Kulturë

“Prenk Jakova” feston trashëgiminë e ikonës dhe të ardhmen e muzikës

Përtej një koncerti në nderim të Mark Kaçinarit, ng

Përtej një koncerti në nderim të Mark Kaçinarit, ngjarja në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, ka qenë edhe imazhi i së ardhmes së skenës së muzikës në vend. Ka qenë edhe imazhi i vetë shkollës e stafit akademik të “Prenk Jakovës” (Foto: Zyra e Kryeministrit)

Kryefjalë e koncertit të shkollës së muzikës, “Prenk Jakova” ka qenë krijimtaria e ikonës së muzikës shqipe, Mark Kaçinari. Veprat e tij janë sjellë mjeshtërisht nga nxënësit, në skenë është ngjitur edhe e violonçelistja, Rina Kaçinari, e bija e kompozitorit e dirigjentit të shquar, por në esencë një mbrëmje si kjo ka kulmuar në alegro. Ka qenë festë për trashëgiminë artistike, njërit prej prijatarëve të muzikës serioze në këto anë dhe dëshmi për potencialin dhe të ardhmen e skenës muzikore vendore

 Me vepra vokale e instrumentale që prekin repertorin vendor e botëror, nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë kanë nderuar figurën e kompozitorit Mark Kaçinari. Brezi i ri i muzikantëve ka përgatitur veprat e vetë krijuesit e veprimtarit të skenës muzikore shqiptare në koncertin ku veprat e Kaçinarit janë të pashmangshme.

Përtej një koncerti – që është mbajtur të enjten pasdite, pak orë pas tribunës muzikologjike për jetën dhe veprën e muzikantit të shquar – ngjarja në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, ka qenë edhe imazhi i së ardhmes së skenës së muzikës në vend. Ka qenë edhe imazhi i vetë shkollës e stafit akademik të “Prenk Jakovës”.

Nëse shihet programi, e pastaj edhe interpretimi, bëhet fjalë për vepra sfiduese të cilat solistët i përkthejnë në virtuozitet e muzikalitet.

Drejtoresha e shkollës, Jeta Dida-Bujari, ka thënë se programi kërkon impenjim të thellë në instrumentet përkatëse.

“Kanë qenë vepra të kombinuara të kompozitorit Mark Kaçinari dhe të kompozitorëve të tjerë shqiptarë e të huaj. Ishte një program mjaft virtuoz që kërkon impenjim të thellë në instrument, kërkon punë të jashtëzakonshme dhe besoj se secili e ka realizuar në mënyrën më të bukur të mundshme gjithë atë çfarë ka pasur të thuhet para publikut”, është shprehur ajo.

Koncerti ka qenë edhe një lloj feste për një tjetër vit shkollor e arritje. Drejtoresha Dida-Bujari ka konsideruar se shkolla “Prenk Jakova” është lidere e shkollave të muzikës në Kosovë.

“Është një revolucion i jashtëzakonshëm që është duke ndodhur këtu brenda Kosovës. Përpos shkollave publike në vend ka edhe me qindra shkolla private që janë tejet të suksesshme, por lidere e të gjitha shkollave mund të them se është shkolla ‘Prenk Jakova’ në Prishtinë që ka më vete rreth 74 profesionistë muzikorë që janë duke lartësuar breza të rinj artistësh”, ka thënë ajo.

E bija e Mark Kaçinarit, violonçelistja Rina Kaçinari, bashkë me drejtoreshën e shkollës, Jeta Dida-Bujari në piano, e kanë hapur programin artistik me interpretimin e veprës “Trëndelinë” të Mark Kaçinarit (Foto: Zyra e Kryeministrit)

Në pesë vjetët e fundit, secili koncert tradicionalisht vjen edhe si homazh për një prej figurave të shquara të skenës së muzikës shqiptare. Pas koncertit, mirënjohje post-mortem është ndarë për kompozitorin e dirigjentin Mark Kaçinari, të cilën e ka pranuar familja që ka qenë e pranishme.

E bija e Mark Kaçinarit, violonçelistja Rina Kaçinari, bashkë me drejtoreshën e shkollës Jeta Dida-Bujari në piano, e kanë hapur programin artistik me interpretimin e veprës “Trëndelinë” të Mark Kaçinarit.

“Faleminderit shkollës për këtë festë të jashtëzakonshme për ne. Unë do e luaj një pjesë e cila është një fragment i një kompozicioni që e kam luajtur pak më ndryshe kur kam qenë nëntë vjeçe në gara dhe sot vjen e përpunuar”, ka thënë violonçelistja Kaçinari para se të nisë interpretimin e veprës.

Një peizazh i trazuar dhe i errtë i violonçelit e hap veprën. E ajo e përcjell edhe me vokal. Loja e pianos sjell imazhin e një vepre ku tingujt vijnë paparashikueshëm dhe i tillë është edhe dialogu midis dy instrumenteve.

Rina Kaçinari, që profesionin prej muzikanteje e ushtron në Vjenë, ka thënë se ndihet shumë krenare dhe e lumtur për organizimin e koncertit në nderim veprës së babait të saj.

