Kulturë

“Petrichora” ringjall mitin ballkanik në teatrin që tejkalon gjuhët

“Petrichora” ringjall mitin ballkanik në teatrin që tejkalon gjuhët

“Petrichora – Historia e Urës së Artës” gjen paralele në tërë Ballkanin, përfshirë edhe legjendën shqiptare të Rozafës

Është një histori e njohur, por leximi i saj regjisorial, është përherë version i ri i të rrëfyerit. Legjenda tregon se ndërtimi i urës mbi lumin Arachthos dështonte çdo natë, derisa një sorrë me zë njeriu i kishte thënë mjeshtrit se ura do të qëndronte vetëm nëse ai sakrifikonte të shoqen, duke e murosur në themelet e saj. Në një inskenim që gjen të përbashkëtat edhe me mite të ngjashme në këto anë, produksioni grek “Petrichora – Historia e Urës së Artës”, gjen të përbashkëtat me shqiptarë jo vetëm te mitet, përderisa dëshmon fuqinë e teatrit edhe për tejkalim gjuhësh e kufijsh

“Petrichora – Historia e Urës së Artës” ashtu siç e paralajmëron edhe titulli, tek sjell në skenë legjendën e Urës së Artës, zbërthen mitin që gjen paralele në tërë Ballkanin, përfshirë edhe legjendën shqiptare të Rozafës. Të dyja këto rrëfime flasin për sakrificën e një gruaje të gjallë që muroset për të siguruar qëndrueshmërinë e një ngrehine, qoftë urë apo kala. Në rastin e Urës së Artës, legjenda tregon se ndërtimi i urës mbi lumin Arachthos dështonte çdo natë, derisa një sorrë me zë njeriu i kishte thënë mjeshtrit se ura do të qëndronte vetëm nëse ai sakrifikonte të shoqen, duke e murosur në themelet e saj. Është një histori e njohur, por leximi i saj regjisorial, është përherë version i ri i të rrëfyerit. 

Pikërisht këtij produksioni bazuar në këngën popullore “Ura e Artës”  me dramaturgji të Amalia Kontogiannit e nën regji të Harry Thomosit, i ka takuar skena e teatrit kamertal “Faruk Begolli” në “Kolegjin AAB” në natën e dytë të edicionit të nëntë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë që mban emrin e regjisores Burbuqe Berisha. 

Shfaqja ndërthur elemente të ndryshme artistike, duke përfshirë këngën, aktrimin dhe koreografinë. Muzika e kompozuar nga Marios Apostolakoulis krijon atmosferë tensioni dhe ankthi, duke e mbajtur audiencën të përfshirë gjatë gjithë kohës. Skenografia është minimaliste, por efektive, me përdorimin e një materiali të zgjatshëm, me të cilin mbulohen herë pas here personazhet, duke krijuar imazhe simbolike dhe emocionale. 

Me gjuhën greke, që jehon në sallë, në një ekran të vogël mbi skenë jepen titrat me përkthim në anglisht, duke mundësuar që bashkë me ndjesitë, audienca të mund ta kuptojë edhe fjalësin e spektaklit.

Regjisori Harry Thomos ka theksuar rëndësinë e kësaj shfaqjeje në kontekstin ballkanik, teksa festivalin e quajti “prestigjioz”.

Shfaqja greke nuk ka qenë vetëm një performancë artistike, por një përvojë e thellë emocionale që të kujton fuqinë e sakrificës, presionin e shoqërisë dhe tragjedinë njerëzore që nganjëherë fshihet pas ndërtimit të diçkaje që duket e palëkundur

