Në lidhje me ndalimin e shfaqjes në Podgoricë të filmit “Lejleku” të Isa Qosjes bashkëproducenti malazias i filmit, Ivan Gjuroviq, në një deklaratë për KOHËN, ka thënë se fajin për këtë e kanë shteti dhe shoqëria, meqë gjithnjë janë ushqyer me “mite të rreme”. Ka kujtuar se “Lejleku” para së gjithash është një film i shkëlqyeshëm i cili edhe në Mal të Zi është pritur mahnitshëm nga publiku e kritika, një vepër që flet për gratë pa të drejta, migrimet e për fshatrat që shuhen.
“Shfaqja u ndërpre sepse disave u pengon gjuha. Por ata nuk janë fajtorë. Fajtorë janë shteti dhe shoqëria që kurrë nuk ndërtuan një kornizë qytetare, por lejuan që të ringjallen mitet e rreme, nacionalizmi dhe ndasitë. E gjithë kjo me një qëllim: të fshihen krimi dhe korrupsioni. Prandaj unë nuk i gjykoj ata njerëz, por i ftoj ta shikojnë filmin. Nëse i provokon aq më mirë. Sepse provokimi është thelbi i artit.”, ka thënë ai në një përgjigje për KOHËN. Ka thënë se ka gabuar në një rast.
“Në një moment kam qenë optimist dhe kam besuar se kjo çmenduri nacionaliste e zgjuar do të marrë fund. Në qershor madje u nënshkrua një marrëveshje mes partisë më të fortë shqiptare tek ne dhe partisë proserbe klerofashiste dhe më është dukur se ky mund të ishte themeli i pajtimit të malazezëve dhe serbëve, ashtu edhe i të gjitha pajtimeve të tjera. Por që atëherë gjithçka vetëm është intensifikuar. Nga ngritja e një monumenti për kriminelin dhe xhelatin e Luftës së Dytë Botërore e deri te provokimet e reja, të vazhdueshme, që na ndajnë edhe më thellë”, ka shtuar ai. Gjuroviqi ka thënë se tash mbetet një pyetje thelbësore. “Në një vend ku na shkatërrojnë korrupsioni dhe hajnia a do të na provokojë filmi dhe gjuha që është edhe gjuhë zyrtare në Mal të Zi?”, ka pyetur ai.
Kur e ka përshkruar filmin ka thënë se “Isa Qosja i rrëfen ato fate me hidhërim të ëmbël, në gjuhën e tij – e vetmja me të cilën ky rrëfim mund të marrë frymë”. “Ky nuk është një film për çështje kombëtare, por për çështje njerëzore, universale – prandaj u mbështet nga ‘Eurimages’ dhe nga katër dhe katër vende e për të punuan autorë të njohur botërisht”, ka thënë ai.