Ndërprerja e shfaqjes së filmit “Lejleku” me regji të Isa Qosjes të mërkurën në festivalin e filmit “Xhada” në Podgoricë të Malit të Zi ka ngjallur reagime e polemika të shumta në botën e artit dhe përtej. Sipas organizatorëve ajo u ndërpre për shkak të pakënaqësive të shprehura zëshëm nga një grup personash ende të panjohur, të cilëve, siç thuhet, u pengoi fakti që filmi ishte në gjuhën shqipe. Sipas mediave malazeze, ky grup bëri thirrje nacionaliste e kërcënime.
Vetë regjisori Isa Qosja ka thënë për KOHËN të premten se nuk është i befasuar nga ky veprim dhe se pavarësisht kësaj ndërprerjeje, arti shqiptar ekziston dhe do të ekzistojë gjithmonë.
“Në parim, ndërprerja e projeksionit në Mal të Zi nga nacionalistë ekstremë serbë nuk më befason aspak. Kjo është dëshmi që ata as gjuhën e një populli tjetër nuk e durojnë, e lëre më njerëzit, hapësirën, kulturën… Le të vuajnë edhe në këtë mënyrë, sepse ne jemi dhe do jemi përgjithnjë”, ka thënë ai.
Ka treguar se është ndier keq përballë pjesës malazeze që e ka admiruar filmin. Sipas tij, ndërprerja është e planifikuar dhe e orkestruar nga Serbia.
“Më vjen keq për atë pjesë të publikut malazez, të cilët me shumë admirim e kanë parë dhe përjetuar këtë film. Më janë lajmëruar shumë intelektualë dhe filmdashës e filmpunues nga Mali i Zi dhe janë të irrituar me atë që ndodhi, por të entuziazmuar me filmin. Filmi ka pasur një premierë kohë më parë në Podgoricë dhe është parë dhe pritur me ovacione. Pra, me ndërprerjen janë bërë planifikime dhe veprime të orkestruara nga Serbia”, ka treguar regjisori Qosja.
Ndërprerjen e dhunshme të filmit “Lejleku” e kanë dënuar ashpër organizatat joqeveritare, të cilat anë theksuar se kjo përbën sulm të rrezikshëm ndaj lirisë së shprehjes artistike e kulturore dhe shpërfaqje të hapur të urrejtjes për shkak të përkatësisë kombëtare dhe gjuhës.
“Një grup dhunuesish ndërpreu shfaqjen vetëm pse filmi ishte në gjuhën shqipe. Është shqetësuese që një sulm i tillë ndodh në një shtet shumetnik ku gjuha shqipe, sipas Kushtetutës, është gjuhë zyrtare”, theksuan OJQ-të malazeze, kanë raportuar gazetat “Vijesti” dhe "Pobjeda" të enjten.
Shqetësim për ndërprerjen e dhunshme shprehu edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, i cili e kishte financuar festivalin Xhada.
“Liria e shprehjes artistike është pjesë përbërëse e lirisë së fjalës dhe një nga vlerat thelbësore demokratike”, theksoi delegacioni në rrjetin X.
Festivali i filmit Xhada mbahet që dhjetë vjet dhe është festival ndërkombëtar i filmit debutues. Të gjithë filmat dhe dokumentarët shfaqen kryesisht në hapësira të hapura në Podgoricë.
Filmi i gjatë “Lejleku”, i regjisorit kosovar Isa Qosja, u shfaq premierë në shtator të vitit 2024 në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “PriFest” në Prishtinë. Ngjarja e filmit zhvillohet në fshatin e braktisur Vuthaj, vendlindjen e regjisorit Qosja, të banuar me popullsi shqiptare, në kufirin malazezo-shqiptar. Tema e emigracionit rrëfehet përmes historisë së tri brezave të grave fatkeqe.
Ky është projekti i parë malazez që u mbështet nga fondi evropian i filmit “Eurimages”, me 80 mijë euro. Filmi u realizua nga kompania “Artikulacija” e Podgoricës, në bashkëpunim me ABHO Film dhe ABA Film nga Mali i Zi, si edhe me shtëpi të tjera produksioni nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
LEXO EDHE: