Kulturë

Politika në debat për “Xhorxh Bushin” me përplasje meritash e akuzash

Sheshi Xhorxh Bush

“Xhorxh Bushi” ka qenë i qetë të enjten e përplasjet janë zhvendosur në rrjete sociale se kush ka të drejtë midis ndaljes së punimeve e vazhdimit të tyre, përderisa projekti në tërësi ende s’e ka lejen që e obligon Ligji për trashëgimi kulturore

Foto: Driton Paçarada

Përderisa ekskavatorët e Komunës së Prishtinës në sheshin “Xhorxh Bush” kanë pushuar në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, në rrjete sociale kanë vazhduar përplasjet me nene, citime ligjesh, meritash e akuzash për blof.  

“Personazhe” të këtij debati kanë qenë Vlora Dumoshi, dikur drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës e më pas edhe ministre e Kulturës, dhe Ministria e Kulturës. Dumoshi ka thënë se MKRS-ja “po abuzon” me emrin e saj në rastin e ndalimit të punimeve në Komunën e Prishtinës.

Punimet për projektin “Xhorxh Bush” u ndalën pjesërisht të martën, kur Komuna shkeli edhe pjesën që, sipas autoritete të trashëgimisë, është zonë e mbrojtur, e ngjarjet gati sa nuk u përshkallëzuan edhe në përplasje fizike midis kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e zyrtarëve të tij dhe inspektorëve të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Projekti ende s’e ka lejen e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, por një zgjidhje midis autoriteteve lokale dhe atyre qendrore duket ende larg, e “debati” në distancë midis Dumoshit dhe MKRS-së është dëshmia e radhës.

Sqarimi i saj përfundon me një kërkesë: “Gjatë punimeve të sheshit të ruhet hapësira historike”. Por, deri aty ka akuza në adresë të institucionit që e ka udhëhequr dikur.

“Për hir të së vërtetës po e informoj opinionin publik se sa isha drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Prishtinës, nga viti 2010 deri në vitin 2013, kjo drejtori për herë të parë ka ndërmarrë një sërë masash e veprimesh për të përfshirë në dokumentet strategjike komunale identitetin kulturor të kryeqytetit –  Qendrën Historike të Prishtinës me asetet me rëndësi si Kullën e Sahatit, Hamamin e Prishtinës, Xhaminë e Çarshisë, si aset me rëndësi, dhe të investojë në këto asete. Njëkohësisht është vepruar në ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre përmes dokumenteve komunale, siç është PLANI ZHVILLIMOR KOMUNAL I PRISHTINËS 2012-2022”, ka shkruar Dumoshi. Ka thënë se një gjë e tillë nuk ishte bërë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që nga viti 1999 për Qendrën Historike të Prishtinës “për mungesë vizioni apo edhe stafi profesional”.

“Më vonë, në cilësinë e ministres së Kulturës në Qeverinë e Republikës së Kosovës - Qeveria Kurti I (jo si ministre e apostrofuar e ‘LDK-së’, pasi që unë nuk e kam drejtuar Ministrinë e LDK-së, por Ministrinë e Republikës së Kosovës) në përputhje me mandatin dhe detyrimin ligjor, jam angazhuar që Qendrës Historike të Prishtinës t’i jepet statusi që i takon, edhe pse kishin kaluar 20 vjet”, ka shkruar ajo.

Sqarimi i saj është në frymën e qasjes së zyrtarëve të Komunës së Prishtinës kur Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ia ndalon punimet tri herë radhazi. Herën e fundit, të martën, shkas i tyre për ta penguar ndalimin e punimeve qe kufiri i zonës së mbrojtur pastaj mungesa e regjistrimit të monumenteve në Kadastër.  

