Kulturë

Rasti i Manastirit të Deçanit midis shansit si monument dhe precedentit

Çështja e 24 hektarëve tokë që me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i takonin Manastirit të Deçanit, tashmë është temë e mbyllur. Përtej një vendimi të drejtësisë e politik, ky veprim, sipas atyre që merren me trashëgimi kulturore, duhet të relaksojë marrëdhëniet midis Qeverisë dhe Kishës Ortodokse Serbe. Për më tepër, t’ia hapë dyert Manastirit të Deçanit për të gjithë. “Dyert e Manastirit duhet të jenë të hapura për të gjithë, ndërsa kleri fetar duhet të kursehet nga deklaratat dhe propaganda politike”, ka thënë Sali Shoshi. Por, mund të shndërrohet edhe precedent. “Nesër këta qeveritarë mund të lëshojnë pe dhe t’ia japin Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë një lloj ‘sovraniteti’ të tipit Mount Athos apo Vatikan, në këmbim të anëtarësisë në UNESCO, gjë që nuk duhet të bëhet kurrë”, ka thënë antropologu Arsim Canolli

Në krye të burimeve të propagandës serbe për qasjen e Kosovës ndaj monumenteve që shfrytëzohen nga serbët lokalë për rite fetare është Manastiri i Deçanit. Monument i rrezikuar në nivel evropian e deri te alarmet për sulme ndaj monumentit janë disa pika ku Kisha Ortodokse Serbe i ka dhënë flakë propagandës. Kurse 24 hektarë tokë që me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i takonin Manastirit të Deçanit tashmë janë temë e mbyllur. Qeveria e Kosovës nuk e respektonte këtë vendim. Por, të mërkurën ka marrë fund kjo çështje kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se “i kanë thënë Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”. Kjo është bërë në emër të procesit për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Përtej një vendimi të drejtësisë e politik, ky veprim, sipas atyre që merren me trashëgimi kulturore, duhet të relaksojë marrëdhëniet midis Qeverisë dhe Kishës Ortodokse Serbe. Për më tepër, t’ia hapë dyert Manastirit të Deçanit për të gjithë, por mund të shndërrohet edhe precedent.

“Manastiri duhet të jetë katalizator i paqes dhe zhvillimit lokal”

Në maj të vitit 2021, Manastiri e kishte refuzuar kërkesën e kryeministrit të Kosovës për vizitë në këtë monument të shtetit më të ri të Evropës. Midis të tjerash në arsyetim ishte edhe mosrespektimi i vendimit të vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese ku pronat e ndërmarrjeve “Ilira” dhe “Apiko” i takonin Manastirit që udhëhiqej nga abati Sava Janjiq.

Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij “CHwB Kosova”, ka qenë shpesh i zëshëm ndaj propagandës serbe në kurriz të Manastirit të Deçanit.

Të mërkurën ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka pasur një rrugë tjetër përpos zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si zbatim të ligjshmërisë në një shtet që aplikon parime demokratike. Sipas tij, procesi deri te vendimi i Gjykatës Kushtetuese është në masë të madhe kompleks dhe mbase edhe problematik duke ditur kontekstin kohor prej vitit 1997 e tutje, kur komuniteti lokal nuk ishte i përfshirë në vendimmarrje.

“Pra, vendimi është bërë nga regjimi i Milosheviqit përmes strukturave të instaluara në Kosovë. Prandaj ka marrë shumë kohë deri në zbatim, e sigurisht komuniteti lokal ka shqetësimet e veta në lidhje me këtë”, ka thënë ai. Këto prona që u takonin dy ndërmarrjeve në kohën kur Kosova ishte Krahinë Autonome, gjatë regjimit të viteve ’90, kur shqiptarët ishin përjashtuar nga institucionet, i ishin dhënë Manastirit.

“Sido që të jetë, kjo është tashmë një punë e kryer dhe le ta shohim këtë si një mundësi të re për të ndërtuar një raport të ri në mes të Manastirit të Deçanit dhe komunitetit lokal”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, Manastiri i Deçanit është një vlerë e jashtëzakonshme e trashëgimisë kulturore të Kosovës, vlerat e të cilit vlerësohen të jenë universale duke e listuar si vlerë botërore të trashëgimisë kulturore. Ka thënë se komuniteti lokal duhet të jetë krenar për kontributin që e kanë dhënë me shekuj për ruajtjen e Manastirit, si një vend të shenjtë dhe referencë kulturore e shpirtërore për ta.