“Është shumë e rëndësishme kjo pjesëmarrje, sepse eksploron një mit ballkanik dhe Prishtina është një festival prestigjioz dhe në këtë mënyrë patëm mundësi ta promovojmë këtë mit. Besoj se ka shumë rëndësi për ne që kaluam kufirin prej Greqisë dhe realizuam biseda dhe takime për vendin dhe bashkëpunimin në Prishtinë dhe arritëm ta paraqesim para audiencës dhe ajo ishte fantastike”, ka thënë për KOHËN regjisori Harry Thomos. Është hera e parë që “Petrichora” del jashtë Greqisë. 
Thomos ka folur për lidhjen e krijuar mes interpretuesve dhe audiencës, për atmosferën e ngrohtë në sallë si dhe për ndikimin që shfaqja kishte pasur jo vetëm te publiku, por edhe te vetë ai. Ka theksuar se kjo përvojë në Prishtinë ka qenë frymëzuese dhe shpresëdhënëse për rrugëtimin e mëtejshëm të shfaqjes jashtë Greqisë.

“Kemi pranuar ftesa edhe nga Rumania, Bullgaria, Rusia dhe Egjipti deri tani. Shpresojmë të gjejmë komunikim dhe ta sjellim shfaqjen edhe në më shumë shtete. Nga duartrokitjet dhe numri i madh i të pranishmëve në audiencë, besoj se kemi arritur të mbajmë paralele me rrahjet e zemrave të njerëzve, është një spektakël shumë i fortë, afër njerëzve, sepse s’kemi një teatër të madh ku mbahet distanca mes skenës dhe audiencës, andaj kjo ka krijuar një drithërimë për të gjithë, edhe për mua që rrija ulur aty dhe shpresoj që audiencës t’i ketë pëlqyer”, ka shtuar më tej regjisori.

Në qendër të shfaqjes “Petrichora...”, figura tragjike që përballon sakrificën më të madhe, vjen në skenë përmes interpretimit emocional të aktores kryesore greke, Evangelia Botsi e cila bart në zërin dhe trupin e saj një peshë që tejkalon artin e aktrimit – një peshë që kërkon edhe këndim, ndjeshmëri të thellë dhe një lidhje intime me figurën që përfaqëson. Për të, ky rol nuk është vetëm profesion, por edhe një proces i ndërlikuar i reflektimit dhe përjetimit personal. Ndërsa ka folur për sfidat dhe përkushtimin që kërkon ky rol, ajo ka përmendur edhe ndjesitë që i ka zgjuar vizita në Prishtinë.

“Është një rol goxha i vështirë, secilën herë ndihem ndryshe në skenë, por është shumë e thellë dhe mendoj se Ligeri është një grua e fortë dhe jam krenare kur e performoj këtë rol. Prej vitesh këndoj dhe kjo është pjesa më e lehtë për mua, më vështirë e kam të aktroj, por më pëlqen kombinimi mes aktrimit dhe këndimit, andaj për mua është kënaqësi t’i bëj të dyja. Prishtina më pëlqen shumë, ma kujton fshatin tim në Greqi, i qetë dhe paqësor”, ka treguar ajo për KOHËN.

Pas performancës, edhe aktori kryesor i shfaqjes Dimitris Krikos ndau emocionet dhe reflektimet e tij për këtë përvojë të parë jashtë Greqisë. E ka përshkruar atmosferën si mbresëlënëse, që nga ceremonia e hapjes e deri te performancat e kolegëve ndërkombëtarë. Ai dhe aktorja Evangelia Botsi, janë dy prej nëntë aktorëve të shfaqjes. Kasta përbëhet edhe nga: Anna Maria Gatou, Nefeli Gikoglou, Giouli Efthimiou, Ariadne Kostas, Lena Nestoridou, Georgia Pontsouktsi dhe Thanos Poumakis. 

“Jemi shumë të lumtur që morëm pjesë këtu, falënderojmë organizatorët që na ftuan dhe na pranuan, kaluam shumë mirë për herë të parë në Prishtinë, gjithçka në festival ishte shkëlqyeshëm, ceremonia, festa e ditës së parë, performanca e ekipit francez dhe tani ishte koha për ne dhe kishim një pritje shumë të mirë, audienca ishte e shkëlqyeshme dhe mendoj se u dhamë diçka shumë të bukur”, ka thënë Krikos.