“Bazuar në Ligjin nr.02/L-088 për Trashëgimi Kulturore, në pajtueshmëri me nenet 3 dhe 4, listës së trashëgimisë nën mbrojtje të përkohshme – në vitin 2020 i janë shtuar asete të reja nga institucionet publike të trashëgimisë kulturore, ku Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë, ndër të tjera, ka propozuar për mbrojtje ‘Qendrën Historike të Prishtinës’, e që është aset i trashëgimisë kulturore me numër unik në databazë 3998, i përfshirë nën mbrojtje duke parë rëndësinë historike të tij”, ka shkruar Dumoshi, duke theksuar se si ministre e Kulturës i ka thënë “Po” propozimit dhe përfshirjes së QHPr-së për dhënien e statusit aset nën mbrojtje të shtetit. “Por Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë nuk e ka siguruar përcaktimin e perimetrit dhe zonës mbrojtëse për këtë aset dhe një gjë të tillë rezulton se nuk e ka bërë edhe sot e kësaj dite qysh nga 12 tetori i vitit 2020, e që shihet qartë nga portalit shtetëror - Geoportal Kosova se edhe sot (1 maj 2025) Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë nuk e ka kryer detyrën e vet për ta bërë atë pjesë të Regjistrit Kadastral, siç obligohet me Ligjin nr.02/L-088 përkatësisht nenin 4 - Mbrojtja dhe masat legale, paragrafi - 4.6”, ka shkruar ajo. Sipas Dumoshit, objektet e trashëgimisë kulturore të përfshira në Listën e trashëgimisë, nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme, regjistrohen nё Agjencinë Kadastrale dhe të Gjeodezisë tё Kosovës, nё tё dyja nivelet, qendror dhe lokal. Ish-ministrja e Kulturës ka akuzuar Ministrinë se nuk e ka bërë punën e vet.

E, të martën, Ministria e Kulturës nëpërmjet një kundërreagimi ka shkruar se reagimet si ai i Dumoshit e vetinkriminojnë atë dhe Komunën.

“Fillimisht thanë se po thirremi në draft dokument (Plani i Menaxhimit të QHP) e jo në akt të miratuar që përcakton të drejtat dhe detyrimet e palëve për ndërhyrje në asete/zona.  E publikuam vendimin e parë të vitit 2020 dhe vendimet pasuese për miratimin e listës së përkohshme të trashëgimisë kulturore, për më tepër, të nënshkruar nga ish-ministrja Dumoshi, që vjen nga subjekti politik që udhëheq kryeqytetin. Pra, u pa se po manipulojnë dhe më nuk u përmenden draftet. Pseudoargumenti vijues ishte se lista e trashëgimisë kulturore vlen vetëm për një vit. U treguam se kjo qëndron nëse nuk kemi një rivazhdim tjetër të vlefshmërisë së listës së miratuar me vendim të ministrit sipas Ligjit nr.02/L-088 dhe se këto vazhdime janë aplikuar pareshtur nga viti 2008 e më tutje dhe se ky ligj nuk ndalon përditësimin e listës”, shkruhet ndër të tjera në sqarimin “Dezinfomimi i radhës nuk kalon”. Në sqarimin e saj Dumoshi nuk e përmend “validitetin” njëvjeçar të Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, siç kanë bërë zyrtarët komunalë në përballje me Inspektoratin. Por, MKRS-ja në sqarim shkruan se “nëse ky argument do të qëndronte, atëherë Kosova nuk do të kishte fare regjistër të aseteve të trashëgimisë kulturore, pra nuk do të kishte trashëgimi kulturore në Kosovë”.

“Fillimisht sqarojmë se regjistrimi në kadastër, megjithëse është përcaktim ligjor në Ligjin për Trashëgimi Kulturore, nuk e kushtëzon zbatimin e regjimit ligjor mbrojtës për asetet dhe zonat mbrojtëse të trashëgimisë kulturore. Pra, ky është një blof i radhës, në përpjekje për të gjetur çfarë të munden për të justifikuar shkeljen e Ligjit për trashëgimi kulturore”, ka shkruar MKRS-ja, duke shtuar se “kjo është një gafë e radhës që për keqardhje vihet në publik nga ata që kanë qenë në krye të MKRS-së”.

“Si përfundim ra argumenti i drafteve, i listës për 1 vit dhe sot janë shërbyer me regjistrim në kadastër duke e vetinkriminuar edhe veten e tyre.  MKRS bën thirrje për të satën herë që proceduat ligjore, autoriteti institucional i institucioneve kompetente të mos keqpërdoret për debate politike apo arsyetim të dështimit të projekteve të kryeqytetit, sepse këta precedentë janë të rrezikshëm për konsolidimin e përgjithshëm të sistemit efektiv të ruajtjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore”, ka shkruar ndër të tjera MKRS-ja.