“Unë mbaj mend që deri në vitin 1989, viti kur u intensifikuan masat e regjimit kundër Kosovës, Manastiri i Deçanit ka qenë një vend i vizituar nga i gjithë komuniteti lokal pa dallim etnie dhe feje. Sot me këtë mundësi të re Manastiri duhet të jetë katalizator i paqes dhe zhvillimit lokal”, ka thënë ai. Në pikëpamjen e tij gjërat duhet të marrin kahe pozitive.

“Dyert e Manastirit duhet të jenë të hapura për të gjithë, ndërsa kleri fetar duhet të kursehet nga deklaratat dhe propaganda politike. Qytetarët e Deçanit duhet gjithashtu të jenë të përgatitur me infrastrukturë turistike për të pritur mijëra e mijëra vizitorë që do të vijnë për këtë perlë të trashëgimisë kulturore dhe sigurisht edhe për bukuritë natyrore që fillojnë nga aty e vazhdojnë në parkun kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’”, ka thënë Shoshi.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese prej kur është marrë para tetë vjetësh e deri tash ka qenë një prej çështjeve më të diskutueshme bashkë me moszbatimin e tij. Është parë i padrejtë, përderisa institucionet kanë qenë vazhdimisht nën presion ndërkombëtar që të gjejë zbatim në praktikë. Kundërshtarë të mëdhenj kanë qenë edhe Qeveria e tanishme, sidomos kryeministri Albin Kurti. Edhe të mërkurën ka thënë se vazhdon që të mos e ndryshojë qëndrimin, por duhet ta zbatojë atë.

“Këmbimore politike: Manastirin e Deçanit për anëtarësim në KE”

Antropologu e profesori universitar, Arsim Canolli, shpesh ka shkruar për qasjen që duhet të ketë shteti në raport me trashëgiminë kulturore, sidomos me atë që shfrytëzohet nga minoriteti serb për rite fetare.

Të mërkurën ka thënë se deri më sot të gjithë kanë bërë populizëm me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit e sidomos aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje që tash janë qeveritarë.

“Ky vendim është i ‘kryeplakut’ të kushtetutshmërisë në Kosovë, Gjykatës Kushtetuese. Duhet të respektohet. Pavarësisht që vendimi i gjykatës është kontestuar shumë, sidomos për rrjedhshmërinë ligjore të statusit të pronave që i janë dhënë Manastirit të Deçanit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është final. Do të duhej ta respektonte secila qeveri. Qeveria respektoi atë që është dashur të respektohej gjithmonë: vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai. Por sipas Canollit, megjithatë, theksi duhet të vihet te populizmi.

“Merret një vendim që nuk përkon me gjithë zhurmën e populizmin që kanë bërë këta qeveritarë gjithmonë. Së dyti, vendoset haptas kushtetutshmëria në këmbimore politike: Manastirin e Deçanit për anëtarësim në Këshill të Evropës. Kjo tregon se bëhet pazar me Kushtetutën e vendit. Kjo mund të ‘shihet’ si arritje, sepse mund të thuhet se po jepet diçka që veçse është dashur të bëhej, sepse është vendim final i Kushtetueses, për një favor politik”, ka thënë ai. Në këtë kontekst ka shtuar se në realitet tregohet shumë për seriozitetin e shtetit që respekton Gjykatën Kushtetuese vetëm në rast favoresh.

“Deri dje aktivistët e Vetëvendosjes, që sot janë në udhëheqje të vendit, bënin harta se si 10 për qind e më shumë e Kosovës bëhet e Serbisë me Planin e Ahtisaarit. Flisnin për eksterritorialitetin. Populizëm. E vërteta është se zonat mbrojtëse të kishave dhe manastireve ortodokse, sipas këtij plani, nuk janë si sipërfaqe e përbashkët, më shumë 0.1 për qind e sipërfaqes së territorit të Kosovës. Plus, kur studiohet mirë ligjshmëria e kësaj pune: për punët finale brenda këtij shtegu ligjor vendoset ‘në përputhje me ligjet e Kosovës’”, ka thënë ai. Sipas Canollit, çështja qëndron brenda ligjeve të Kosovës, brenda Planit të Ahtisaarit.

