Prishtinë, 13 nëntor – Arritje të drejtësisë e ka cilësuar të martën regjisorja e filmit “Kthimi”, Blerta Zeqiri, aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, që e ka refuzuar si të pabazë kërkesëpadinë që “Nine Eleven” kishte ngritur kundër saj.
Historia e këtij rasti zë fill shtatë vjet më parë kur organizata joqeveritare “Nine Eleven” e udhëhequr asokohe nga producenti Blerim Gjoci, kishte kërkuar që të vërtetohej e drejta e pronësisë autoriale mbi filmin “Kthimi”, që e paditura Zeqiri të obligohej që ta njihte të drejtën e tyre të autorësisë dhe që e njëjta të paguante shpërblimet prej çmimeve të fituara nëpër festivale sikurse t’i kthente edhe çmimet. Krejt kjo doli në pah kur Gjoci në tetorin e 2012-s e tërhoqi “Kthimin” nga nominimi për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit, i njohur si “Oscar” evropian.
“Pas shtatë vjetësh, më në fund, u arrit drejtësia duke u refuzuar si e pabazë kërkesëpadia që ‘Nine Eleven’ ka ngritur kundër meje lidhur me çmimet e filmit të shkurtër ‘Kthimi’”, ka shkruar ajo në një postim në rrjete sociale.
Por për palën tjetër, kjo histori ende nuk ka përfunduar. Producenti Blerim Gjoci ka paralajmëruar ankesë dhe ka thënë se aktgjykimi është i njëanshëm.
Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 25 tetor të këtij viti, konsiderohet nga kontrata e gushtit të vitit 2011 midis Zeqirajt dhe “Nine Eleven”, në nenin 6, është potencuar se regjisori ka të drejtën në shpërblimin e filmit si regjia më e mirë dhe shpërblimet e tjera që qartazi implikojnë punën apo emrin e regjisorit.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)