Prej 2 milionë eurove sa ka Qendra Kinematografike e Kosovës, me konkursin e dhjetorit nxori 3 projekte fituese për film të metrazhit të gjatë, të cilët bashkë, do të marrin prej shtetit 800 mijë euro. Për konkursin e radhës në 11 kategori ka edhe 1.2 milion euro në dispozicion, por numri i projekteve që kanë aplikuar prej 22 majit deri të hënën është jo më shumë së 11. Vitin e kaluar kishin qenë gati 13 fish më shumë. Për këtë QKK-ja ka marrë vendim: ta zgjasë afatin e aplikimit deri më 7 korrik
Qendra Kinematografike e Kosovës e ka zgjatur afatin e aplikimit për mbështetje të projekteve filmike për thirrjen e fundit. Konkursi i hapur më 22 maj, ishte planifikuar që të ketë afat për aplikim deri më 25 qershor. Mirëpo duke marrë parasysh numrin e aplikacioneve deri në mëngjesin e së hënës, ka vendosur që afati të zgjatet deri në përfundim të ditës së 7 korrikut. Kësisoj krejt producentët do të kenë mundësi që të konkurrojnë në 11 kategori në afat gati dy javë më të gjatë.
Ky konkurs ka ardhur pas atij të dhjetorit kur QKK-ja kishte përkrahur veç projektet për filma të gjatë.
Drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, ka treguar se arsyeja e shtyrjes së afatit lidhet me numrin e aplikimeve.
“Deri sot në orën 09:00 kur edhe është marrë vendimi për shtyrje kanë aplikuar vetëm 7 projekte filmike. Përderisa në vitin e kaluar kanë aplikuar 140 projekte. Kjo ishte arsyeja kryesore e shtyrjes se afatit te aplikimit”, ka thënë Zeqiri për KOHËN, mbrëmjen e së hënës. Po ashtu ka treguar se deri në atë kohë janë bërë edhe katër aplikime të tjera.
Në këtë konkurs, mund të aplikohet me projekte për film i metrazhit të gjatë artistik, film të metrazhit të gjatë dokumentar, film të metrazhit të gjatë me buxhet të ulët ose eksperimental, film të metrazhit të shkurtër artistik, film të shkurtër të animuar, film të shkurtër dokumentar, film të shkurtër studentor, zhvillim të skenarit për film të metrazhit të gjatë artistik dhe të animuar, post-produksion për film të metrazhit të gjatë artistik dhe dokumentar, bashkëprodhim minor për film të metrazhit të gjatë, zhvillim të projektit për film të metrazhit të gjatë artistik, dokumentar dhe të animuar si dhe për film të shkurtër të animuar.
Paraprakisht, Qendra Kinematografike Kosovës kishte përzgjedhur që prej 12 projekteve kinematografike për filma të gjatë artistikë, t’i mbështesë vetëm tre prej tyre. Ky numër shihej si i vogël sa i përket mbështetjes, por institucioni më i lartë filmik në vend planifikonte që të hapë një tjetër thirrje. Kësisoj, të paktën sipas vitit kalendarik, QKK-ja i bie që vjet ka hapur veç një konkurs dhe atë veç për një kategori. Konkursi qe hapur në dhjetor kurse rezultat qenë bërë të ditura në fund të shkurtit.
Projekti “Dua” me skenar e regji të Blerta Bashollit e producent Valon Bajgorën ka marrë përkrahjen më të madhe me 340 mijë euro. I dyti renditej “Dua të shkoj sërish në det” me skenar e regji të Leart Ramës e producent Valmira Hysenin që është përkrahur me 240 mijë euro. Kurse i treti është “Gjurmë” nën regji të Rita Krasniqit, skenar të bashkëshkruar me Jon Gojanin e producent Gojanin që është mbështetur me 220 mijë euro.
Për këtë thirrje, QKK-ja kishte emëruar në përbërje të jurisë, Tin Dirdamalin, Norika Sefën, Antoneta Kastratin, Thomas Logorecin dhe Alireza Ghasemin. Kurse në komision financiar ishin: Ilir Hasanaj, Ujkan Hysaj dhe Virgjina Peja.
Thirrjes së dhjetorit të vitit të kaluar ia kishin mësyrë edhe projektet “Sa o Roma Babo” nën regji të Agim Sopit, “Zanushja” nën regji të Sabri Pajazitit, “Babai dhe babai” nën regji të Besim Ugzmajlit dhe “Lule” nën regji të Edon Rizvanollit. Po ashtu në listën e aplikuesve ishin edhe “Vajza” nën regji të Eki Rrahmanit, “Zëri që nuk dëgjohet” nën regji të Luan Kryeziut, “As numrat e telefonit nuk i shkëmbyem” nën regji të Genc Berishës, “Vezë mjellme” po ashtu nën regji të Berishës dhe “Lindur për të jetuar” nën regji të Kastriot Avdylit.
Afati i aplikimit në këtë thirrje ishte shtyrë për një ditë, shkaku i “problemeve teknike” të platformës.
“Për shkak të problemeve teknike që aplikuesit kanë hasur në platformën online gjatë ditës së djeshme, afati për aplikim për subvencionimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë është shtyrë”, shkruhej në deklaratën e QKK-së.
Funksionimi i QKK-së gjatë vitit të kaluar ka bërë që 2024-shi të jetë i djegur. Jo vetëm me humbjen e ritmit, por edhe me buxhet. 1.6 milion euro sa ishte buxheti për 2024, nuk ishte shfrytëzuar për projekte të atij viti.
Edhe më 2023 konkursi nuk ishte hapur deri në dhjetor me arsyetimin se rregulloret i duheshin përshtatur Ligjit për kinematografi që e ka zëvendësuar atë të vitit 2004. Asokohe, drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, kishte thënë se prej vitit 2024, QKK-ja planifikon të hapë dy konkurse brenda vitit, një në qershor e tjetrin në nëntor. Por ia ka dalë që vjet të hapë veç çerek konkursi dhe atë në dhjetor.
Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për këtë vit, QKK-ja në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve ka dy milionë euro. Vjet i ka pasur 1.6 milion euro.
Prej nëntorit të vitit të kaluar shteti i Kosovës synon që të bëhet konkurrent krahas vendeve të tjera që u ofrojnë mundësi e lehtësira kompanive të mëdha kinematografike. Me këtë synim, Qeveria ka miratuar Rregulloren për të drejtën e rabatit. Kompanitë e huaja që investojnë dhe shpenzojnë drejtpërdrejt në Kosovë për projektet e tyre do të rimbursohen me 30 për qind të vlerës së investimit. Ta zëmë, nëse një kompani audiovizuale shpenzon në Kosovë 1 milion euro për film, serial, videolojëra a reklamë, shteti do t’ia kthejë 300 mijë euro. Ky hap ka pasur alamet promovimi të brendshëm nga Qeveria, përderisa komunitetin artistik deri diku e ka ndarë në dysh. Por për këtë mundësi duhet bërë goxha fushatë. E me fushata QKK-ja nuk i ka punët mirë.