“Nesër këta qeveritarë mund të lëshojnë pe dhe t’ia japin Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë një lloj ‘sovraniteti’ të tipit Mount Athos apo Vatikan, në këmbim të anëtarësisë në UNESCO, gjë që nuk duhet të bëhet kurrë. Por, kjo është udha e populizmit radikal, që punon me fjalë të mëdha, gulçime, utopi, që pastaj shndërrohet në populizëm stabilist: arsyetohet populizmi me populizëm më të butë: thuhet se për hir të stabilizimit, avancimit, anëtarësimit – po lëshojmë pe”, ka thënë ai.

Ndërrimi i qasjes në raport me tashmë pronat e Manastirit mund të shërbejë për relaksim të marrëdhënies midis KOS-it si institucion fetar dhe Qeverisë së Kosovës. KOS gjithnjë i ka dhënë zjarr propagandës. Kishte shkuar deri në nivelin sa Serbia ia kishte dalë më 2021 të alarmojë ndërkombëtarisht se trashëgimia kulturore e Kosovës nuk është e sigurt. E kishte bërë këtë me Manastirin e Deçanit. Ky objekt i shekullit 14 atë vit qe bërë pjesë e listës së shtatë monumenteve të trashëgimisë kulturore në rrezik, i hartuar nga organizata “Europa Nostra”. Baza e këtij vendimi të kësaj organizate ishin raportet e shtetit serb drejtuar UNESCO-s pasi Manastiri është një prej katër monumenteve që ndodhën në Listën e trashëgimisë kulturore në rrezik në emër të Serbisë, edhe pse janë trashëgimi kulturore e Kosovës.


Manastiri i Deçanit ndër tempujt më të mëdhenj mesjetarë në Ballkan

Manastiri i Deçanit (1335), bazilikë romanike me elemente gotike, është njëri ndër tempujt më të mëdhenj mesjetarë në Ballkan dhe paraqet monumentin më të madh të ruajtur bizantin freskografik. Arkitekti është mjeshtër shqiptar, Vita Cuci Kuqi, klerik katolik së bashku me dhjetëra skalitës nga Kotorri. Në një dokument të arkivave të Vatikanit thuhet se Car Dushani, skizmatik i Serbisë, kur kishte filluar rindërtimin, në të vërtetë konvertimin e Kishës së Deçanit, ai ishte detyruar të siguronte një njësit të fortë ushtarak për mbrojtjen e mjeshtërve, sepse vendasit – shqiptarët katolikë, nuk donin t’i lejonin rindërtimet në kishën e tyre. Ndërkaq, në një dokument tjetër që mban datën e 19 dhjetorit të vitit 1167, informon se Papa Aleksandër (Alexander III) lavdëron peshkopin shqiptar Lazrin (Lazarus), i cili dëshironte ta braktiste ritin grek dhe ta pranonte atë roman. Sidoqoftë, kjo faltore e bukur i dedikohet krishtit pantokrator dhe është e ndërtuar nga blloqe të kuqe në të purpurt, nga mermeri oniks i së verdhës së lehtë. Ajo dallohet nga kishat e tjera bashkëkohore nga dimensionet e saj imponuese dhe karakteristikat e dukshme romaneske. Pikturat murale të saj, që janë pikturuar më vonë mbi një sipërfaqe monumentale të mureve, 36 metra gjerësi me 30 metra lartësi – përbëhen nga rreth 1.000 portrete, si dhe me temat kryesore të Dhiatës së Re. UNESCO e ka shpallur Manastirin e Deçanit Trashëgimi Botërore në vitin 2004, duke përmendur se afresket e tij janë nga shembujt më të shquar të rilindjes paleologe të pikturës bizantine dhe një rrëfim i rëndësishëm i jetës së shekullit XIV.

Shkëputur nga seria e teksteve “Kujt i përkasin në të vërtetë tempujt fetarë në Kosovë?” të Shyqri Nimanit (6 maj 1941 – 22 qershor 2023), botuar për herë të parë në Shtojcën për Kulturë, prej korrikut deri në gusht të vitit 2014, ribotuar në shkurt e mars të këtij viti