Kulturë

Piktori Dardania drejt promovimit të artit shqiptar në Mulhouse

Ekspozita e Ramë Dardanisë

Ekspozita e Ramë Dardanisë, që do të jetë e hapur për publikun dhe komunitetin artistik prej 1 deri më 30 shtator, do të përqendrohet në eksplorimin e imazheve dhe emocioneve, duke i përdorur fytyrat dhe format abstrakte si gjuhë artistike për të transmetuar mesazhe të thella dhe universale

Me art pamor, artisti nga Kosova, Ramë Dardania, edhe një herë ia del ta shtyjë përpara përfaqësimin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Muzeu dhe Galeria e Artit Bashkëkohor “Dan Gerbo” në Mulhouse të Francës më 5 shtator do ta mikpresin artistin Dardania, i cili do ta prezantojë punën e tij unike me një ekspozitë personale. Muzeu ka në dispozicion një pjesë të veçantë të ekspozitave, brenda së cilës prezantohen veprat e artistëve të njohur ndërkombëtarë. Për 12 muaj përzgjidhen 12 artistë dhe, në mesin e tyre, shtatori do t’i takojë piktorit nga Kosova me bazë në Gjenevë

Karriera e tij në pikturë kishte nisur më 2006 me t’u transferuar në qytetin e Gjenevës. Si artist në Evropë, puna e tij përmbledh ngjyra e forma që tejkalojnë çdo kufi të konformitetit. Me art pamor, artisti nga Kosova, Ramë Dardania, edhe një herë ia del ta shtyjë përpara përfaqësimin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Muzeu dhe Galeria e Artit Bashkëkohor “Dan Gerbo” në Mulhouse të Francës më 5 shtator do ta mikpresin artistin Dardania, i cili do ta prezantojë punën e tij unike me një ekspozitë personale.

Muzeu ka në dispozicion një pjesë të veçantë të ekspozitave, brenda së cilës prezantohen veprat e artistëve të njohur ndërkombëtarë. Për 12 muaj përzgjidhen 12 artistë dhe, në mesin e tyre, shtatori do t’i takojë piktorit nga Kosova me bazë në Gjenevë. Inaugurimi i ekspozitës do të mbahet më 5 shtator dhe pritet të krijojë një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse për artdashësit dhe përfaqësuesit e mediave. Shtypi lokal dhe kritikët tashmë kanë shprehur pritje pozitive për këtë ngjarje, duke e konsideruar atë një moment të rëndësishëm në kalendarin kulturor të Mulhouse.

Ekspozita e tij, që do të jetë e hapur për publikun dhe komunitetin artistik prej 1 deri më 30 shtator, do të përqendrohet në eksplorimin e imazheve dhe emocioneve, duke i përdorur fytyrat dhe format abstrakte si gjuhë artistike për të transmetuar mesazhe të thella dhe universale. Kjo ekspozitë është reflektim i një rrugëtimi artistik dhe emocional që synon ta lidhë publikun me dimensione të ndryshme të përvojës njerëzore.

“Ekspozita do të përmbajë imazhe dhe portrete të realizuara në stilin tim unik, ku shfaqen fytyra të ndryshme, të vuajtura, të lodhura, por edhe të gëzuara, duke pasqyruar gjendje të ndryshme emocionale dhe përvoja njerëzore. Çdo vepër është një rrëfim vizual, pa histori të shkruar, por me histori që ndihen përmes shprehjeve dhe ngjyrave”, ka thënë Ramë Dardania në një përgjigje për KOHËN.

Pikturat e tij e paraqesin vijën e hollë midis të dukshmes dhe diskrecionit, aty hapësira e interpretimit del të jetë mundësia e vetme që ua jep atyre kuptimin. Varësisht nga sytë që i sodisin, arti që ai bën, teknikat, format e ngjyrat që ai zgjedh t’i përdorë, përcjellin mesazhe që u përgjigjen qartazi emocioneve njerëzore, e pjesëmarrja e tij në këtë ekspozitë është gjithashtu një mundësi e rëndësishme për ta përfaqësuar artin shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke e sjellë zërin dhe vizionin e tij artistik në një kontekst global.

