar i Maqedonisë bënë të ditur anulimin.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e festivalit të teatrit shqiptar ‘Moisiu’ si një platformë për krijimin e rrethanave për bashkim dhe bashkëpunim të artistëve teatror shqiptar nga të tri shtetet, por njëkohësisht duke parë edhe pamundësinë e organizimit të denjë dhe festiv të edicionit të tretë të këtij festivali në Prishtinë nga 20-27 nëntor 2024, pas futjes në grevë të përgjithshme të Shoqatës Sindikale të Artistëve të TKK-së, marrin vendim që: Edicioni i 3-të i Festivalit ‘Moisiu’ në Prishtinë anulohet dhe nuk do të mbahet siç ishte paralajmëruar”, shkruhej në njoftim.

Azhur këtij njoftimi i kishte qëndruar Ministria e Kulturës. E kishte shpërndarë atë me “dëshpërim të thellë”.

Greva që zgjati deri në shkurt të këtij viti nuk nxori gjë në dritë. Kërkoi trajtim më i mirë i aktorëve të TKK-së sa u përket koeficienteve të pagës. Shoqata do të njoftonte se do ta pezullonte grevën pasi kishin marrë një zotim nga kabineti i ministrit të Kulturës në detyrë, Hajrulla Çeku. Prej atëherë, MKRS-ja s’ka bërë gjë për pagat.