Teksa kriza ishte bërë përditshmëri për teatrot në shumë qytete të Kosovës, “Platforma Kulturore e Kosovës 2019+” kishte qenë lajm i mirë për disa prej tyre. E nismuar nga qendra “Multimedia”, para një viti, ky projekt i kishte vënë vetes përsipër prodhimin e shfaqjeve të reja dhe turneun e tyre në Kosovë e jashtë saj përmes “Kosovo Theatre Showcase”.
Qëllimi i “Platformës…”, e cila ishte mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim – SDC, ishte “forcimi i zhvillimit kulturor lokal në Kosovë, si shtytës i ndryshimit shoqëror dhe i zhvillimit ekonomik”, shkruan sot Koha Ditore.
Në vitin e parë të “Platformës…”, sipas Jeton Nezirajt nga qendra “Multimedia”, janë realizuar një pjesë e mirë e zotimeve dhe planifikimeve.
Në këtë drejtim, ai ka veçuar realizimin e edicionit të dytë të “Showcaseit” teatror në vend, që përfshiu edhe shfaqje të Teatrit të Gjilanit, të Ferizajt si dhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Përgjatë atyre ditëve të ‘showcaseit’ ka pasur një mobilizim dhe përpjekje të shkëlqyeshme bashkëpunimi mes këtyre teatrove”, ka thënë Neziraj.
Rreth tridhjetë mysafirë të ndryshëm kishin pasur rastin të shihnin 9 shfaqje teatrore ashtu sikundër edhe të ishin pjesëmarrës në panele e aktivitete të ndryshme.
Pjesë e “Platformës...” vitin e kaluar kishte qenë edhe realizimi i shfaqjes “Pesë stinët e armikut të popullit” me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt. Një turne i kësaj shfaqjeje, tok me shfaqje të tjera të “Multimedias”, e kishte çuar edhe para audiencave në Gjilan, Prizren dhe Ferizaj.
Përmes partnerëve ndërkombëtarë, programi kishte ftuar edhe ekspertë të ndryshëm për ta trajnuar dhe avancuar stafin kreativ dhe teknik në teatrot lokale. Përmirësimi i aftësive teknike të ekipeve prodhuese ishte parë si një mundësi për të rritur cilësinë e përgjithshme të shfaqjeve.
Edhe Teatri i Gjilanit ia kishte parë hairin “Platformës…” kur ishte ndihmuar teknikisht për realizimin e shfaqjes “a.y.l.a.n”, me tekst të Jeton Nezirajt dhe nën regji të Blerta Nezirajt, e cila përpunon artistikisht dramën aktuale të refugjatëve në Evropë dhe përpjekjen e paskrupullt të shumë njerëzve për të përfituar nga tragjedia e tyre.