“Ka një veçanti të madhe, sepse këto vepra i kam punuar kryesisht në Kosovë, në fshatin tim Koshare, gjatë pushimeve, në oborrin e shtëpisë ku jam rritur. Ato bartin energjinë, kujtimet dhe atmosferën e vendit tim, gjë që u jep një dimension emocional dhe autentik që nuk e kam pasur shpesh në punët e mëparshme”, ka thënë piktori Dardania, i cili në janar të vitit të kaluar ekspozoi në një galeri të artit bashkëkohor të quajtur “Medina Art Gallery” në Romë.

Si artist shumëdimensional, ai zhvillon një praktikë të veçantë që e përfshin pikturën, performancën dhe videon. Dialogu mes së kaluarës dhe së tashmes e inspiron artistin, i cili përdor fytyra, emocione e personazhe lojërash për t’i trajtuar temat e vuajtjes, shpresës dhe gëzimit, duke ndërtuar kështu një univers të hapur dhe të ndjeshëm. Është shquar në skena të ndryshme ndërkombëtare, nga Franca deri në Shtetet e Bashkuara dhe ka fituar disa çmime për krijimet e tij. Në vitin 2025 është shpërblyer si artist nga muzeu.

“Të ekspozoj në një vend ku kanë prezantuar edhe artistë të njohur ndërkombëtarë, përfshirë Laura Chaplin, mbesa e Charlie Chaplin, më jep një ndjenjë të veçantë krenarie dhe përgjegjësie, sepse e përfaqësoj jo vetëm veten time, por edhe Kosovën dhe artin shqiptar në një skenë prestigjioze”, ka thënë ai.

Një tjetër ngjarje e rëndësishme për të do të jetë një ekspozitë në Gjenevë, në një shtëpi të artit, si dhe në një universitet. Tema e asaj ekspozite do t’i prekë të zhdukurit e luftës së Kosovës dhe pas saj, Dardania do të marrë pjesë edhe në ngjarje të tjera në Evropë, duke e përfaqësuar veten dhe Kosovën me artin e tij.

“Në ditët në vijim do të ekspozoj në Shtëpinë e Artit ‘Grütli’ në Gjenevë, si dhe në një universitet me temën e të zhdukurve të luftës së Kosovës. Më pas, do të jem pjesë e Sallonit të Artit në Lozanë, dhe projekti më i rëndësishëm do të jetë ekspozimi në Universitetin e Artit në Selanik të Greqisë, ku do të mbaj edhe një punëtori përpara studentëve, i organizuar nga fondacioni i artit ‘Way’”

Pas këtyre, piktori planifikon të udhëtojë në Tiranë “për një ekspozitë të përbashkët me një artiste nga Izraeli dhe një tjetër nga Rusia”.

Në këtë udhëtim të tijin ai veten e ngarkon dhe me përpjekjen për ta promovuar vendin e tij. Krahas promovimit të artit të tij ai gjen vend edhe për Kosovën, promovimin e saj si vend nga i cili arti gurgullon e kërkon skenë për t’u shfaqur.

“Është jetike. Promovimi ndërkombëtar u jep artistëve shqiptarë mundësinë t’i tregojnë historitë, kulturën dhe kreativitetin tonë përtej kufijve. Kjo ndihmon jo vetëm për afirmimin personal të artistëve, por edhe për krijimin e një imazhi më të pasur e më të vërtetë të artit shqiptar në botë”, thotë piktori Dardania.

Angazhimi i tij në artin figurativ, i nisur vite më parë, është theksuar menjëherë me piktura origjinale, të cilat përçojnë përtej individualitetit të artistit edhe copëza të identitetit të tij shqiptar. Ka ekspozuar pikturat e tij në Milano, në galerinë “Arcadia Art Gallery”, në Bolonjë, Gjenevë e Sarajevë.