Kulturë

Profesori që pasuroi dijen mbi gjeografinë shqiptare

Ai ishte një nga gjeografët e parë në Kosovë. Dhjetëra tekste të gjeografisë për nxënës e studentë janë vetëm një pjesë e trashëgimisë së pasur shkencore të Riza Çavollit. Paraditen e së premtes, në moshën 89-vjeçare, profesori shumëvjeçar ka ndërruar jetë.

Studiues, kolegë e miq kanë vlerësuar lart kontributin akademik të Çavollit në shkencën e gjeografisë. Fryt i kërkimeve të tij shkencore janë studime të shumta mbi gjeografinë e hapësirave të Kosovës. Në mars të vitit 2017, në moshën 87 vjeçe, Çavolli kishte folur edhe për kufijtë e Kosovës me Malin e Zi, për Grykën e Rugovës dhe Çakorrin, shkruan sot Koha Ditore.

Ndër të parët që ka dhënë kumtin për vdekjen e profesor Çavollit ka qenë historiani, Jahja Drançolli, i cili e ka cilësuar atë si një ndër gjeografët më të shquar shqiptarë.

“Në Prishtinë, në orët e para të pasdites së 1 nëntorit 2019, ka ndërruar jetë prof. dr. Riza Çavolli, një ndër gjeografët më të shquar të kombit. Është shquar për njërin ndër lëvruesit e gjeografisë regjionale të Kosovës dhe të Shqipërisë, lëmi në të cilin shkroi shumë libra studimorë dhe universitarë”, ka shkruar Drançolli në një shkrim të afishuar në llogarinë e tij në Facebook.

Me një opus profesional e shkencor, që numëron 21 libra dhe afro 85 njësi bibliografike, artikuj, studime e punime shkencore, rrugëtimi akademik i profesor Çavollit kishte filluar në fillim të viteve '70.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)