E vërteta është urgjencë e sidomos në media. Propaganda vazhdon ta mbajë peng ballafaqimin me të kaluarën dhe situata është e njëjtë pothuajse në krejt vendet e rajonit.
Këto kanë qenë disa prej konstatimeve që janë bërë të martën në panelin për ballafaqimin me të kaluarën, “E vërteta është urgjencë”, të mbajtur në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës” në Prizren në kuadër të edicionit të 18-të të “DokuFestit”, shkruan sot Koha Ditore.
Pjesëtarët e shoqërisë civile e të komunitetit të gazetarëve, Agon Maliqi, Valerie Hopkins dhe Jelena Grujiq-Zindoviq kanë folur për mënyrën sesi raportohet në media. I kanë fajësuar ndër kryesoret në nxitje të përçarjeve. Sipas tyre, në vendet e rajonit përballja me të kaluarën është e vështirë kur ka ende probleme e që janë të dukshme edhe në të tashmen.
Agon Maliqi, aktivist i shoqërisë civile dhe gazetar, ka thënë se roli i mediave kryesisht në rajon nuk mund shihet i shkëputur prej mjedisit të përgjithshëm kulturor, atij politik e ekonomik.
Sa i përket mjedisit shoqëror, ai ka theksuar faktin se historia në rajon nuk shihet si shkencë, mirëpo si një mjet për propagandë e si mjet politik. Ndërsa për mediat ka thënë se ato operojnë brenda një diskursi shoqëror të një të kaluare që është politizuese dhe përjashtuese. Ato, sipas tij, janë reflektim i tyre.
Valerie Hopkins, gazetarja amerikane, e cila raporton nga vendet e rajonit për media të njohura botërore, ka treguar se së fundi ka udhëtuar me një taksi nga Graçanica në Prishtinë. Destinacion ka pasur “Sunny Hill Festivalin” dhe sipas Hopkins taksisti nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Ajo ka thënë se është befasuar që ky zotëri nuk e di se çfarë ndodh pesë kilometra nga qyteti ku jeton. E në anën tjetër ka kujtuar se tabloidët në Serbi kanë shkruar gjëra negative për këngëtaren Miley Cyrus për shkak të përkrahjes që ajo u ka dhënë shqiptarëve gjatë festivalit. Hopkins ishte e befasuar me situatën, mirëpo sipas saj ky është një shembull i realitetit sesi këto gjëra mund të bashkekzistojnë shumë afër njëra-tjetrës, por pa komunikuar.
Jelena Grujiq-Zindoviq është treguar pesimiste ndaj situatës së mediave njëlloj si panelistët e tjerë. (Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)