“Jam shumë e lumtur që ka ndodhur ky koncert, sepse ishte 90-vjetori i lindjes dhe është 40-vjetori i vdekjes sivjet. Është një kohë e gjatë, natyrisht, dhe jemi shumë të lumtur e shumë krenarë e gjithë familja që shkolla e muzikës në Prishtinë e organizoi një ditë të tillë”, është shprehur ajo.

Derisa ka folur për interpretimin e veprave të Kaçinarit, ka thënë se janë punuar me përkushtim.

“Absolutisht ishte fenomenal. Janë përkushtuar të gjithë dhe jam shumë e lumtur që arsimtarët e tyre i kanë punuar gjithë këto pjesë e të cilat nuk janë aq të lehta”, ka thënë ajo më tej.

Kënga për shkollën “Prenk Jakova” që e përshkruan institucionin si model për shkollat e muzikës në Kosovë, ka qenë si himn i koncertit. E ka interpretuar kori i fëmijëve të shkollës së ultë “Prenk Jakova” me tekst dhe melodi nga Dijana Osajt, aranzhuar nga Landi Surdulli. Në piano ka luajtur Magdalena Sedaj dhe në violinë Art Krasniqi.

Nëse shihet programi, e pastaj edhe interpretimi, bëhet fjalë për vepra sfiduese të cilat solistët i përkthejnë në virtuozitet e muzikalitet. Pas koncertit, mirënjohje post-mortem është ndarë për kompozitorin e dirigjentin Mark Kaçinari, të cilën e ka pranuar familja që ka qenë e pranishme (Foto: Zyra e Kryeministrit)

Kori ka interpretuar edhe veprën “Nanë, o Nanë” të Mark Kaçinarit, me Sedajn në piano dhe nën dirigjim të Lirjona Sylejmanit.

“Accopade Au Musette” nga Jo Sony e ka interpretuar me fizarmonikë Rejan Lushtaku. Ka qenë pjesë harmonike e tejet melodike.

Diell Pasha ka interpretuar veprën “Elegji” për piano nga Mark Kaçinari. Është përcjellë plot me virtuozitet, ritëm, melankoli e muzikalitet.

Zotërimi i instrumenteve është punë e kryer për ata studentë që shihen në koncert. Edhe në rastet kur instrumentet e tyre janë të përmasave më të mëdha sesa trupat e instrumentistëve të rinj. Dhe veprat ngjajnë goxha sfiduese.

Iris Hasani ka interpretuar me kitarë “Etude op.60 nr.23” të Matteo Carcassi me ritme të shpejta, por përplot pasion.

Vepra “Loja e bariut” e Mark Kaçinarit, interpretuar nga Dua Hoxha është dëshmuar për ritmet tradicionale që e përcjellin nga fillimi e deri në tingullin e fundit.

Driana Sopi me flaut ka sjellë nostalgjiken e pjesës “Andante” nga V. Nova në harmoni me pianon.

Atraktive janë meloditë e veprës “Burim gëzimi” të Simon Gjonit që e ka interpretuar me violinë Uresa Fusha.

Në koncert, Lir Hajrizi në violinë ka interpretuar “Milionar Hoedown” nga Clebanof, Bora Berisha në piano me “Fyelli i bariut” të Kaçinarit, pjesën tradicionale “Asaman trëndafili qelës” përpunuar nga Rafet Rudi, nën interpretim në kitarë nga Buna Latifi e “Duart e vogla (katër variacione)” nga Mark Kaçinari, të cilën e ka interpretuar Noa Cana në piano. 

Priam Jusufi në piano ka interpretuar “Etude op.72, nr.2, g-minor” nga Moszkowski, Princ Fanaj në violinë me “Vallen nr.1” nga “Katër valle popullore shqiptare”, Miran Korça në klarinetë me “Qenke veshur me të bardha” dhe “Valle e Tiranës” nga Thomas Simaku.

Në pjesën e fundit të koncertit ka interpretuar Dora Sylejmani në piano veprën “Romance” nga Tonin Harapi, Lindi Pasha në violinë veprën “Baladë” nga Pjetër Gaci e Sibora Resyli kohën e parë të “Koncertit nr.3 në G-dur” nga Mozarti.

Koncerti – në të cilin ka qenë i pranishëm edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti – është përmbyllur me “Hakuna Matata” me muzikë të Elton John e tekst nga Tim Rice, nën përcjellje me tinguj pianoja nga Magdalena Sedaj dhe me dirigjente Lirjona Sylejmanin.

Vitin e kaluar, kompozitori Rauf Dhomi qe nderuar si personalitet që ka lënë gjurmë në artin e kulturën e vendit nga dy muaj pasi qe dhënë premierë opera e tij “Goca e Kaçanikut” pas mbi gjysmë shekulli prej kur u kompozua. Koncerti qe mbajtur në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Pos nderimit për Dhomin, me mirënjohje ishte nderuar edhe profesoresha e pianos, Lejla Pula. Loja e saj ishte vlerësuar karakteristike për ndjeshmërinë, tingullin e thellë e virtuozitetin.