Një rend i ri botëror me një ideologji të pacaktuar, por me pasoja të prekshme. Me këto nënkuptime vjen edhe një poster që duket sikur flet për botën që nuk do të jetë më ajo që ishte. Përmbajtja e tij e rrokshme lehtë me sy: rruzulli tokësor i përshkuar në dy anë nga dhjetëra gozhda mbi të cilat është vendosur një kryq i zi. I shikuar me sy artistik, posteri sheston një botë të pllakosur nga pandemia e koronavirusit. Gozhdat, në këtë rast, u ngjajnë “gjembave” të virusit ashtu siç është ilustruar nga “Centers for Disease Control and Prevention” – imazhi që mori dhen gjithandej botës së llahtarisur nga armiku i padukshëm.
I krijuar nga “Novi kolektivizam”, pjesë e kolektivit të artistëve sllovenë “Neue Slowenische Kunst” (NSK), posteri në përmasa 98 me 68 centimetra tashmë është pjesë e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Të hënën, ky institucion ka shpalosur veprën që i është dhuruar nga artistët me bazë në Lubjanë, raporton KOHA.
“Kjo vepër i është dhuruar Galerisë Kombëtare të Kosovës për Koleksionin e saj nga New Collectivism dhe NSK”, thuhet në njoftimin e shkurtër të GKK-së në faqen e vet në Facebook. Pos posterit, aty janë vënë edhe fotografi të tij me aplikime në hapësira të ndryshme gjithandej botës.
Shpërndarja e tij duket sikur ka përmasa “pandemike”: në një reklamë publike në një rrugë të Lubjanës, në një ndërtesë dykatëshe pranë një ure në New York, në një stacion në Pekin të Kinës. Tutje, posteri ka zbarkuar edhe në kryeqendra të tjera evropiane, si Paris, Moskë, Berlin, Londër, Madrid e Romë. Kurse Prishtina do të jetë destinacioni i radhës për përmbajtjen e posterit në fjalë.
“Mendojmë ta vendosim në formë të banerit në murin e jashtëm të Galerisë, ku është i dukshëm për publikun”, ka thënë të mërkurën për KOHËN drejtoresha e GKK-së, Arta Agani.
Ajo ka thënë se posteri i sapodhuruar është bërë menjëherë publik.
“Grupi ‘Irwin’ e ka ndarë mes miqsh për përdorim privat para disa javësh kur e kanë krijuar, në mesin e tyre edhe mua”, ka thënë Agani. “Para tri ditësh mora ofertën zyrtare nga ta, ku ofronin posterin për koleksion të GKK-së”.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.