Prishtinë, 25 shkurt – Fotografi të bëra sipas një mjeshtërie që tashmë ngjan si një e kaluar largët. Nuk janë të bëra me aparat digjital, por nga lentet e një aparati me film.
Shumë sosh madje të bëra bardhezi e pa ndërhyrje. Dhjetëra fotografi që kishin fiksuar mjedise të braktisura e shpesh edhe pa njeri të gjallë brenda janë shpalosur gjatë një slideshowi mbrëmjen e së hënës në mjediset e “Kino Armatës”.
I diplomuar në degën e pikturës në Fakultetin e Arteve, Vigan Nimani kishte zbuluar pasionin për fotografinë gjatë kohës sa “eksperimentonte” në kuadër të një hulumtimi mbi arkitekturën.
“E kam filluar si projekt-hulumtim në vitin 2009, duke pikturuar kryesisht gjëra që lidheshin me arkitekturën. Ajo që nisi si interesim për fotografinë vazhdoi gradualisht në zhytje gjithnjë e më thellë brenda saj”, ka thënë Nimani në bashkëbisedimin që pasoi shpalosjen e fotografive të tij.
Derisa në projektor fotografitë shpaloseshin njëra pas tjetrës, fokusi i Nimanit shihej gjithnjë duke kapur peizazhe arkitektonike urbane. Edhe para tre vjetësh ekspozita e tij solo “Properties of the undeveloped” në Prishtinë kishte sjellë rreth tridhjetë piktura e vizatime me relieve arkitektonike. Shumë prej atyre punimeve me ngjyra bardhezi shprehnin nostalgjinë e një bukurie të papritur ku njerëzit janë të paktë.
“Teknikën bardhezi të fotografive e kam nisur për shkak të ‘dark room’, por edhe se më pëlqente t’i zhvilloja vetë fotografitë”, ka thënë Nimani.
E një pjesë jo e vogël e fotografive kishin përjetësuar edhe mjedise të harruara fabrikash, shumë prej të cilave tashmë i përkasin historisë.