Pasi ka përshkruar shkurt konceptin e shfaqjes, ai është ndalur te vështirësitë që kanë hasur si ekip gjatë krijimit të kësaj shfaqjeje, e cila përfshin disa lloje të artit.

Shfaqja ndërthur elemente të ndryshme artistike, duke përfshirë këngën, aktrimin dhe koreografinë. Muzika e kompozuar nga Marios Apostolakoulis krijon atmosferë tensioni dhe ankthi, duke e mbajtur audiencën të përfshirë gjatë gjithë kohës

“Ishte goxha e vështirë sepse duhej të përzienim shumë lloje të artit, këndojmë, aktrojmë, krijojmë imazhe me trupat tanë, krijojmë tinguj me ta, të gjitha këto duhej t’i kombinonim dhe t’i sjellim para audiencës, andaj duhej të ishim shumë të fokusuar dhe të saktë”, ka rrëfyer aktori grek.

Aktori Afrim Kasapolli, i cili ishte i pranishëm në audiencë, ka ndarë emocionet e tij për shfaqjen, duke theksuar ndikimin e saj të menjëhershëm dhe të thellë, pavarësisht barrierës gjuhësore.

“Sonte pamë një shfaqje të mrekullueshme, ishte ekzemplar, shkollë për të gjithë, ma merr mendja që në publik, a kanë qenë dy-tre që kanë kuptuar gjuhën greke, por mua më tingëllonte aq shqip, aq bukur, aq ishte përmbajtjesore me koreografi, me muzikë e me aktorë të shkëlqyeshëm. Mendoj se kjo është dashur të jetë një porosi për krejt studentët e Kosovës të mësojnë se çka është artikulimi në skenë, ishte një shfaqje e mrekullueshme”, ka thënë për KOHËN aktori Kasapolli.

Fjalët e tij e ngjitën përjetimin në një nivel tjetër – jo thjesht artistik, por edhe shpirtëror. Ka vlerësuar aftësinë e trupës për të komunikuar me publikun përmes tingullit, lëvizjes dhe shprehjes emocionale, duke përmendur polifoninë si një simbol i përbashkët që e kapërcen përkatësinë kombëtare.

“Ja çka do të thotë kur shfrytëzohet polifonia, është e jona, por është edhe e grekëve, por aq bukur ishte koordinuar polifonia sa këto ngarkesa se e kujt është, çka është, janë punë për historinë, ne e pamë një shfaqje e cila na përmbush shpirtërisht, mendërisht, emocionalisht, prandaj t’ua lëmë historianëve të flasin për urat dhe gjërat e tjera, ne flasim për shfaqjen. Këta e kanë merituar këtë duartrokitje që e morën në fund, me gjithë punën dhe përkushtimin që kanë pasur”, ka shtuar ai.

Shfaqja greke nuk ka qenë vetëm një performancë artistike, por një përvojë e thellë emocionale që të kujton fuqinë e sakrificës, presionin e shoqërisë dhe tragjedinë njerëzore që nganjëherë fshihet pas ndërtimit të diçkaje që duket e palëkundur. Në një kohë kur lidhjet ndërmjet njerëzve shpesh thyhen nga mosbesimi apo frika, kjo shfaqje vjen si një kujtesë e fuqishme se arti mund të ndërtojë ura më të forta se gurët – ura që mbajnë peshën e kujtesës, dhembjes, dashurisë dhe shpresës.

Festivali vazhdon rrugëtimin e tij artistik me një program të pasur shfaqjesh vendore e ndërkombëtare, duke sjellë në Prishtinë zëra, histori dhe forma të ndryshme të teatrit bashkëkohor nga vende të ndryshme të botës. Në ditët në vijim, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë bashkëpunime kulturore dhe rrëfime që kapërcejnë kufijtë gjuhësorë e gjeografikë, duke e shndërruar këtë ngjarje në një urë të vërtetë mes kulturave dhe ndjeshmërive të përbashkëta.