Pianisti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Derek Han, u rikthye të mërkurën para publikut kosovar edhe për një koncert. U shoqërua nga anëtarët e tanishëm të “Trio harkore Kosova” e themeluar në vitin 2003 me Sihana Badivukun në violinë, Blerim Grubin violë dhe Aristidh Prosin në violonçel.
Për konkretizimin e dy veprave të përzgjedhura nga pianisti Han, mysafir kanë qenë kontrabasisti Fraim Gashi dhe Arben Ademi në violë. Han ishte “piloti” i mbrëmjes. Një rol të tillë e ka pasur edhe para gjashtë ditëve, më 4 tetor, kur së bashku me sopranon nga ShBA-ja, Catherine Wethington, mbajti koncertin e parë në kuadër të edicionit të 20-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest”.
Në koncertin e së mërkurës, pjesë e programit që zgjati një orë e gjysmë ishin “Trofta” në A-Dur e kompozitorit Franz Schubert dhe “Seksteti pianistik në D-Dur, op.110” e kompozitorit Felix Mendelssohn. Kjo e fundit u dha premierë për publikun kosovar.
Pas interpretimit të veprës së Schubertit, pianistit Han, anëtarëve të “Trios harkore Kosova” dhe kontrabasistit Fraim Gashi, iu bashkua edhe instrumentisti Arben Ademi nga Shqipëria.
Besa Luzha e ka konsideruar këtë koncert një mbrëmje të rrallë muzikore që ndodh në Prishtinë.(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")