Përditë e më shumë pakësohet numri i artizanëve. Qëndisja jo rrallë i referohet së kaluarës, por ka shenja që ajo të rilindë si formë e re e artit. E një shembull i kësaj rilindjeje është edhe punëtoria me artistin Gani Riza, i cili jeton e vepron në Paris. Ka bashkuar nja 15 vajza për të mësuar teknikat e moçme në hapjen e një kapitulli të ri të kësaj shprehjeje artistike. “Është mirë që këtë trashëgimi ta kthejnë dhe t’i tregojmë botës për artin tonë”, ka thënë Riza
Janë penj të ngjyrave të ndryshme që pritet të hyjnë në punë nga të rinjtë. Në një grumbullim tavolinash që krijojnë hapësirë për nja 15 veta shtrihen pëlhura të ndryshme për nga madhësitë e ngjyrat. Janë kryesisht studentë të Fakultetit të Arteve ata që ia kanë mësyrë të mësojnë pak nga teknikat e qëndisjes. Në këto anë qëndisja është traditë. Dikur ka qenë tejet e pranishme. Çdo vajzë para se të bëhej nuse duhej që të tregonte shkathtësi në qëndisje të ndryshme. Krejt vepra arti, kush më shumë e kush më pak. E shtrirja e pajës ka qenë njëfarë ekspozite personale. Për t’i vazhduar paralelet, asokohe nuk shkruhej ndonjë kritikë, por ato që ishin pak më të shkathëta në këtë traditë jepnin komente a vlerësime.
Të mërkurën mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës nja 15 vajza kanë qenë pjesë e punëtorisë për teknikat e qëndisjes. Jo për pajë, por për të tjera formate të artit.
Artisti i ri Gani Riza që jeton në Paris është një prej pjesëmarrësve në ekspozitën kolektive që këto ditë po qëndron e hapur në Galeri. Veprat e tij shihen qartë që janë të ndikuara nga rrëfimet e të afërmve të tij. Copëzat e tapicerive mbajnë lloj-lloj simbolesh shqiptare. Janë diçka që vërehen te shumica e mërgimtarëve shqiptarë, por Riza i ka në tjetër format. Është artist jo me pak nam në Paris.
Me gjilpërë në dorë ka udhëhequr punëtorinë e mbajtur në mbrëmje. Mbi pëlhurat ku janë vizatuar figura të ndryshme për orientim se nga të enden penjtë, ai ua ka shpjeguar teknikat e qëndisjes të rejave. Punëtoritë e tilla në vend kanë ndikuar që të rinj të ndryshëm të vazhdojnë krijimtarinë në drejtime të ndryshme. Riza është dukur i papërtesë për të dhënë sqarime e për të demonstruar teknikat.
“Jam duke shpjeguar teknika të ndryshme që i kam mësuar gjatë studimeve të mia e punës që bëj”, ka treguar ai. Punëtoria është mbajtur në katin e sipërm krahas punimeve të Rizës. Megjithëse i lindur Paris, lidhjen me Kosovën duket sikur e ka të fortë. E ka përmendur disa herë. Kjo dëshmohet edhe në një tekst që e shoqëron ekspozitën ku ai prezantohet me veprën “ALBAN’$ 4EVER: Kam një histori për të treguar”.
“Prej kur isha fëmijë kam ardhur shumë shpesh, çdo verë në Gjakovë dhe mendoj që ka printuar në mua shumë modele dhe shumë frymëzim dhe marr kohë për të kuptuar se sa shumë ka lënë gjurmë në jetën time”, shkruhet krahas veprave të tij ku Riza citohet në një bisedë më Donjëtë Muratin e Simon Kurtin. Aty kishte treguar se si i lindur në Paris kishte kulturë të dyfishtë. Të mërkurën ka treguar se si fëmijë në Kosovë haste në dyqane që shisnin qëndisje të ndryshme. Është treguar nostalgjik për atë kohë.
“Është mirë që këtë trashëgimi ta kthejnë dhe t’i tregojmë botës për artin tonë”, ka thënë ai. Sipas Rizës, të rinjtë nëpërmjet qëndisjeve mund të përfitojnë ekonomikisht, por edhe të promovojnë gjëra autoktone.
Pos punëtorisë, të pranishmit mund të shohin vepra interesante në tapiceri të ndryshme në Galeri. Në fund të shkurtit është hapur ekspozita “Ngjarja e një fijeje. Narrativat globale në tekstil”. Kulturat e narrativat e artistëve janë lidhur në ekspozitën që mbyllet me 28 prill. Aty përfshihen evoluimi nga eksplorimi i fijes që nga përpunimi i saj e deri te transformimi në vepër arti. Janë “narrativa globale në tekstil”, siç është pjesa e dytë e titullit të ekspozitës. Veprat ndryshojnë varësisht prej hapësirave kulturore. Dhe ky është pikërisht koncepti i ekspozitës që parasheh lidhjen në rrëfimin e ekspozitës. Instituti për Marrëdhëniet e Jashtme Kulturore me ekspozitën shëtitëse “The Event of a Thread” ka mbledhur kulturat e narrativat e artistëve nëpër dhomat ekspozuese të Galerisë. Aty përfshihet evoluimi nga eksplorimi i fijes që nga përpunimi i saj e deri te transformimi në vepër arti. “Ngjarja e një fijeje. Narrativat globale në tekstile” nxjerr mënyrat komplekse të punës me tekstile. Narrativa shqiptare vjen nëpërmjet veprave të Blerim Luzhës, Farija Mehmetit, Silvi Naçit, Barbara Prenkas, Gani Rizës, Matej Rodiqit, Driton Selmanit dhe Valbona Zherkës.
Krahas kësaj, Programi i Edukimit në GKK synon të joshë artistët e rinj e fëmijët që të mësojnë praktika të ndryshme.
“Punëtoritë po shkojnë shumë mirë dhe interesimi duket mjaft i lartë”, ka thënë Vlora Hajdini-Hajrullahu, e cila udhëheq këtë program. Qëndisjet janë dukur diçka atraktive te të rinjtë. E tapiceritë në këtë kohë janë goxha në modë, qoftë për riprodhim pikturash apo dizajn drejt e në material.